Botë

Doza të pakta dhe qendrat boshe të vaksinimit: Kokëdhembja e Gjermanisë për vaksinimin anti-COVID

Berlin/Dillenburg, 10 janar (Reuters) – Krenar për reputacionin e vendit të tyre për efektshmëri, gjermanët janë duke u frustruar me vaksinimin e ngadalshëm për COVID-19 me vaksinën që e kanë zbuluar shkencëtarët e tyre.

Doza të pakta të vaksinës, dokumente të vështira, mungesa e stafit të kujdesit mjekësor dhe një popullatë e moshuar dhe e palëvizshme po pengon përpjekjet për të dhënë dozat e hershme të vaksinës së prodhuar nga “Pfizeri” amerikan në bashkëpunim me partnerin gjerman “BioNTech”.

Gjermania ka ngritur me qindra qendra vaksinimi në salla sportive dhe në arena të koncerteve dhe ka infrastrukturë për të vaksinuar deri në 300 mijë persona në ditë, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Mirëpo, shumica e qendrave janë të zbrazëta, ku shumë shtete nuk planifikojnë të hapin qendrat deri në mesin e janarit, pasi prioritet e kanë dërgimin e ekipeve mjekësore në qendrat e kujdesit.

Një ditë e kaluar me skuadrën e vaksinimit në qytetin e vogël Dillenburg, rreth 100 kilometra në veri të Frankfurtit, tregon se sa e lodhshme është kjo detyrë.

Ekipi fillon duke ngarkuar frigoriferët me 84 doza të vaksinës së “Pfizerit” në furgonin e ambulancës që po pret, dhe nisen për në shtëpinë e kujdesit Elisabeth.

Aty takohen nga menaxheri Peter Bittermann, që është marrë më herët me format që duhen për vaksinim të banorëve dhe stafit dhe ka ofruar hapësirën e nevojshme për t’u dhënë vaksinat dhe po ashtu zonën ku do të monitorohen ata që marrin vaksinat.

Katër anëtarët e ekipit të imunizimit, plus dy praktikantë, kanë vetëm pak orë për të dhënë vaksinën e “Pfizerit”, të ndjeshme ndaj temperaturës, para se të bëhej e papërdorshme ajo.

Kryqi i Kuq i Gjermanisë ka nevojë për 350 persona shtesë për të udhëhequr një fushatë lokale të vaksinimit, thotë Nicole Frey, zëdhënëse e administratës lokale të qarkut.

“Ne kemi qenë në gjendje t’i rekrutojmë disa, por kurrë nuk mund të ketë mjaftueshëm”, ka thënë Frey për “Reuters TV”.

Gjermania ka ngecur prapa në vaksinim kundër COVID-19

Në dy javët e para të vaksinimit, Gjermania ka dhënë 533 mijë vaksina, pra vetëm dy të pestat e 1.3 milionë dozave sa i ka marrë. Për dallim, Britania e Madhe, i ka vaksinuar mbi dy milionë persona deri më tash.

Izraeli, lideri në botë sa i përket vaksinimit të popullatës kundër COVID-19, është duke vaksinuar nga 150 mijë persona në ditë, ku sistemi i tij universal dhe digjital i mundëson sistemit të kujdesit shëndetësor t’i bëjë më të lehtë terminët për vaksinim.

Madhësia e Gjermanisë dhe, po ashtu, përbërja nga shtetet federale e bëjnë këtë operacion më të komplikuar, probleme që po has edhe SHBA-ja.

Në vendet e tjera në Evropë, decentralizimi i operacionit të vaksinimit në Spanjë ka ekspozuar dallimet mes rajoneve dhe ka çuar te tensionet me Qeverinë qendrore.

16 shtetet gjermane janë duke e fajësuar Qeverinë federale se nuk ka siguruar mjaftueshëm doza. Mjekët në disa qendra thonë se ndërrimet janë anuluar. Në Berlin, një qendër e vaksinimit është hapur, por u mbyll gjatë Vitit të Ri për mungesë të vaksinave.

Spahn thotë se problemet me prodhim e jo porositë e vogla janë fajtore për këtë furnizim të limituar, pasi “Pfizer/BioNTech” në dhjetor kanë përgjysmuar parashikimin e tyre të prodhimit në 50 milionë doza deri në fund të vitit. Çdo person për t’u imunizuar duhet të marrë dy doza të vaksinës “Pfizer/BioNTech”.

Qeveria është duke punuar me “BioNTech-un” për të hapur një linjë tjetër prodhimi në qytetin perëndimor Marburg, ka thënë ai. Shefi ekzekutiv i “BioNTech-ut” ka thënë javën e kaluar se fabrika në Marburg mund të nisë funksionimin nga shkurti, para orarit të paraparë.

“Me kapacitetin që kem krijuar në Gjermani, jemi në gjendje të vaksinojmë 250 mijë deri 300 mijë persona në ditë – kur kemi doza të mjaftueshme”, ka thënë Spahn këtë javë.

Gjermania pritet të marrë 5.3 milionë doza të vaksinës “Pfizer/BioNTech” në mesin e shkurtit dhe dy milionë doza të tjera të vaksinës së “Modernas”, që sa është aprovuar nga Bashkimi Evropian, në fund të marsit.

Por, kjo nuk do të mjaftojë për të mbuluar as 5.7 milionë persona, apo 6.8 % të popullatës, të moshës mbi 80 vjet.

Frustrimi i mjekëve

Si në Spanjë, performanca nëpër shtete të ndryshme në Gjermani dallon. Në krye të listës është Mecklenburg-Vorpommern në veri, me 15.6 vaksinime për 1000 banorë, ndërsa Saksonia ka një mesatare prej 4.4.

Në Thuringia, kryeministri i shtetit Bodo Ramelow, të martën ka thënë se shumë doza që janë dërguar në spital janë kthyer.

Në Saksoni, ministri i Punëve Sociale ka folur për sfida të shumta, si me dokumentacione, ashtu edhe me anulime të vaksinimit në momente të fundit.

Për dallim nga Dillenburgu, Saksonia është vërshuar nga njerëzit që kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar procesin e vaksinimit, ka thënë Lars Werthmann, shef i logjistikës rajonale në Kryqin e Kuq të Gjermanisë.

“Detyra e radhës është të koordinohen të gjithë këta njerëz”, ka thënë Werthmann.

Mjekët ndërkohë kanë shprehur frustrimin me sistemin e terminëve, që dallon nga shteti në shtet, duke thënë se po shkakton konfuzitet.

Për ta shpejtuar vaksinimin, Gjermania planifikon të japë vaksina nëpërmjet rrjetit të mjekëve familjarë, në momentin kur të ketë një vaksinë që lehtësisht mund të mbahet në një frigorifer, ka thënë pediatri nga Berlini, Burkhard Ruppert.

Gjermania planifikon që ta bëjë të mundur vaksinimin në ordinancat e mjekëve në fazën e dytë.

“Ne jemi në garë kundër virusit. Ne do të fitojmë këtë garë vetëm nëse vaksinojmë sa më tepër persona dhe sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Ruppert.