Të paktën 20 qendra të mobilizimit rus u dogjën nga persona ende të panjohur, raportoi mediumi britanik “Skynews” të hënën.
Sipas njoftimit, një oficer rekrutimi u qëllua për vdekje në qendrën ruse në Irkutsk, të rajonit siberian, derisa raportohet se mobilizimi rus po vazhdon edhe nëpër qendra të tjera.
Në mediat perëndimore janë publikuar pamje ku shihet një person që hedh koktej molotivi në drejtim të një qendre rekrutuese.
Zyrtarët rusë konfirmuan se një ndërtesë u dogj nga zjarri të hënën, derisa i dyshuari është arrestuar. Dëmet u raportua të jenë minimale.
Për të kundërshtuar përfshirjen në luftë, rusët kanë organizuar protesta në mbarë Rusinë tash e afro një javë.
Mijëra protestues janë arrestuar, derisa autoritetet ruse kanë marrë vendim që të arrestuarit t'i nisin në frontet e luftës ndaj Ukrainës.
Fotografi emocionale janë publikuar nga “Skynews”, ku civilët rusë i lanë familjet, për t'u nisur në Ukrainë.
Po ashtu, shumë rusë kanë zgjedhur të largohen nga vendi.