Më shumë se 200 njerëz janë vrarë në dhunën nga bandat në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince, brenda 10 ditëve, tregojnë shifrat e Kombeve të Bashkuara të martën, shkruan BBC.
Pothuajse gjysma e atyre që vdiqën ishin banorë që nuk kishin lidhje me bandat të cilat po luftojnë për kontrollin e lagjes Cite Soleil, thotë OKB-ja.
Vendasit thonë se po u mbaron uji i pijshëm dhe ushqimi pasi dërgesat janë ndalur për shkak të “luftës me plumba” që po bëhet.
Një banor e përshkroi jetën e tij si "një cikël frike, stresi dhe dëshpërimi".
Dhuna nga bandat ishte rritur tashmë që nga vrasja e presidentit Jovenel Moise nga mercenarët një vit më parë, por ajo ka arritur nivele të reja tronditëse që kur një betejë shpërtheu më 8 korrik midis dy aleancave kriminale, të njohura si G9 dhe G-Pep.
OKB-ja thotë se 209 njerëz u vranë midis 8 dhe 17 korrikut, nga të cilët 114 ishin anëtarë të bandës. 254 persona të tjerë kanë pësuar plagë me armë zjarri.