Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur pas sulmeve ajrore të natës që Rusia ka realizuar mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Një nga viktimat është një foshnjë njëvjeçare, trupi i së cilës u nxor nga rrënojat, njoftoi kreu i administratës ushtarake të Kievin, Tymur Tkachenko. Po ashtu, raportohet se një grua e re gjithashtu ka humbur jetën.
Tkachenko ka bërë thirrje që banorët të qëndrojnë në strehimore dhe ka paralajmëruar se Rusia po godet qëllimisht objektet civile, shkruan BBC.
Ndërkohë, kryetari i Kievin, Vitaliy Klitschko, raportoi një zjarr në një ndërtesë qeveritare në distriktin qendror Pecherskyi, duke thënë se zjarri është shkaktuar nga një dron rus që është rrëzuar.
Rusia ende nuk ka dhënë një koment lidhur me sulmet, por ministria e mbrojtjes e këtij shteti ka njoftuar se forcat e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 69 dronë ukrainas në disa rajone të Rusisë.
Sulmet ajrore të natës mbi Ukrainë ndodhin ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin, intensifikon paralajmërimet ndaj Perëndimit për të mos ofruar ndihmë për Ukrainën.
Vendet aleate dënojnë sulmin rus mbi Kiev
Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se ai jo vetëm që e ka filluar luftën, kur Moska nisi pushtimin e saj të plotë të Kievit në vitin 2022, por edhe se "ka zgjedhur ta vazhdojë atë".
"Ne duhet të qëndrojmë në kursin e duhur: të forcojmë mbrojtjen e Ukrainës dhe të rrisim presionin mbi Rusinë përmes sanksioneve shtesë, në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë", ka thënë Costa pas sulmit të së dielës të Rusisë mbi Kiev, me ç’rast për herë të parë është goditur edhe një ndërtesë qeveritare.Ndërkohë Norvegjia ka bërë thirrje që presioni mbi Rusinë për të ndalur agresionin të rritet.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se është "i tmerruar" nga sulmi "brutal" i Rusisë gjatë natës ndaj Kievit.
"Për herë të parë, zemra e qeverisë civile të Ukrainës u dëmtua. Këto sulme frikacake tregojnë se Putini beson se mund të veprojë pa u ndëshkuar. Ai nuk e ka seriozisht paqen", ka thënë Starmer.
"Tani, më shumë se kurrë, duhet të qëndrojmë të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe sovranitetin e saj", ka shtuar ai.
Ministri i Jashtëm i vendit, Espen Barth Eide, ka dënuar sulmet e natës, duke thënë se "edhe një herë, civilët vuajnë".
"Sulmet nxjerrin në pah nevojën urgjente për një armëpushim", ka thënë ndërkohë ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.
Spanja i është shtuar vendeve që kanë dënu8ar sulmin, teksa ministri i Jashtëm José Manuel Albares ka shprehur solidaritetin e tij me familjet e të vrarëve dhe të plagosurve, si dhe qeverinë ukrainase dhe popullin e saj.
Zelensky e quan “të pamëshirshëm” sulmin e Rusisë mbi Kiev
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur “të pamëshirshëm” sulmin e Rusisë mbi Kiev të dielën, nga i cili është prekur për herë të parë edhe një ndërtesë qeveritare.
Zelensky ka shkruar në X se të paktën katër persona kanë mbetur të vdekur në të gjithë Ukrainën si pasojë e sulmit.
Të paktën 44 të tjerë janë plagosur, ka shtuar ai në një postim në X.
“Shërbimet e emergjencës ende po i përgjigjen pasojave të sulmit ajror "të pamëshirshëm" të Rusisë mbrëmë”, ka thënë Zelensky.
Rusia godet për herë të parë një ndërtesë qeveritare në Kiev
Një nga ndërtesat kryesore qeveritare të Kievit është goditur nga sulmet me dronë gjatë natës nga Rusia.
Është shumë e rrallë që raketat dhe dronët rusë të godasin pikërisht qendrën e qytetit, për shkak të përqendrimit të mbrojtjes ajrore në zonë, raporton BBC.
Diku tjetër në qytet, dy persona kanë mbetur të vdekur, përfshirë një foshnjë, teksa 16 të tjerë janë plagosur.
Disa ndërtesa banimi shumëkatëshe janë goditur dhe shkatërruar pjesërisht në sulme.
Rusia ka sulmuar gjithashtu Kryvyi Rih - qytetin e lindjes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky - duke goditur tri objekte infrastrukturore.