Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Disa shtete shkelin të drejtat e njeriut me orë policore në kohën e pandemisë

Orë policore në Kenia. Foto: Reuters

Derisa kudo në botë janë zbatuar masat e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të orës policore, në disa shtete policive u janë dhënë autorizime për kontrollimin drastik të sjelljes së qytetarëve.

E disa prej këtyre mënyrave po konsiderohen edhe më ekstreme sesa ato që normalisht zbatohen në një shtet autoritar, raporton KOHA.

Policia në Keni u detyrua të shprehte keqardhje, pasi që një djalosh 13-vjeçar u qëllua për vdekje në ballkonin e tij në Nairobi, teksa policia po patrullonte përgjatë lagjes për mbikëqyrjen e orës policore.

Rasti ka nxitur zemërim, teksa ka shqetësime se forcat policore në të gjithë botën po përdorin ndëshkime të ashpra për ta siguruar zbatimin e masës së karantinës mes grupeve më të varfra dhe më të cenuara.

Në Filipine policia raportohet se po i fut në kafaze të qenve të gjithë ata që e shkelin orën policore, derisa u raportua edhe për të dënuar që u detyruan të qëndronin nën diellin përvëlues të mesditës si ndëshkim.

Ekziston edhe droja se disa qeveri po e shfrytëzojnë pandeminë për t’i zgjeruar kompetencat përmes miratimit të ligjeve, që i shuajnë zërat kritikë.