Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dy amerikanët e plagosur në Meksikë po trajtohen në spitalet e SHBA-së

Dy amerikanët e shpëtuar të cilët ishin kidnapuar në Matamoros të Meksikës javën e kaluar dhe ishin plagosur me armë zjarri, janë kthyer në SHBA dhe po trajtohen në spitale amerikane.

Dy shokët e tyre të cilët ishin bashkë me ta në udhëtim kanë mbetur të vrarë gjatë incidentit.

Ndërkohë, një burrë, i identifikuar vetëm si José "N", 24, nga Tamaulipas është arrestuar, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Latavia Washington McGee është duke u trajtuar në një spital pa lëndime të rënda, ndërkaq Eric Williams është në një spital në Texas, dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes për tri plagë në këmbë.

Shaeed Woodard dhe Zindell Brown kanë vdekur pasi një burrë i paidentifikuar kishte gjuajtur me armë zjarri derisa katër amerikanët po udhëtonin me veturën e tyre në Matamoros, një qytet me 500 mijë banorë, i cili ndodhet rreth kufirit me SHBA-në. E vrarë ka mbetur edhe një grua meksikane 33-vjeçare e cila ishte kalimtare e rastit.

Grupi prej katër amerikanësh ishin nisur nga Karolina Jugore dhe e kishin kapërcyer kufirin duke hyrë në Meksikë, sepse njëri prej tyre do t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.