Palestinezi Bilal Saleh u qëllua në gjoks nga një kolon izraelit teksa po vilte ullinj në Al-Sawiya, në Bregun e pushtuar Perëndimor
(Al Jazeera) – Ishte mëngjesi i së shtunës dhe 40-vjeçari Bilal Mohammad Saleh po vilte ullinj në parcelën e vogël të tokës që kishte trashëguar nga babai i tij në fshatin Al-Sawiya, 18 kilometra në jug të Nablusit.
Si zakonisht gjatë sezonit të ullirit palestinez, shumica e familjes po e ndihmonte Bilalin. Gruaja dhe katër fëmijët e tij, vëllezërit e motrat dhe disa anëtarë të tjerë të familjes ishin aty kur ai u qëllua në gjoks nga një kolon izraelit.
“Bilali ishte një njeri i varfër, punëtor i tokës”, tha xhaxhai i tij, Yasir Shaheen. Ai ka vuajtur gjatë gjithë jetës së tij, që kur mbeti jetim në moshë të re”.
Ai ishte me Bilalin dhe të afërmit e tjerë të shtunën në mëngjes kur, shpjegoi ai, ushtria izraelite i tha familjes se kishin tre minuta kohë për të ikur nga vendi i tyre.
“Ushtarët e dinin se kolonët do të na sulmonin dhe nuk i ndaluan ata”, shtoi ai.
Edhe
Bujk në kohë lufte
Al-Sawiya dhe 3500 njerëzit e saj janë të rrethuar nga vendbanimet e paligjshme izraelite që kanë rënduar jetën e përditshme të fshatarëve. Fshatarët zotërojnë 1200 hektarë tokë, por ata mund të ndërtojnë ose të punojnë vetëm në një hapësirë prej 60 hektarësh tokë. Pjesa tjetër kontrollohet nga Izraeli.
“Gjithçka duhet të rishikohet dhe të marrë miratimin e Izraelit, nga vjelja e ullinjve në tokat tona, te ndërtimet dhe çështje të tjera të jetës”, shpjegoi Nihad Arar, kreu i këshillit të fshatit.
Kolonët në vendbanimet ilegale sulmojnë dhe kërcënojnë fshatarët “gjatë gjithë vitit”, tha ai. “[Ata] i presin pemët tona, djegin fermat tona, vjedhin ullinjtë tanë dhe dihet se sulmojnë palestinezët brenda shtëpive të tyre dhe në pronën e tyre”.
Shitësi i preferuar
Bilali ishte një fytyrë e njohur në qendër të qytetit Ramallah, ku shkonte çdo ditë për t’i shitur barishtet dhe bimët e egra që i mblidhte nga kodrat pranë fshatit të tij.
Ai e kishte lënë shkollën e mesme dhe ishte bërë tjegullar, si i vëllai, derisa filloi të dilte nëpër kodra për të mbledhur barishte të egra për t’i shitur.
Ai shiste sherbele, shqeme dhe trumzë, si dhe fiq e fruta të kaktuseve kur ishte sezoni e tyre. Dhe, sigurisht, ai vilte ullinj gjatë vjeshtës.
Hazem Shaheen, kunati i Bilalit, tha se kolonët nga Rahalimi kishin sulmuar familjen edhe më parë ndërkohë që po vilnin ullinj.
“Ata na vidhnin shkallët dhe ullinjtë tanë, të gjitha nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite që qëndron vetëm duke vëzhguar”, shtoi ai.
“Ata i inkurajojnë kolonët të na sulmojnë. Ne mezi mund të punojmë në tokën tonë dhe duhet ta bëjmë atë në fshehtësi. Çdo vit na sulmojnë”.
Edhe
Dhjetëra izraelitë të maskuar rrahin me shkopinj një të moshuar e të shurdhër palestinez
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj kërkesës së “Al Jazeeras” për koment deri në kohën e publikimit të shkrimit.
Sipas raportimeve të së hënës, të agjencive izraelite të lajmeve, sulmuesi i Bilalit ishte një ushtar jashtë detyrës dhe policia ushtarake izraelite i kishte ofruar sërish pozitën.
Të shtunën në mëngjes, shpjegoi Hazemi, ai pa katër kolonë të veshur me veshje fetare, të cilët u ngjitën deri në vendin ku Bilali po mblidhte ullinj me familjen e tij.
Yasir tha se ai “u tha Bilalit dhe familjes së tij të largoheshin dhe të afroheshin më pranë nesh që të mund të ishim bashkë”.
Kolonët filluan të na afroheshin, duke bërtitur dhe sharë, dhe nga një distancë prej 100 metrash, njëri prej tyre qëlloi me një plumb të vetëm, tha ai.
Plumbi e goditi Bilalin në gjoks. Ai ra në tokë nga shkallët.
Hazemi shpjegon se si ata “lanë pas gjithçka dhe vrapuan me Bilalin e plagosur nëpër mal për në rrugën kryesore”.
“E hipëm në një makinë private dhe e çuam në spitalin Salfit, 15 kilometra larg”, tha Yasir. “Por fatkeqësisht, Bilali u shpall i vdekur pas mbërritjes”.
Hazemi tha se gruaja dhe fëmijët e Bilalit, më i vogli prej të cilëve është 9 vjeç, “janë të tmerruar dhe nuk kanë reshtur së qari”.
Edhe
Kamerat tregojnë qartë sulmet e kolonëve izraelitë - Policia arreston vetëm palestinezët
Gruaja e tij, Ikhlas, është ende e tronditur. “Ai thjesht donte të më mbronte mua dhe fëmijët. Ne ishim të frikësuar kur kolonët na u afruan shumë dhe ai shkoi të përballej me ta. Askush prej nesh nuk e priste që ta qëllonin ashtu”.
Përktheu: Forca Jashari
