Demokratja e Ohios, Nina Turner, e cila shërbeu si bashkëkryetare e fushatës presidenciale të Bernie Sandersit më 2020, tha se gjendja "shumë pak ka ndryshuar" për të varfrit dhe shtresën e mesme që kur Bideni e zëvendësoi Trumpin. Projektligji i infrastrukturës nuk e ndryshon këtë, tha ajo, dhe kritikoi paketën e shpenzimeve sociale të Bidenit
Supozohej të ishte një moment triumfi për Joe Bidenin.
Presidenti demokrat porsa e kishte kthyer në ligj paketën më të rëndësishme të infrastrukturës ndër breza. Dhe këtë e bëri duke bashkuar demokratët dhe republikanët, ashtu siç premtoi gjatë fushatës së vitit të kaluar. Por kur Biden mbërriti në New Hampshire javën e kaluar për të promovuar paketën prej 1 bilion dollarësh në këmbët e një ure të shkatërruar, dhe jo të gjithë të ftuarit e tij ishin në humor të mirë.
Jo veç fjalë sallonesh politike
"Demokratët janë të shqetësuar”, tha për Associated Press ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Shurtleff, mbështetës i kahershëm i Bidenit, i cili mori pjesë në ceremoni kur u pyet për pozitën politike të Bidenit. “Jam i shqetësuar se ku mund të jemi pas disa vjetësh të tjera kur njerëzit me të vërtetë fillojnë të përgatiten dhe të fillojnë të bëjnë udhëtime në New Hampshire”.
Shurtleff po thoshte hapur atë që një numër në rritje demokratësh kanë pëshpëritur për muaj të tërë: pozicioni politik i Bidenit është aq i dobët në më pak se një vit të presidencës së tij, saqë mund të mos jetë në gjendje të rizgjidhet në 2024-n nëse do të kandidojë përsëri. Lojëra të tilla sallonesh të nxitura nga ankthi janë të zakonshme në mesin e klasës politike të Uashingtonit, por kjo është përhapur në shtetet dhe zonat elektorale që do të luajnë rol qendror në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris po përballet me enigmën e saj politike me sondazhet që sugjerojnë se ajo mund të jetë më pak e njohur se shefi i saj jopopullor. Një udhëheqëse dinamike që bëri histori duke u bërë gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë nga Azia Jugore në këtë post, Harrisit i janë dhënë pak mundësi nga Shtëpia e Bardhë e Biden për të shkëlqyer.
“Zona e kuqe”
"Në Amerikë ne kemi guximin të shohim përtej krizës - të besojmë se e ardhmja dhe një e ardhme që imagjinojmë është e mundur - dhe më pas ta ndërtojmë atë", tha Harris, duke nxitur duartrokitje të sjellshme në Columbus.
Por, ashtu si në New Hampshire, mesazhi i Shtëpisë së Bardhë u turbullua nga zhgënjimi për presidencën e Bidenit.
Demokratja e Ohios, Nina Turner, e cila shërbeu si bashkëkryetare e fushatës presidenciale të Bernie Sandersit më 2020, tha se gjendja "shumë pak ka ndryshuar" për të varfrit dhe për shtresën e mesme që kur Bideni e zëvendësoi Trumpin. Projektligji i infrastrukturës nuk e ndryshon këtë, tha ajo, dhe kritikoi paketën e shpenzimeve sociale të Bidenit.
“Pyetja që shtrohet: ‘Pse po ju ndihmoj të mbani pushtetin, kur pushtetin që keni tani nuk po e përdorni në emrin tim?’” - tha Turner për Bidenin. "Kjo quhet çmenduri - të më kërkosh të votoj për ty, duke kërkuar nga komuniteti me ngjyrë të dalë për ty në 2022 ose 2024 kur nuk do të bësh asgjë në 2021”.
Në të vërtetë, Al Sharpton, aktivist i të drejtave civile që mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të projektligjit të infrastrukturës në Shtëpinë e Bardhë, paralajmëroi se Bideni po i afrohet "zonës së kuqe" me votuesit me ngjyrë.
Në fund të aktivitetit të infrastrukturës, Sharpton tha se ai i kërkoi Bidenit të përdorte foltoren për të luftuar më fort për të reformuar sistemin policor dhe për të mbrojtur të drejtat e votës që po sulmohen në shtetet e udhëhequra nga republikanët.
"Ata duhet ta ngrenë atë nga tani deri në fund të janarit ose do të kenë probleme reale", tha Sharpton.