Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dritat e Kullës Eiffel do të fiken më herët për të kursyer energji

Parisi pritet të fikë dritat e Kullës Eiffel të martën një orë më herët se normalja, do të ulë temperaturën e ujit në pishinat komunale dhe do të vonojë ngrohjen e ndërtesave publike për të kursyer energji këtë dimër, ka thënë të martën kryebashkiakja e qytetit, Anne Hidalgo, shkroi Reuters.

Këto masa synojnë të përmbushin qëllimin e Presidentit Emmanuel Macron që industria, familjet dhe autoritetet komunale të reduktojnë konsumin e tyre të energjisë me 10 për qind në përgjigje të uljes së furnizimit me gaz nga Rusia dhe rritjes së çmimeve të energjisë.

Në të gjithë Evropën, vendet po kërkojnë mënyra për të ulur konsumin e energjisë dhe për të mbushur rezervat e tyre të gazit në përgatitje për një ndërprerje të mundshme të plotë.

Franca nuk është aq e ekspozuar ndaj gazit rus sa disa fqinjë, por një numër rekord i ndërprerjeve të reaktorit bërthamor e ka detyruar këtë vend të importojë energji kur ajo zakonisht do të ishte eksportues, duke përkeqësuar presionin në tregjet e energjisë.

“Franca do të jetë gjithmonë qyteti i dritës”, tha kryebashkiakja Hidalgo.

Kulla Eiffel aktualisht është e ndriçuar deri në orën 1 të mëngjesit nga një sistem ndriçimi që i jep asaj një shkëlqim të artë. Shuarja e dritave të monumentit në orën 23:45 do të nënkuptonte një ulje prej 4 për qind të konsumit të energjisë.

Hidalgo tha se nga 23 shtatori ndriçimi në ndërtesat publike të Parisit do të fiket në orën 22:00, ndërsa temperatura e ujit në pishina do të ulet në 25 Celsius nga 26 Celsius. Ngrohja në objektet publike do të ulet deri në 18 gradë Celsius.

Fatura e energjisë së kryeqytetit do të arrijë në 90 milionë euro këtë vit, 35 milionë më shumë se zakonisht.

Artikuj të ngjashëm