Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Donald Tusk viziton Francën e Gjermaninë në përpjekje për t’i forcuar marrëdhëniet

Kryeministri polak, Donald Tusk, u zotua të “rigjallërojë” marrëdhëniet e vendit të tij me partnerët kryesorë evropianë gjatë një udhëtimi në Paris dhe Berlin të hënën, teksa frika se ish-presidenti Donald Trump mund të kthehet në pushtet në Shtetet e Bashkuara po rritet.

Takimet e së hënës u bënë pasi Trump tronditi Evropën gjatë fundjavës me deklaratën e tij ku tha se do të ftojë Rusinë të pushtojë çdo anëtar të NATO-s që nuk paguan mjaftueshëm për mbrojtje. Macron e ka vlerësuar “rolin kyç” të Francës dhe Polonisë në sigurinë dhe mbrojtjen në Evropë në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Vullneti i Evropës “për të furnizuar më tej dhe për t’i përmbushur nevojat e Ukrainës është thelbësor”, ka theksuar ai, pasi udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian nënshkruan një marrëveshje në fillim të këtij muaji për t'i dhënë Ukrainës 50 miliardë euro në mbështetje për ekonominë e saj të shkatërruar nga lufta.