Demokratja Kathy Hochul është bërë gruaja e parë e zgjedhur guvernatore e shtetit të New Yorkut, duke fituar postin që mori në vitin 2021 kur ish-guvernatori Andrew Cuomo dha dorëheqjen.
Ajo mundi kongresmenin republikan Lee Zeldin, një aleat i Donald Trumpit, i cili drejtoi një fushatë të fokusuar në frikën e krimit të dhunshëm.
"Sonte ju bëtë që zërat tuaj të dëgjoheshin me zë të lartë dhe të qartë. Dhe më bëtë gruan e parë të zgjedhur ndonjëherë guvernatore të shtetit të New Yorkut. Por unë nuk jam këtu për të bërë histori, unë jam këtu për të bërë një ndryshim", ka thënë Hochul të martën mbrëma, sipas Associated Press.
Një ish-kongresiste, ajo shërbeu si zëvendëse e guvernatorit Cuomo përpara se të merrte detyrën në gusht 2021 dhe është përpjekur të tregojë se puna e saj është e ndryshme nga ajo që ka bërë Cuomo deri në atë moment. Ai dha dorëheqjen mes akuzave për ngacmim seksual, të cilat i mohoi.
Hochul, e cila është me origjinë nga Buffalo, pritej të fitonte në një shtet me dy herë më shumë demokratë të regjistruar se republikanët.
New Yorku nuk ka zgjedhur një guvernator republikan që kur guvernatori George Pataki fitoi një mandat të tretë më 2002. Megjithatë, Lee Zeldin e ka bërë garën konkurruese.