Një hetim i ndërlikuar i udhëhequr nga specialisti i Hetimeve të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Greg Squire, çoi në shpëtimin e një vajze 12-vjeçare të abuzuar, e njohur si Lucy, pamjet e së cilës shpërndaheshin në “dark web”. Përmes analizës së detajeve të vogla në fotografi – nga një divan i veçantë deri te tullat e murit, ekipi arriti të lokalizonte shtëpinë ku ajo mbahej. Rasti nxjerr në pah si fuqinë e hetimit tradicional ashtu edhe koston e rëndë emocionale që kjo punë ka mbi hetuesit. Pas viteve abuzimi, Lucy më në fund u shpëtua, ndërsa autori u dënua me mbi 70 vjet burgim
Hetuesi specialist online, Greg Squire, kishte arritur në një rrugë pa dalje në përpjekjet për të shpëtuar një vajzë të abuzuar, të cilën ekipi i tij e kishte quajtur Lucy.
Pamje shqetësuese të saj po shpërndaheshin në “dark web” - një pjesë e fshehur dhe e enkriptuar e internetit, ku mund të hyhet vetëm me programe të posaçme që e bëjnë përdoruesin të vështirë për t’u gjurmuar. Edhe pse autori përdorte këto mjete për t’u fshehur, ai ishte shumë i kujdesshëm. Ai priste ose ndryshonte çdo detaj që mund ta identifikonte vajzën, thotë Squire. Ishte e pamundur të kuptohej kush ishte Lucy dhe ku ndodhej ajo.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor shumë shpejt, ai do të zbulonte se çelësi për vendndodhjen e vajzës 12-vjeçare ishte fshehur në sy të të gjithëve.
Squire punon për Hetimet e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, në një njësi elitare që përpiqet të identifikojë fëmijët që shfaqen në materiale abuzimi seksual.
Një ekip i BBC World Service ka kaluar pesë vjet duke filmuar Squire dhe njësi të tjera hetimore në Portugali, Brazil dhe Rusi. Ata kanë ndjekur zgjidhjen e rasteve të ndryshme, si ai i një vajze shtatëvjeçare të rrëmbyer në Rusi, e cila mendohej e vdekur, si dhe arrestimin e një burri brazilian që drejtonte pesë nga forumet më të mëdha të abuzimit të fëmijëve në “dark web”.
Këto pamje tregojnë se shumë raste zgjidhen jo falë teknologjisë së avancuar, por duke vërejtur detaje shumë të vogla në fotografi ose në biseda online.
Squire thotë se rasti i Lucyt, që ai e trajtoi në fillim të karrierës së tij, ishte arsyeja pse iu përkushtua kësaj pune për një kohë të gjatë.
Ai u trondit veçanërisht, sepse Lucy ishte pothuajse në të njëjtën moshë me vajzën e tij. Fotografi të reja të saj, duke u abuzuar në atë që dukej si dhoma e saj e gjumit, vazhdonin të shfaqeshin.
Detajet e vogla
Nga prizat dhe instalimet elektrike që shiheshin në foto, ekipi arriti të kuptonte se Lucy ndodhej diku në Amerikën e Veriut. Por kaq ishte e gjitha.
Ata kontaktuan Facebookun, që në atë kohë ishte rrjeti social më i përdorur, dhe kërkuan ndihmë për të kontrolluar fotografitë familjare të ngarkuara në platformë, për të parë nëse Lucy shfaqej në ndonjërën prej tyre. Por Facebooku, edhe pse kishte teknologji për njohjen e fytyrës, u tha se “nuk i kishte mjetet” për t’i ndihmuar.
Atëherë Squire dhe kolegët e tij analizuan çdo detaj në dhomën e Lucyt: çarçafët, rrobat, lodrat prej pelushi. Ata kërkonin çdo element që mund t’i ndihmonte.
Më në fund, pati një përparim të vogël. Ata zbuluan se divani që shihej në disa prej fotove shitej vetëm në disa rajone të caktuara, jo në të gjithë vendin. Kjo do të thoshte se numri i blerësve ishte më i kufizuar.
Por edhe kështu, bëhej fjalë për rreth 40 mijë persona.
“Në atë pikë të hetimit, po flisnim për 29 shtete në SHBA. Ishin dhjetëra mijëra adresa. Ishte një detyrë shumë e vështirë”, thotë Squire.
Ekipi vazhdoi të kërkonte detaje të tjera. Dhe pikërisht atëherë kuptuan se edhe muri me tulla të ekspozuara në dhomën e Lucyt mund të ishte një detaj i rëndësishëm.
“Fillova të kërkoja në Google për tulla dhe shumë shpejt gjeta Shoqatën e Industrisë së Tullave”, thotë Squire. “Gruaja që u përgjigj në telefon ishte shumë e gatshme për të ndihmuar. Ajo tha: ‘Si mund të ndihmojë industria e tullave?’”
Ajo e shpërndau fotografinë tek ekspertë të tullave në të gjithë vendin. Përgjigjja erdhi pothuajse menjëherë.
Një nga ata që u përgjigj ishte John Harp, i cili punonte me shitjen e tullave që nga viti 1981.
“Ajo tullë kishte një ngjyrë rozë të theksuar me pak nuancë gri të errët. Ishte tullë standarde tetë inç dhe me cepa të drejtë. Kur e pashë, e kuptova menjëherë se çfarë ishte”, thotë ai.
Ishte një tullë e quajtur “Flaming Alamo”.
Kompania e tij e kishte prodhuar atë tullë nga fundi i viteve ’60 deri në mesin e viteve ’80, dhe ai kishte shitur miliona të tilla.
Në fillim, Squire u gëzua shumë, duke menduar se mund të gjenin një listë të digjitalizuar të klientëve. Por Harp i tha se regjistrat e shitjeve ishin vetëm shënime të vjetra në letër.
Megjithatë, ai i dha një informacion shumë të rëndësishëm.
“Ai më tha: ‘Tullat janë të rënda. Dhe tullat e rënda nuk transportohen larg’”.
Kjo ndryshoi gjithçka.
Ekipi u kthye te lista e blerësve të divanit dhe e ngushtoi kërkimin vetëm tek ata që jetonin brenda një rrezeje prej 100 miljesh nga fabrika e tullave në jugperëndim të SHBA-së.
Nga lista prej 40 ose 50 personash, ishte më e lehtë të kontrollonin rrjetet sociale. Dhe aty gjetën një foto të Lucyt në Facebook, pranë një gruaje që dukej shumë e afërt me të, ndoshta një e afërme.
Ata zbuluan adresën e gruas dhe më pas çdo adresë tjetër që kishte lidhje me të, si dhe personat me të cilët kishte jetuar.
Kështu, lista e adresave të mundshme u ngushtua edhe më shumë. Por ata nuk donin të shkonin derë më derë për të pyetur. Nëse gabonin adresën, rrezikonin që i dyshuari të kuptonte se ishte nën hetim.
Prandaj, Squire dhe kolegët e tij filluan t’i dërgonin fotografi të shtëpive John Harpit, ekspertit të tullave.
“Lutje e dëgjuar”
Tullat Flaming Alamos nuk dukeshin nga jashtë në asnjë prej shtëpive, sepse ndërtesat ishin të veshura me materiale të tjera. Megjithatë, ekipi i kërkoi Harpit të vlerësonte duke parë stilin dhe pamjen e jashtme, nëse këto prona mund të ishin ndërtuar gjatë periudhës kur tullat Flaming Alamos ishin në treg.
“Ne zakonisht bënim një foto të shtëpisë ose banesës dhe ia dërgonim Xhonit, duke e pyetur: ‘A ka gjasa që kjo shtëpi t’i ketë këto tulla brenda?’”, thotë Squire.
Më në fund, ata arritën një përparim. Gjetën një adresë për të cilën Harp besonte se kishte shumë gjasa të kishte një mur me tulla Flaming Alamo dhe që përfshihej në listën e klientëve të dyqanit të divaneve.
“Pra, e ngushtuam kërkimin në këtë adresë… dhe nisëm procesin e konfirmimit se kush jetonte aty, përmes të dhënave shtetërore, patentës së shoferit… informacioneve nga shkollat”, thotë Squire.
Ekipi kuptoi se në atë shtëpi, së bashku me Lucyn, jetonte edhe i dashuri i nënës së saj - një person i dënuar më parë për krime seksuale.
Brenda pak orësh, agjentët lokalë të Sigurisë Kombëtare e arrestuan personin që kishte abuzuar seksualisht me Lucyn për gjashtë vjet. Më pas, ai u dënua me më shumë se 70 vjet burg.
Eksperti i tullave, Harp, u gëzua shumë kur mësoi se Lucy ishte e sigurt, veçanërisht duke pasur parasysh përvojën e tij si prind kujdestar për shumë vjet.
“Gjatë viteve kemi pasur mbi 150 fëmijë të ndryshëm në shtëpinë tonë. Kemi adoptuar tre prej tyre. Pra, gjatë gjithë këtyre viteve, kemi pasur shumë fëmijë që më parë kishin qenë të abuzuar”, tha ai.
“Ajo që bën ekipi i Squire çdo ditë dhe ajo që ata shohin, është një shumëfishim qindra herë i asaj që unë kam parë apo kam pasur për të menaxhuar”.
Disa vite më parë, presioni i punës filloi të ndikonte seriozisht në shëndetin mendor të Squiret. Ai pranon se, kur nuk ishte në punë, “alkooli ishte bërë një pjesë më e madhe e jetës sime sesa duhej”.
“Në atë kohë fëmijët e mi ishin pak më të rritur… dhe kjo të shtynte të përpiqeshe edhe më shumë. Mendoja: ‘Po sikur të çohem në tre të mëngjesit, ndoshta mund të kap ndonjë autor online’.
Por ndërkohë, në jetën personale… ‘Kush është Greg? As nuk e di çfarë i pëlqen të bëjë.’ Të gjithë njerëzit me të cilët rrethoja veten gjatë ditës ishin kriminelë… dhe ata flisnin vetëm për gjërat më të tmerrshme”.
Jo shumë kohë më pas, martesa e tij përfundoi, dhe ai thotë se filloi të kishte mendime për t’i dhënë fund jetës.
Ishte kolegu i tij, Pete Manning, ai që e inkurajoi të kërkonte ndihmë, pasi vuri re se shoku i tij po kalonte një periudhë të vështirë.
“Është e vështirë kur ajo që të jep kaq shumë energji dhe motivim, është njëkohësisht ajo që po të shkatërron ngadalë”, thotë Manning.
Squire thotë se pranimi i dobësive të tij ishte hapi i parë drejt përmirësimit dhe vazhdimit të një pune për të cilën ai ndjehet krenar.
“Ndihem i nderuar që jam pjesë e një ekipi që mund të bëjë ndryshim, në vend që thjesht ta shohë në televizor apo ta dëgjojë në lajme… Unë preferoj të jem aty, në vijën e parë, duke u përpjekur ta ndaloj keqbërjen”.
Vitin e kaluar, Greg u takua për herë të parë me Lucyn, e cila tashmë është në të 20-at.
Ajo i tha se fakti që sot mund të flasë për atë që ka kaluar është dëshmi e mbështetjes që ka rreth vetes.
“Tani kam më shumë stabilitet. Kam energjinë të flas me njerëzit për abuzimin… gjë që nuk do të kisha mundur ta bëja as para disa vitesh”.
Ajo tha se, në momentin kur Siguria Kombëtare i dha fund abuzimit, ajo kishte qenë “duke u lutur vazhdimisht që gjithçka të merrte fund”.
“Pa dashur të tingëlloj klishe, ishte një lutje e dëgjuar”.
Squire i tha se do të kishte dashur të kishte mundur t’i tregonte se ndihma ishte rrugës.
“Do të doje të ekzistonte telepatia, që t’i dërgoje një mesazh: ‘Dëgjo, po vijmë’”.
BBC e pyeti Facebookun pse nuk mund të përdorte teknologjinë e njohjes së fytyrës për të ndihmuar në kërkimin e Lucyt. Përgjigjja ishte: “Për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve, është e rëndësishme të ndjekim procesin e duhur ligjor, por ne punojmë për të mbështetur autoritetet ligjzbatuese sa herë që është e mundur”.