Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dubai heq 30% taksën e alkoolit në përpjekje për të nxitur turizmin

Dubai ka hequr taksën 30 për qind të alkoolit në përpjekje për të nxitur turizmin, raportoi të hënën BBC-ja.

Këtij vendimi i është bashkëngjitur edhe ndalimi i tarifimit për licencat personale të alkoolit.

Ky qytet ka zbutur ligjet për disa kohë, duke lejuar shitjen e alkoolit edhe gjatë ditës në muajin e Ramazanit, lëvizje kjo që mendohet të jetë përpjekje për ta bërë qytetin më tërheqës për të huajt përballë konkurrencës nga fqinjët.

Dy kompanitë që shpërndajnë alkool në Dubai, Maritime and Mercantile International (MMI) dhe African & Eastern, thanë se do të reflektonin uljen e taksave për konsumatorët.

"Që kur filluam operacionet tona në Dubai mbi 100 vjet më parë, qasja e emiratit ka mbetur dinamike, e ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë. Këto rregullore të përditësuara së fundmi janë të rëndësishme për të vazhduar sigurimin e blerjes dhe konsumit të sigurt dhe të përgjegjshëm të pijeve alkoolike në Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, ka thënë për AP-në zëdhënësi i MMI-së, Tyrone Reid.

Nuk është e qartë nëse lëvizja, e cila hyri në fuqi të dielën, do të jetë e përhershme.

Edhe Tajlanda shtrëngon rregullat e vizave për turistët Botë Tajlanda shtrëngon rregullat e vizave për turistët

Dubai ka arritur historikisht të tërheqë më shumë turistë dhe punëtorë të huaj të pasur sesa fqinjët e tij, pjesërisht për shkak të tolerancës së tij ndaj një stili jetese më liberal.

Jomyslimanët në Dubai duhet të jenë të paktën 21 vjeç për të pirë alkool dhe të kenë licencë alkooli - kartë plastike të lëshuar nga policia.

Ndërsa baret dhe klubet e natës rrallë kërkojnë të shohin kartat, ata që konsumojnë alkool pa të mund të përballen me gjoba ose arrestim.