Botë

Bujk në kohë lufte

Që nga fillimi i ofensivës izraelite më 7 tetor, fermerët palestinezë nuk kanë qenë në gjendje të kenë qasje në tokën bujqësore dhe të vjelat e tyre. Në Rripin e Gazës, sfidat vijnë nga ushtria izraelite, e cila ose synon dhe bombardon tokën bujqësore gjatë kohës së luftës ose e spërkat atë me pesticide, duke tharë të vjelat e ullirit dhe duke e bërë tokën të papërshtatshme për bujqësi. Shumë fermerë i janë dorëzuar realitetit se ky sezon vjeljeje ka mbaruar, duke thënë se edhe shtëpitë, edhe tokat e tyre janë dëmtuar

Samaher Abu Jameh është zemëruar. Nëna e dy fëmijëve ka punuar si bujke me prindërit e saj që nga fëmijëria në qytetin Abasan al-Kabira në Gazën jugore, afër kufirit me Izraelin. “Toka ime është plot me ullinj, serra të mbjella me domate dhe bagëti”, thotë ajo.

Ajo nuk mund të kujdeset më për ato pemë apo domate: 40-vjeçarja u zhvendos me familjen e saj për shkak të bombardimeve, pothuajse të vazhdueshme izraelite, dhe jeton në një shkollë të drejtuar nga Kombet e Bashkuara në qendër të Khan Younisit.

“Unë nuk e kam idenë se në çfarë gjendje janë. Unë thjesht dua të shkoj në tokën time për të parë se çfarë ka ndodhur me të”, shton ajo.

Kjo ndjenjë është bërë jehonë nga bujqit në të gjithë Gazën.

Muajt tetor dhe nëntor, kur vjelën ullinjtë, kanë një rëndësi të veçantë për palestinezët, të cilët e konsiderojnë vjeljen si festë kombëtare që shpreh marrëdhënien dhe lidhjen e tyre me tokën.

Bujqit mbledhin ullinjtë me familjet dhe miqtë e tyre të gjerë. Këngët popullore krijojnë atmosferë festive. Ushqimi gatuhet dhe hahet nën pemë. Më pas ullinjtë shtypen për të nxjerrë vajin e ullirit, cilësia e të cilit varet nga klima dhe toka.

Por me luftën e fundit të Izraelit në Gaza, e cila filloi më 7 tetor pas sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor, bujqit janë detyruar të largohen nga tokat dhe shtëpitë e tyre dhe rreziqet gjithnjë e më të pranishme me të cilat ata tashmë janë përballur për shkak të afërsisë së tyre me kufirin me Izraelin, janë shumëfishuar në mënyrë dramatike.

Samaher thotë se disa fermerë u përpoqën të ktheheshin në tokat e tyre, por u vunë në shënjestër të avionëve luftarakë izraelitë.

“Ne po përjetojmë vuajtje të mëdha si fermerë, sepse këto luftëra na kushtojnë shumë”, shprehet ajo. “Ne nuk kishim kohë të merrnim frymë nga lufta e vitit 2021, dhe tjetra filloi”.

Image
Nisreen Abu Daqqa vitin e kaluar, duke u kujdesur për të mbjellat e saj në Khuza’a të Khan Younisit

Rreziku i të qenit bujk

Edhe para luftës, sezoni i vjeljes së ullinjve ishte dëmtuar nga dhuna e shprehur. Në Bregun e pushtuar Perëndimor, kolonët izraelitë janë dokumentuar duke sulmuar palestinezët në tokat e tyre, duke vjedhur ullinjtë e tyre dhe duke u vënë zjarrin pemëve të tyre. Bilal Saleh, bujk palestinez, u qëllua për vdekje nga një kolon në tetor teksa po vilte të korrat e tij pranë Nablusit.

Në Rripin e Gazës, sfidat vijnë nga ushtria izraelite, e cila ose synon dhe bombardon tokën bujqësore gjatë kohës së luftës ose e spërkat atë me pesticide, duke tharë të vjelat dhe duke e bërë tokën të papërshtatshme për bujqësi.

Pranë qytetit jugor të Khan Younisit, tokat bujqësore arrijnë një sipërfaqe prej më shumë se 4 mijë hektarësh dhe shtrihen në lindje, rreth qyteteve pranë gardhit kufitar izraelit: Khuza’a, Abasan al-Kabira, Abasan al-Jadida dhe Bani Suhaila. Sipas Ministrisë së Bujqësisë në Rripin e Gazës, ka rreth 7 mijë ferma në provincën Khan Younis.

Ahmed Abu Rjeila, 40 vjeç, është mësuar t’u shmanget plumbave. “Unë shkoja në tokën time në Abasan al-Jadida me tre vëllezërit e mi, pavarësisht rreziqeve me të cilat përballeshim çdo ditë nga pushtimi izraelit, të cilët na qëllonin për t’u larguar”, thotë ai.

Tani, rreziku është shumë i lartë – edhe pse perspektiva e humbjes së të vjelave e shqetëson atë. Ai dhe familja e tij u zhvendosën nga shtëpia e tyre në fillim të luftës dhe kanë qëndruar në një nga shkollat e OKB-së në Khan Younis.

“Unë kam qindra pemë ulliri, dhe familja e miqtë e mi supozohej t’i mblidhnin dhe t’i shisnin në treg ose t’i shtypnin në makineritë e përpunimit të ullirit”, thotë ai. Ai ka edhe kultura sezonale në serra. “Kam shpenzuar mijëra sikla për këtë sezon dhe nuk do të ketë kthim në investimin tim nëse kjo luftë vazhdon dhe qasja ime në tokën time më mohohet”.

Humbja e të vjelave

Sipas Ministrisë së Bujqësisë në Gaza, bombardimet e vazhdueshme në lindje të Khan Younisit kanë rezultuar me vdekjen e afro 20 bujqve dhe plagosjen e të tjerëve.

Gjatë javës së kaluar, ushtria izraelite nisi sulmin me tanke drejt tokave bujqësore në lindje të qytetit al-Fukhari, ku bujqit po përpiqeshin t’i mblidhnin të vjelat e tyre dhe t’i shisnin ato në tregje.

Ahmed Qudeih, 37 vjeç, është nga qyteti i Khuza’a dhe zotëron 0.6 hektarë tokë. Ai thotë se të gjithë bujqit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe tani po qëndrojnë në zona të ndryshme të qendrës së qytetit Khan Younis.

“Ne jemi zemërthyer për të vjelat tona, për të cilat nuk mund të kujdesemi”, thotë ai. “Ne nuk mund ta ujitim, ta shohim tokën tonë apo të kujdesemi për të. Pas çdo lufte shkatërruese, ne paguajmë mijëra sikla për të siguruar cilësinë e të vjelave dhe të korrave tona dhe për ta bërë tokën tonë të përshtatshme përsëri për bujqësi”.

Të qenët bujk në një ditë normale në Gazë mund të shndërrohet në një kërcënim për jetën, thotë ai, duke shtuar se forcat izraelite janë bërë “kreative në shkatërrimin e bizneseve të fermerëve” duke shkaktuar humbje njerëzore, materiale dhe ekonomike.

“Gjatë viteve të fundit, toka që unë kultivoj u është nënshtruar llojeve të ndryshme të shkeljeve nga ushtarët izraelitë”, shprehet ai. “Jam ekspozuar disa herë ndaj të shtënave me armë. Ushtria gjithashtu ka shkatërruar tokën dhe ka spërkatur të korrat me pesticide për t’i shkatërruar ato”.

“Kjo më shkaktoi humbje të mëdha financiare, por pas çdo raundi shkatërrimi, kthehem për të përgatitur përsëri tokën për kultivim”.

Image
Të rinjtë palestinezë marrin pjesë në ceremoninë e fillimit të sezonit të vjeljes së ullinjve në Deir al-Balah në tetor të 2022-tës

Sezoni i prodhimit të vajit të ullirit

Vitin e kaluar, Ministria e Bujqësisë përcaktoi se sipërfaqja e tokës së mbjellë me ullinj në Rripin e Gazës ishte rreth 4.400 hektarë dhe vlerësoi se mund të prodhoheshin rreth 35 mijë tonë ullinj.

Një pjesë e vogël, rreth 9 për qind (9 mijë deri në 10 mijë tonë), shfrytëzohet për nevoja vetjake të fermerëve ose në fabrika, dhe pjesa më e madhe për përpunim në fabrikat e ullirit për ta shndërruar atë në vaj. Janë rreth 40 fabrika për nxjerrjen e vajit të ullirit, nga të cilat 32 janë të pajisura me pajisje moderne automatike, gjashtë janë gjysmautomatike dhe dy funksionojnë manualisht në mullinj të vjetër guri.

Fayyad Fayyad, udhëheqësi i Këshillit Palestinez të Ullirit, thotë se sezoni mesatar vjetor i prodhimit të ullirit në Palestinë vlerësohet në 100 mijë tonë, duke nxjerrë kështu deri në 20 mijë tonë vaj ulliri.

“Stina e ullirit këtë vit mban emrin ‘sheltoni’, që do të thotë se prodhimi i ullirit është i paktë dhe jo i bollshëm”, thotë ai. “Kur jemi te ullinjtë është e zakonshme që një vit të jetë me prodhim të bollshëm dhe viti pasardhës me një prodhim më të ulët”.

“Vitin e kaluar, sezoni ishte i bollshëm dhe dëshmoi prodhimin e 36 mijë tonëve në Rripin e Gazës. Po të mos kishte qenë lufta, ky sezon do të kishte prodhuar 10 mijë tonë ullinj, ose ekuivalentin e 2 mijë tonëve vaj ulliri”.

Shumë bujq i janë dorëzuar realitetit se ky sezon vjeljeje ka mbaruar, duke thënë se edhe shtëpitë edhe tokat e tyre janë dëmtuar.

Prapëseprapë, ata e kanë të qartë se do të duhet t’i rigjenerojnë tokat e tyre pas çdo lufte, madje edhe aktuales, e cila deri më tani ka lënë të vdekur më shumë se 10 mijë palestinezë.

“Zemrat tona digjen mbi tokat tona”, thotë Nisreen Ebu Daqqa nga Khuza’a. “Ne presim gjatë gjithë vitit sezonin e ullirit, që është stina më e bukur, por izraelitët i kanë djegur qëllimisht pemët tona duke përdorur raketat e tyre dhe predhat e tankeve”.

Përktheu: Forca Jashari