Faris Ghassar humbi pesë anëtarë të familjes së tij në ujërat e tërbuara. “Na u tha të qëndronim brenda shtëpive tona”, thotë ai teksa qan. “Pse? Ata duhej të na kishin thënë se kishte një stuhi, të na kishin thënë se diga ishte e vjetër dhe po shkërmoqej. Disa nga këto ndërtesa të shkatërruara ishin njëqind vjet të vjetra. Është e gjitha politikë. Ka një qeveri në Perëndim, një qeveri në Lindje. Është një problem i madh”. Një nga të vdekurit ishte vajza e tij dhjetëmuajshe
(BBC) - Udhëtimi për në qytetin libian Derna zgjat tani dy herë më shumë.
Përgjatë rrugës nga Bengazi shihen fushat e shndërruara në liqene ngjyrë ndryshku.
Derisa afrohesh në vend, trafiku ngadalësohet.
Një nga urat më të afërta me Dernan është shkatërruar plotësisht. Vendësit qëndrojnë pranë greminës së thyer të asfaltit, duke shikuar vendin dhe duke bërë foto.
Jo shumë larg, ushtarët shpërndajnë maska për fytyrë për makinat që lëvizin - për shoferin dhe pasagjerët. Të gjithë që vozisin në drejtimin tjetër i kanë vënë ato dhe shpejt e kupton pse.
Edhe
Përmbytjet në Derna: katastrofë natyrore apo neglizhencë e njeriut
Pamjet tronditëse të vendit
Kundërmimi i kufomave në pjesë të qytetit ndihet pothuajse kudo e është e pamundur të përshkruhet. Mbushen hundët, pjesërisht me erën e ujërave të zeza dhe me një erë tjetër, që është edhe më e vështirë për ta identifikuar.
Ndonjëherë era është aq e fortë sa të turbullohet stomaku - veçanërisht kur qëndron me pamje nga porti, tek sheh ekipet e kërkim – shpëtimit duke larguar trupa që kanë mbetur në det.
Atë mëngjes i gjetën tre. Të bartur nga batica, trupat bllokohen në grumbullin e mbeturinave që kalben ngadalë në ujin e detit.
Drurë të thyer, makina të shkatërruara, goma, frigoriferë – gjithçka përzihet e rrotullohet në ujë.
Pamjet që janë shfaqur së fundmi janë tronditëse.
Megjithatë, shikimi i tyre ju përgatit për shkallën e dëmit që përmbytjet i kanë shkaktuar këtij vendi. Vija e lumit tani zbehet si një plagë e hapur. Mbi këta grumbuj balte nuk ka mbetur asgjë fare. Është thjesht një djerrinë.
Fuqia shkatërruese e ujit ishte e jashtëzakonshme.
Makinat duken si lodra të ngritura rastësisht pingul. Njëra prej tyre ka hyrë brenda tarracës që e rrethon xhaminë e veçantë të qytetit Al Sahaba. Një tjetër veturë as nuk prek në tokë, është ngulitur diku në një anë të një ndërtese.
Muret e bëra me blloqe të trasha betoni janë rrëzuar. Pemët e forta janë shkulur nga toka, rrënjët e tyre fluturojnë në ajër. Gjithçka tjetër, megjithatë, është zhdukur.
Nuk është se u zhdukën vetëm njerëzit, humbi gjithçka në fakt, edhe shtëpitë e tyre, pasuritë, jetët e tyre. Njerëzimi u hoq në këtë pjesë të Dernas.
Për të mbijetuarit, jeta këtu ka ndryshuar përgjithmonë. Ka pikëllim të madh dhe zemërim të dukshëm.
Faris Ghassar humbi pesë anëtarë të familjes së tij në ujërat e tërbuara.
“Na u tha të qëndronim brenda shtëpive tona”, thotë ai teksa qan. “Pse? Ata duhet të na kishin thënë se kishte një stuhi, të na kishin thënë se diga ishte e vjetër dhe po shkërmoqet. “Disa nga këto ndërtesa të shkatërruara ishin njëqind vjet të vjetra. Është e gjitha politikë. Ka një qeveri në Perëndim, një qeveri në Lindje. Është një problem i madh”.
Një nga të vdekurit ishte vajza dhjetëmuajshe e Farisit. Ai zgjat telefonin e tij për t’i treguar fotot e tyre. Së pari të gjallë, dhe më pas trupat e tyre, të mbështjellë me kujdes me batanije.
Edhe
Kërkimi për 10 mijë të zhdukurit nga përmbytja në Libi

Përhapja e sëmundjeve
Në të njëjtën kohë kur intervistohej ai, një kolonë ministrash po bënte turne në zonën e fatkeqësisë. Ata janë nga qeveria lindore, një nga dy autoritetet kundërshtare të Libisë. Luftimet e tyre kanë shkatërruar infrastrukturën e vendit.
Faris pretendon se kjo ka rezultuar fatale për familjen e tij.
Kryeministri që qeveris në lindje, Osama Hamad, u pyet se si mund të ndodhte kjo kur digat supozohej t’i mbanin njerëzit të sigurt?
“Ishte ciklon shumë i fortë”, tha ai. “Shumë i fortë për digat. Kjo është natyra dhe është caktim i Allahut””.
Në rrugë po përflitet për një evakuim të plotë të Dernas.
Ata që kanë mbetur pas në qytet po luftojnë kundër elementeve, me ujë të pastër dhe kujdes mjekësor në mungesë. Pothuajse një javë pas stuhisë vdekjeprurëse, sfidat me të cilat përballen të mbijetuarit e saj janë vetëm në rritje.
Autoritetet shëndetësore, ndërkaq, kanë filluar pastrimin e zonave të qytetit lindor të Libisë, Derna, pasi është ngjallur frika për përhapjen e sëmundjeve pas përmbytjeve shkatërruese që lanë të vdekur mijëra banorë.
Gjashtë ditë më vonë, ekipet e shpëtimit janë ende duke gërmuar nëpër baltë e ndërtesa të rrënuara, duke kërkuar për trupa e të mbijetuar të mundshëm.
Gjysmëhëna e Kuqe ka konfirmuar 11.300 vdekje deri më tani.
Autoritetet dhe grupet e ndihmës kanë shprehur shqetësimin për përhapjen e sëmundjeve që vijnë nga uji dhe zhvendosja e mjeteve shpërthyese nga konfliktet e fundit të Libisë.
Haider al-Saeih, kreu i qendrës së Libisë për luftimin e sëmundjeve, ka theksuar në komentet televizive se të paktën 150 njerëz kanë vuajtur nga diarreja pasi kanë pirë ujë të kontaminuar në Derna.
Ai u bëri thirrje banorëve të pinë vetëm ujë në shishe, i cili po dërgohet si pjesë e përpjekjeve të ndihmës.
Prokurori i përgjithshëm i Libisë, Al-Sediq al-Sour, ka thënë se prokurorët do të hetojnë shembjen e dy digave, të cilat u ndërtuan në vitet 1970, si dhe ndarjen e fondeve të mirëmbajtjes.
Edhe
“Më e keqe se vetë vdekja” – zëra nga Libia
Ai, po ashtu, ka treguar se prokurorët do të hetojnë autoritetet lokale në qytet, si dhe qeveritë e mëparshme.
Përktheu: Blerta Haxhiu