Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar miratimin e akuzave për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, duke e bërë atë anëtarin e parë të kabinetit që përballet me shkarkimin në gati 150 vjet, raporton agjencia “AP”.
Shumë republikanë fajësojnë Mayorkasin për një fluks të paprecedentë emigrantësh në kufirin SHBA-Meksikë. Dhoma e udhëhequr nga republikanët votoi 214 pro dhe 213 kundër miratimit. Përpjekja e parë dështoi javën e kaluar.
Çështja tani shkon në Senatin e udhëhequr nga Demokratët, ku me shumë gjasë do të dështojë. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e quajti votimin “akt flagrant të partishmërisë antikushtetuese dhe një marifet politik”.
Kundërshtarët e Mayorkasit e akuzuan atë se nuk e respektoi betimin e tij për të “kryer mirë dhe besnikërisht detyrat”, duke dështuar të bëjë më shumë për të siguruar kufirin. Votimi u nda kryesisht sipas linjave partiake, me 210 demokratë që votuan kundër shkarkimit, së bashku me tre përfaqësues republikanë: Tom McClintock nga Kalifornia, Ken Buck nga Kolorado dhe Mike Gallagher nga Wisconsin.
Tre republikanët gjithashtu kundër përpjekjes së parë për Mayorkasin, duke thënë se fajësimi i dikujt që nuk kishte kryer një krim të rëndë do të dobësonte dënimin kushtetues dhe do të bënte pak për të adresuar krizën në kufi.
Më shumë se 6.3 milionë emigrantë vlerësohet se kanë hyrë ilegalisht në SHBA që nga viti 2021, duke e bërë emigracionin një çështje përçarëse dhe politikisht të diskutueshme përpara zgjedhjeve të nëntorit. Çështja është fokusi kryesor i fushatës së Donald Trumpit.
Në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas votimit, Biden mbrojti Mayorkasin, duke e quajtur atë “një nëpunës publik i nderuar”.
Edhe
Dhoma e Përfaqësuesve autorizon hapjen e hetimit për shkarkimin e Bidenit
“Ai ka mbështetur me besnikëri sundimin e ligjit dhe ka demonstruar një përkushtim të thellë ndaj vlerave që e bëjnë kombin tonë të madh”, tha Biden.
Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Mia Ehrenberg, akuzoi republikanët se e shpenzojnë kohën e tyre “duke shkelur kushtetutën në vend që të punojnë për të zgjidhur sfidat serioze në kufirin tonë”.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson tha se Mayorkas “meriton të fajësohet”. Gjatë dy seancave dëgjimore në janar, republikanët e akuzuan Mayorkasin për dështim në zbatimin e politikave të imigracionit dhe gënjeshtra për sigurinë e kufirit.
-
Senati miraton 70 miliardë dollarë shtesë për zbatimin e politikave të emigracionit të Trumpit
-
Trumpi shkarkon sekretaren e Sigurisë Kombëtare
-
Dhoma e Përfaqësuesve voton sot marrëveshjen që çon në fundin e mbylljes së qeverisë
-
Rreth 700 marinsa zbarkojnë në Los Angeles për t’iu përgjigjur protestave