Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dyshime për përfshirjen e Iranit në operacionin e Hamasit

“A e ka përdorur Hamasi ndihmën iraniane? Po, patjetër. A kishte Irani interes në këtë veprim? Po. A ka nevojë Hamasi për lejen iraniane për të vepruar? Jo”

Një raport në Wall Street Journal ka cituar anëtarë të paidentifikuar të Hamasit dhe lëvizjes guerile libaneze Hezbollah, të kenë thënë se Irani dha miratimin për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, një javë më parë.

Por një zyrtar i lartë i mbrojtjes në Washington ka thënë më vonë se SHBA-ja “nuk ka informacion tani për tani” për të vërtetuar pretendimet specifike për rolin e Iranit në sulme.

Pavarësisht kësaj, rreziku për të vërtetën e kësaj është i lartë. Nëse do të dilte se Irani qëndronte pas sulmeve, mund ta zgjeronte konfliktin në një konfrontim rajonal.

Kështu, ndërkohë që udhëheqësit e Iranit kanë përkrahur sulmet, ata janë treguar të shpejtë edhe për të mohuar përfshirjen.

“Akuzat që lidhen me rol të Iranit... bazohen në arsye politike”, deklaroi Ministria e Jashtme e Iranit.

Edhe Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme, rrezikojnë ta çojnë rajonin përsëri në luftë Botë 1 muaj më parë Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme, rrezikojnë ta çojnë rajonin përsëri në luftë

Ndërkaq të martën lideri suprem i Iranit, Ayetollah Ali Khamenei, ka mohuar se shteti i tij është i përfshirë në sulmet e Hamasit, por ka lavdëruar grupin militant për planifikimin e sulmit të cilin e ka quajtur “epik”.

Irani nuk ka ndërhyrë “në vendimmarrjen e shteteve të tjera”, shtoi një zëdhënës. Por asnjë nga këto nuk do të thotë se Irani nuk ishte i përfshirë.

Shtetet e Bashkuara thonë se “ende” nuk kanë parë prova që Irani qëndron pas sulmeve. Megjithatë, sekretari i Shtetit, Antony Blinken theksoi se “ka qartë një marrëdhënie të gjatë”.

Teherani ka qenë një nga sponsorët kryesorë të Hamasit për shumë vjet, duke i ofruar ndihmë financiare dhe sasi të mëdha armatimi, përfshirë raketa.

Izraeli ka shpenzuar vite duke u përpjekur të ndërpresë rrugët e furnizimit të Iranit për në Gaza, të cilat përfshijnë Sudanin, Jemenin, anijet në Detin e Kuq dhe kontrabandistët beduinë në gadishullin e paligjshëm të Sinait.

Si një nga armiqtë më të paepur të Izraelit, Irani ka qartë një interes të veçantë për të parë shtetin hebre të vuajë.

“Unë do të thosha se nuk është e tepërt të supozohet se Irani është i përfshirë”, ka thënë për BBC-në, Haim Tomer, një ish-oficer i lartë i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Izraelit, Mossad.

“Kjo është përgjigja e Iranit ndaj raporteve se një traktat paqeje do të ndodhë midis Izraelit dhe Arabisë Saudite”.

Por Tomer e ka konsideruar sugjerimin se Irani urdhëroi sulmin e së shtunës si “pak të rëndë”.

“Po, është e vërtetë që Irani është ofruesi numër një i pajisjeve për Hamasin”, ka thënë ai, “dhe se ata po i trajnonin ata në Siri dhe madje, siç thuhet, në Iran”.

Izraeli, ka shtuar ai, ka vëzhguar lëvizjen e zyrtarëve të Hamasit në muajt e fundit.

“Ne kemi parë njerëz si Saleh al-Arouri (kreu i krahut ushtarak të organizatës) dhe udhëheqës të tjerë të Hamasit që udhëtojnë shpesh sa në Liban e Iran, duke mbajtur takime, duke përfshirë vetë [udhëheqësin suprem Ayatollah] Khamenei”.

Image
lideri suprem i Iranit, Ayetollah Ali Khamenei, ka mohuar se shteti i tij është i përfshirë në sulmet e Hamasit, por ka lavdëruar grupin militant për planifikimin e sulmit të cilin e ka quajtur “epik”.

Por kjo “marrëdhënie e afërt” nuk ishte e mjaftueshme, ka thënë Tomer, për të shpjeguar kohën e sulmit.

Edhe Irani paralajmëron se sulmet izraelite në Liban kërcënojnë armëpushimin me SHBA-në Botë 1 muaj më parë Irani paralajmëron se sulmet izraelite në Liban kërcënojnë armëpushimin me SHBA-në

“Hamasi ishte shumë i prirë për konfliktin e brendshëm në Izrael”, ka shtuar ai.

“Irani mbështet çdo aspekt logjistik dhe ushtarak, por unë mendoj se vendimi ishte të paktën 75%, një vendim i pavarur nga udhëheqja e Hamasit”.

Raz Zimmt, një ekspert i Iranit në Universitetin e Tel Avivit, është dakord.

“Kjo është një histori palestineze”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

Sipas Wall Street Journal, Irani dha dritën jeshile për sulmin në një takim në Bejrut të hënën e kaluar.

Burime të paidentifikuara të Hamasit dhe Hezbollahut i thanë gazetës se oficerët e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kishin punuar së bashku me Hamasin që nga gushti për operacionin kompleks ajror, tokësor dhe detar të së shtunës.

Nga videot e sulmit të Hamasit është vërejtur një nivel i sofistikuar, përtej përpjekjeve kryesisht të papërpunuara të organizatës në të kaluarën, për të thyer gardhin e sigurisë së Izraelit që rrethon Rripin e Gazës.

Përdorimi i njëkohësishëm i raketave, dronëve, automjeteve dhe aeroplanëve ka sugjeruar që planifikuesit e operacionit kishin studiuar shembuj të tjerë të fundit, të luftës hibride, ndoshta duke përfshirë edhe Ukrainën.

Por vendimi për të sulmuar, ka thënë Raz, u mor “nga Hamasi, bazuar në interesat e tij, që dalin nga realiteti palestinez”.

“A e ka përdorur Hamasi ndihmën iraniane? Po, patjetër. A kishte Irani interes në këtë veprim? Po. A ka nevojë Hamasi për lejen iraniane për të vepruar? Jo”.

Hamasi ka zhvilluar njësitë e tij elitare për disa vjet, ka thënë Haim Tomer.

“Por prapëseprapë ata performuan mbi nivelin e tyre të mëparshëm”, ka shtuar ai.

Zyrtarët izraelitë tani po shikojnë në të gjitha anët, derisa mundohen ta kuptojnë se çfarë do të ndodhë më pas dhe nëse përfshirja e Iranit mund të bëhet më e hapur.

Edhe Ahmadinejadi - dëshira e parealizuar e SHBA-së e Izraelit për ta vënë atë në krye të Iranit Botë 2 muaj më parë Ahmadinejadi - dëshira e parealizuar e SHBA-së e Izraelit për ta vënë atë në krye të Iranit

Aleati libanez i Iranit, Hezbollahu, ka nisur tashmë dy sulme në shkallë të vogël në Golan Heights, të pushtuara nga Izraeli. Ushtria izraelite ka thënë se ka përdorur helikopterë për të goditur objektivat brenda Libanit.

“Operacioni i Hamasit është një ngjarje që ndryshon realitetin në Lindjen e Mesme, që mund ta detyrojë Iranin të kalojë nga faza e mbështetjes dhe koordinimit të vazhdueshëm, në një përfshirje më të drejtpërdrejtë, veçanërisht nëse përgjigja izraelite përbën një sfidë të rëndësishme për Hamasin”, ka thënë Raz. (Përktheu: Forca Jashari)