Botë

“Djali i keq” rus që lufton kundër Putinit

Denis Kapustin

Denis Kapustin udhëheq Trupat Vullnetare Ruse (RVC)

Gjermania e ka përshkruar Denis Kapustinin si një neonazist të lartë dhe roli i tij në luftë është thikë me dy tehe për Kievin

“Ne jemi djemtë e këqij, por jemi duke luftuar me djem edhe më të këqij”, thotë Denis Kapustini.

Për tash Ukraina është e gatshme ta pranojë këtë formë të djalit të keq. Si militant rus që këtë vit dhe vitin e kaluar ka udhëhequr sulmet paramilitare në territorin rus nga territori ukrainas, Kievi konsideron se Kapustini ka rol për ta luajtur si aleat kundër presidentit rus Vladimir Putin.

Por, ka rreziqe që vijnë nëse e mban shumë afër. Autoritetet gjermane thonë se Kapustini – ndonjëherë i njohur si Denis Nikitin – është “një nga aktivistët neo-nazistë më me ndikim” në kontinentin evropian dhe kjo është si dhuratë “për propagandistët rusë”, të cilët janë duke u përpjekur ta paraqesin pushtimin e Ukrainës si përpjekje për ta “denazifikuar” Kievin.

“Mendo për ‘të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën’”, shton Kapustini, i cili udhëheq Trupat Vullnetare Ruse (RVC), një nga tri milicitë më të mëdha anti-Kremlin që luftojnë krahas Ukrainës. “Më herët, në filmat me kauboj ka pasur djem të mirë dhe djem të këqij të veshur me të zeza, dhe pastaj na vjen Clint Eastwoodi, i veshur me të zeza dhe duke luftuar për të mirën”, thotë ai.

Kapustini me të vërtetë ishte i veshur me të zeza në diskutimet e tij me “Politicon” në një hotel të Kievit – dhe këto rroba nuk kanë ndonjë logo të neonazistëve. Kjo përkundër faktit se ai drejton një linjë veshjesh të bluzave dhe kapuçave me imazhe të bardha nacionaliste dhe ksenofobe dhe gjithashtu edhe me simbolin e nazistëve 88 – shkronja e tetë e alfabetit e përdorur si kod për “Heil Hitler”.

“Unë eci në një vijë të hollë”, thotë Kapustini, duke kundërshtuar etiketën neonaziste dhe duke vënë në dukje, pothuajse në mënyrë ngacmuese, se ai nuk vendos simbole në asnjë nga bluzat që shet, sikur kjo të dëshmonte diçka.

Media shtetërore ruse kënaqet duke e treguar origjinën e Kapustinit, si huligan futbolli i ekstremit të djathtë, pasi kjo forcon pretekstin për luftë.

Sidoqoftë, përpjekja e vazhdueshme e Moskës për ta paraqitur luftën si ripërsëritje të Luftës së Dytë Botërore kundër nazizmit, në realitet duket e kotë. Presidenti i Ukrainës jo vetëm që është hebre, por partitë ekstreme të djathta kanë mbështetje pothuajse të papërfillshme në politikën përfaqësuese kombëtare.

Dhe sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, këmbëngulja e Moskës se forcat e Ukrainës janë naziste, e anashkalon faktin që grupet e betuara neonaziste janë duke luftuar për Rusinë gjithashtu. Këtu përfshihet milicia famëkeqe “Rusich”, e cila krenarisht shfaq simbole naziste, mbron ideologjinë raciste dhe është e akuzuar për mizori në fushëbetejën e Ukrainës dhe Sirisë, dhe Lëvizja Perandorake Ruse, e cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2022, shërbimi i inteligjencës i Gjermanisë, BND, ka thënë se ushtria ruse ka mirëpritur grupe neonaziste në radhët e saj, duke e quajtur absurde “arsyen se po luftohet për denazifikim të Ukrainës”.

Sidoqoftë, asnjëra nga këto nuk i ndalon rusët që të injorojnë nazistët në radhët e veta dhe të fokusohen në Kapustinin, i cili përdor nofkën “Ëhite Rex”, sikur linja e veshjeve të tij.

Trupat vullnetare ruse të Kapustinit dhe dy grupe paramilitare anti-Putin me bazë në Ukrainë – legjioni Liria e Rusisë dhe formacioni më i ri, Batalioni i Siberisë – janë në vëmendje sërish pasi nisën sulmet më të mëdha afër Kurskit dhe Belgorodit më 12 mars, duke qëndruar në tokën ruse dhe duke luftuar për më shumë se dy javë. Para kësaj, sulmi më i madh i tyre ka qenë në maj të vitit 2023, kur kanë bastisur fshatra dhe qytete në rajonin e Belgorodit.

Alexei Baranovsky i Liria e Rusisë ka pretenduar në një konferencë shtypi ditë më parë se sulmi i fundit “ia ka prishur planet ushtrisë ruse dhe u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme”.

Statusi i turbullt i milicive

Statusi i këtyre grupeve të milicive në raport me forcat e armatosura të Ukrainës është i turbullt.

Baranovsky pretendon se grupi i tij është “njësi e zakonshme” e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

“Kur jemi në territorin e Ukrainës – jemi ushtarë të ushtrisë së Ukrainës, me të drejta dhe detyra të barabarta me të gjithë ushtarët e tjerë të Ukrainës. Kur kalojmë në territorin e Rusisë – nuk jemi më ushtarë të Ukrainës, jemi qytetarë rusë që kanë kapur armët”, ka thënë ai.

Disa prej ushtarëve të zakonshëm ukrainas nuk u pëlqen lidhja mes milicive (sidomos RVC-së) dhe inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HUR), duke argumentuar se kjo i ofron material propagandës ruse.

“Dhe për çfarë?” ka pyetur një zyrtar nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, por që flet në kushte anonimiteti për t’u shprehur lirshëm. “Këto milici janë pjesë anësore. Ata nuk mund të ndikojnë në dinamikën e luftës. Ndoshta ata shkaktojnë dëme përtej vijës së frontit, gjë që është e turpshme për Kremlinin, por kjo nuk i tejkalon disavantazhet e përgjithshme propaganduese që vinë prej përdorimit të tyre”, ka shtuar zyrtari.

Gjithçka është nismë e Kyrylo Budanovit që qëndron në krye të HUR-së. Teksa ndodhnin sulmet përtej kufirit muajin e kaluar, Budanovi pati lavdëruar paramilitarët rusë si “ushtarë të zotë” në lajmet kombëtare.

“Ata kanë qenë duke na ndihmuar që nga dita e parë... Ata kanë luftuar në shumë pika kryesore të Ukrainës. Ne do të përpiqemi t’u ndihmojmë sa më shumë që të jetë e mundur”, pati thënë ai.

Mënyra si e sheh HUR-ja këtë është: armiku i armikut të tyre është miku ynë. “Padyshim që Ukraina duhet të ndihmojë rusët që janë duke luftuar kundër regjimit të Putinit për ta ç0liruar Rusinë”, ka deklaruar zëdhënësi i HUR-së, Andriy Yusovit. Ai ka shtuar se milicitë nuk veprojnë në Rusi me urdhra të drejtpërdrejta nga Kievi dhe se veprat e tyre vetëm tregojnë se “Kremlini sërish nuk është nën kontroll të situatës në Rusi”.

Ndoshta, por kjo varet se si përcaktohet shprehja “nën urdhra”.

Kapustini thotë se milicitë kanë liri të të vepruarit sapo të kalojnë kufirin, por se sulmet janë të koordinuara me HUR-në, e cila ofron asistencë logjistike, verifikon planet operative, armët dhe i paguan ata. Të tri milicitë janë zyrtarisht pjesë e forcave të armatosura ukrainase, të rekrutuar në Legjionin Ndërkombëtar, thotë Kapustini.

“Ne jemi pjesë zyrtare e ushtrisë ukrainase, por kemi ambicie serioze politike dhe agjendë politike – ta heqim qafe Putinin”, shton ai.

Nga fushat e futbollit në fushëbetejë

Kapustini 40-vjeçar është lindur në Moskë. Ai është larguar me prindërit e tij në moshën 17-vjeçare për në Koeln, Gjermani, ku ai shpejt ka fituar reputacionin e frikshëm si neonazist, gjithmonë i gatshëm për t’u përplasur me të gjithë, veçanërisht me aktivistët e Antifas. Ai ka treguar se ka nuk qenë i lumtur me largimin nga Moska, se e ka marrë malli për shoqërinë e tij dhe se ndihej i shkëputur.

Ai ka qenë prej kohësh i shquar në skenën e huliganizmit të futbollit evropian – duke marrë pjesë në trazirat e Evropianit 2016 në qytetin francez Marseille. Pasi shkoi në Kiev, Gjermania ia anuloi leje qëndrimin në vitin 2019 dhe i vendosi ndalim të hyrjes në zonën Shengen.

Ai ka lidhje me grupet neonaziste amerikane dhe në vitin 2021 ka mbajtur një podcast me Robert Rundon, themelues i lëvizjes “Rise Above”, e cila ka marrë pjesë në mitingun e supremacizmit të bardhë në Charlottesville.

Gjithsesi, Kapustini ngurron të vetëquhet neonazist, edhe pse nuk është i sigurt se çka është. Atij i pëlqen të bisedojë me gazetarët perëndimorë, duke e parë se sa në siklet ndihen shumë prej tyre duke e intervistuar, i ndarë mes mosmiratimit të ideologjisë së tij të ekstremit të djathtë, historisë huligane dhe simpatisë së tyre për Ukrainën.“A do të përpiqesh të qëndrosh i paanshëm?”, pyet ai. “Është pozicion shumë qesharak për ty dhe kolegët e tu, duke e ditur se jeni përpjekur shumë për të na vendosur në pozitë të keqe për vite të tëra. Neo-nazistë, racistë, supremacistë të bardhë, djem të këqij, blah, blah, blah. Dhe pastaj arriti koha më e errët në historinë e Ukrainës moderne. Dhe papritmas djemtë përjetësisht të këqij dolën të ishin të guximshëm, trima, të vendosur, kokëfortë dhe heronj. Dhe ata mbesin duke pyetur, ‘dreqin, çfarë të shkruaj për ta?’”.

Kapustini e shijon plotësisht famën e tij.

“Gjatë tërë jetës sime kam pasur gjithmonë dëshirë të jem djalë i keq në stilin e Hollywoodit. Inspirimi im më i madh është Darth Vader. Në moshën 7-vjeçare, kam shikuar Star Warsin, dhe mendova: ‘Uau ky burri qenka shumë interesant’”, thotë ai.

Pra, nëse nuk është neonazist, çfarë është ai?

“Patjetër konservator, patjetër tradicional, patjetër me krahun e djathtë”, thotë ai. “Është më e lehtë për mua të them çka urrej ose kundërshtoj në botën moderne sesa të flas për pikëpamjet e mia personale politike”, shton ai. “E konsideroj veten pjesë të madhe të lëvizjes së krahut të djathtë. Por, kur flasim për lëvizjen e krahut të djathtë, çfarë kuptimi ka kjo? A do të thoshte kjo që unë të inatosem duke rrahur emigrantët ose gjëra të tilla? Jo, jam njeri i rritur. Dhe nëse kam pasur një kohë kur kam rrahur emigrantët në rrugë kur kam qenë i ri, kjo kohë ka kaluar moti. Ne kemi menduar se emigrantët janë armiku. Ky nuk është problemi. Problemi është qeveria e Putinit”, shton ai.

Mbi të gjitha, ai thotë, se është nacionalist rus, prandaj lufton për Ukrainën sepse nacionalistët rusë duhet të jenë kundër Putinit.

“Të jesh patriot, të jesh nacionalist, normalisht nënkupton të dëshirosh më të mirën për njerëzit e tu, për fëmijët e tu, për vendin tënd. Por e di me siguri që Putini është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte Rusisë. Prandaj burrat e mi, ish-shokët e mi, të cilët janë duke luftuar për të dhe e konsiderojnë veten nacionalistë, ata janë armiku më i keq për mua. Ata më konsiderojnë mua tradhtar. Unë i konsideroj ata tradhtarë”, shpjegon ai.

Për Kapustinin, regjimi i Putinit nuk është nacionalist sa duhet. Ai ankohet: “Mund të kesh Federatën e Futbollit të Francës në Rusi... Por nuk mund të kesh kurrë një të tillë ruse. Sa herë thua, se dëshiron të hapësh një klub kombëtar rus për diçka, të thonë: ‘Gjyshi yt ka luftuar kundër nazistëve dhe tani t’i je një neo-nazist!”

Në një udhëtim në Afrikën Jugore, Kapustini pretendon se e ka gjetur se njerëzit mendojnë që jeta ishte më e mirë nën aparteid, edhe pse e pranon se nuk u kishte folur me zezakët e Afrikës së Jugut.

“Udhëtimi im në Afrikën Jugore ka qenë shumë domethënës për mua, sepse e kam kuptuar se çfarë ishte dikur dhe çfarë është tani, kjo prishje, dhe padyshim që është shumë keq ta shohësh atë”. Ai e pranon: “Nuk kam folur me zezakët. Po tregohem i hapur. Vetëm jam duke treguar se si ishte”.

Kapustini ka themeluar RVC-në me vetëm pesë anëtarë. Sikurse komandantët e dy milicive të tjera të bazuara në Ukrainë, legjioni “Liria e Rusisë” dhe Batalioni Siberian, ai nuk do të tregojë se sa luftëtarë ka tani, edhe pse muajin e kaluar Rusia ka thënë se më shumë se 2 mijë luftëtarë kanë qenë të përfshirë në sulmet e Kurskit dhe Belgorodit.

“Ne jemi pjesë zyrtare e ushtrisë ukrainase, por kemi ambicie politike dhe agjendë politike serioze – për të marshuar deri në Moskë dhe të shkatërrojmë regjimin e Putinit. Kjo sigurisht që është gjithashtu në interesat e Ukrainës”, thotë Kapustini.

 Ai nuk e shpjegon sistemin e qeverisë që dëshiron ta shohë në Rusi.

“Tani jemi patjetër forcë e konsiderueshme, në posedim të armëve dhe automjeteve tona, në posedim të mortajave tona, armëve të rënda dhe artilerisë. RVC nuk është më bandë. Është regjiment. Ne kemi baza. Ne kemi sistemin tonë të rekrutimit”, thotë Kapustini.

Bërthama origjinale e RVC-së përbëhej nga rusë që tashmë ishin duke jetuar në Ukrainë para se Putini ta niste pushtimin e plotë në shkurt të vitit 2022.

Kapustini thotë se shumica e rekrutëve tani, janë rusë që udhëtojnë nga Gjeorgjia për t’u regjistruar.

“Ata nuk janë dezertorë të ushtrisë ruse”, thotë ai.

Ai thotë se tri milicitë kanë qëndrime të ndryshme politike.

“Dhe për shkak të kësaj kemi qasje të ndryshme sa i përket rekrutimit dhe sa i përket udhëheqjes së njësive tona. Ne kemi leksione për ideologjinë në trupat e mi, jo vetëm për ushtri, jo vetëm për edukimin fizik, sepse nga këndvështrimi im ideologjia është diçka që forcon një njësi”, thotë ai.

“Njëri nga kolegët e tu është përpjekur të më zërë keq dhe së fundmi më ka pyetur nëse do të rekrutoja një zezak, homoseksual ose transgjinor, që dëshiron t’u bashkëngjitej trupave. Dhe i thashë: ‘Jo, sepse ai nuk do të ndihej rehat në mesin tonë dhe as ne nuk do ndiheshim rehat me të’”.

Përgatiti: Latra Gashi