Më shumë se 90% e aborteve kryhen në 13 javët e para të shtatzënisë, shumë përpara krijimit të qëndrueshmërisë së fetusit, sipas Qendrave Federale për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve
Në sfidën më të madhe ndaj të drejtave të abortit përgjatë dekadave, shumica konservatore e Gjykatës së Lartë bëri të ditur se do t’i lejonin shtetet të ndalonin abortin shumë më herët gjatë shtatzënisë dhe se madje mund të përmbysnin të drejtën mbarëkombëtare që ekziston për gati 50 vjet.
Me qindra demonstrues brohorisnin për dhe kundër, ndërkaq gjyqtarët kumtonin argumente që mund të ndryshonin fatin e vendimit historik, i njohur si ‘Roe vs Wade’ të gjykatës së vitit 1973 për legalizimin e abortit në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe vendimin e 1992-s i njohur si ‘Planned Parenthood vs Casey’, që e rikonfirmonte Roen.
Pritja e gjatë
Rezultati ndoshta nuk do të dihet deri në qershorin e ardhshëm. Por pas gati dy orësh debatesh, të gjashtë gjyqtarët konservatorë, duke përfshire tre të emëruar nga ish-presidenti Donald Trump, treguan se do të mbështesin një ligj të Misisipit që ndalon abortin pas 15 javësh shtatzënie.
Në fund të fundit, një vendim i tillë do të kundërshtonte vendimin e Roe dhe Casey, i cili u lejon shteteve të rregullojnë, por jo ta ndalojnë abortin deri në pikën kur fetusi arrin qëndrueshmërinë, afërsisht në javën e 24-të.
Pastaj, gjyqtarët konservatorë mbështesnin njëri-tjetrin për të hequr qafe Roe dhe Casey krejtësisht. Gjyqtari Clarence Thomas është i vetmi anëtar i gjykatës që ka bëre thirrje hapur për rrëzimin e dy rasteve. Ndërsa, gjykatësi Brett Kavanaugh, i emëruar nga Trump, pyeti nëse gjykata do të ishte më mirë të tërhiqej plotësisht nga çështja e abortit dhe të linte shtetin të vendoste.
“Pse kjo gjykatë duhet të vendosë në vend të Kongresit, legjislaturave të shtetit, gjykatave supreme shtetërore, pra, njerëzit që mund ta zgjidhin këtë?” - pyeti Kavanaugh. “Pastaj, do të ketë përgjigje të ndryshme në Misisipi dhe New York, përgjigje të ndryshme në Alabama dhe Kaliforni”.

Ndarja racore
Aborti së shpejti do të bëhej i paligjshëm ose do të kufizohej ashpër në afërsisht gjysmën e shteteve nëse Roe dhe Casey përmbyseshin sipas Institutit “Guttmacher”, një organizatë kërkimore që mbështet të drejtat e abortit.
Kongresistët në shumë shtete të udhëhequra nga republikanët janë të gatshëm për veprim në varësi të vendimit të Gjykatës së Lartë. Të mërkurën, Gjykata e Apelit të SHBA-së për Qarkun e Gjashtë, shfuqizoi vendimet e mëparshme që kishin bllokuar një ligj të Tennessit që përfshinte ndalimin e abortit pasi të zbulohej një rrahje zemre e fetusit - rreth gjashtë jave – dhe urdhëroi një provë nga gjykata e plotë.
Njerëzit me ngjyrë do të prekeshin në mënyrë disproporcionale, thonë mbështetësit e të drejtave të abortit.
Tre gjyqtarët liberalë të gjykatës thanë se rrëzimi i precedentëve të abortit, Roe dhe Casey, do të dëmtonte ndjeshëm legjitimitetin e gjykatës.
“A do t’i mbijetojë ky institucion këtij efekti të keq që krijon në perceptimin publik se Kushtetuta dhe leximi i saj janë vetëm akte politike?” - pyeti gjyqtarja Sonia Sotomayor.
Përmes një argumenti jashtëzakonisht të fuqishëm për Gjykatën e Lartë, gjyqtari Stephen Breyer paralajmëroi kolegët e tij që “më mirë të jenë të sigurt” përpara se të hedhin poshtë vendimet e vendosura të abortit.
Sondazhet e opinionit publik tregojnë mbështetje për Roe, megjithëse disa sondazhe të tjera shfaqin mbështetje për kufizime më të mëdha për abortin.
Midis konservatorëve, shefi i drejtësisë, John Roberts, u shfaq më i interesuari për një vendim më pak gjithëpërfshirës që do të mbështeste ligjin e Mississipit, por nuk do të refuzonte në mënyrë eksplicite Roe dhe Casey.
Pa alternativë?
“Kjo mund të jetë ajo që ata po kërkojnë, por çështja që diskutohet para nesh sot janë 15 javët”, tha Roberts, duke aluduar në thirrjen e Mississipit për të përmbysur rastet më të gjera përveç zbatimit të ligjit të vet.
Më shumë se 90% e aborteve kryhen në 13 javët e para të shtatzënisë, shumë përpara krijimit të qëndrueshmërisë së fetusit, sipas Qendrave Federale për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Rreth 100 pacientë në vit kryejnë abort pas 15 javësh në Organizatën e Shëndetit të Grave “Jackson”, klinika e vetme e abortit në Misissipi. Ky institucion nuk ofron abort pas 16 javësh.
Edhe mbajtja e vendimit që ndalon abortin 15-javor do të nënkuptonte refuzimin e ligjit të vendosur prej dekadash. Mbështetësit e të drejtave të abortit thonë se kjo do të përmbyste në mënyrë efektive Roe dhe nuk do të linte asnjë rregull parimore për kohën kur abortet mund të ndalohen.
Gjyqtari Neil Gorsuch, një tjetër i emëruar nga Trump, sugjeroi se mungesa e një alternative rigoroze mund të jetë një arsye për të rrëzuar plotësisht Roe dhe Casey.
“Ju theksuat se nëse miratoheshin 15 javë, atëherë do të kishim raste rreth 12 dhe 10 dhe 8 dhe 6, dhe kështu pyetja ime është, a ka ndonjë rregull që qeveria beson se do të ishte parimore apo jo?” - pyeti Gorsuch, avokaten e përgjithshme të administratës Biden, Elizabeth Prelogar, e cila mbështet klinikën e Mississipit.

“Trupi i saj, zgjedhja e saj”
“Nuk mendoj se ka ndonjë rregull më parimore, sesa qëndrueshmëria”, tha Prelogar.
Mbështetësit e të dyja palëve në debatin për abortin mbushën trotuarin dhe rrugën përpara gjykatës. Tubimet e tyre dëgjoheshin edhe nga brenda ndërtesës. Pllakat që ata përdornin ishin “Trup i saj, zgjedhja e saj” dhe “Zoti urren derdhjen e gjakut të pafajshëm”. Gjykata shtoi masat e sigurisë, duke përfshirë mbylljen e disa rrugëve përreth ndërtesës.
Ndoshta kur kuptuan rëndësinë e çështjes që kishin para tyre, gjyqtarët erdhën në gjykatë në orën 10 të pabuzëqeshur e duke mos bërë shaka siç bënin zakonisht.
Çështja erdhi në gjykatë me një shumicë konservatore 6-3, e cila është transformuar nga gjyqtarët e emëruar nga Trump, si Gorsuch, Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett.
Një muaj më parë, gjyqtarët dëgjuan gjithashtu argumente për një ligj të Teksasit, shtetit të dytë më të madh të vendit, të përpiluar në mënyrë unike që ka arritur t’i anashkalojë vendimet e Roe dhe Casey dhe të ndalojë abortet pas rreth gjashtë javësh shtatzënie. Mosmarrëveshja ligjore mbi ligjin e Teksasit sillet rreth faktit nëse ai mund të kundërshtohet në gjykatë federale, në vend të së drejtës për një abort.
Gjykata nuk ka vendosur ende për ligjin e Teksasit dhe gjyqtarët kanë refuzuar ta pezullojnë atë derisa çështja është nën shqyrtim ligjor.
Rasti Mississipi shtron pyetje më qendrore për të drejtën e abortit. Avokati i përgjithshëm i Shtetit, Scott Stewart, tha se Roe dhe Casey “ndikojnë keq në vendin tonë” dhe “nuk kanë bazë në Kushtetutë”. Ai i krahasoi ato vendime me ‘Plessy v. Ferguson’, vendimi famëkeq i Gjykatës së Lartë nga viti 1896 që justifikonte ndarjen zyrtare përpara se ai të anulohej nga vendimi “Brown kundër Bordit të Arsimit”, 58 vjet më vonë.
“Jemi që 50 vjet me vendimin e Roe. Është një vendim jashtëzakonisht i gabuar, që ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në vendin tonë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe do të marrë jetë të panumërta njerëzore derisa kjo gjykatë ta rrëzojë atë”, tha ai.
Klinika e Mississipit argumentoi se këto dy raste ishin vendosur në mënyrë korrekte dhe janë mbështetur nga gratë dhe partnerët e tyre për gati gjysmë shekulli, një pikë e theksuar edhe nga gjyqtarja Elena Kagan.
“Shkelje e autonomisë trupore”
Vendimet e abortit janë “pjesë e strukturës së ekzistencës së grave në këtë vend”, tha ajo.
Barret iu afrua çështjes së mbështetjes së grave në vendimet e abortit nga një këndvështrim tjetër. Ajo sugjeroi që të ashtuquajturat “ligje të strehës së sigurt” në të 50 shtetet që lejojnë nënat të heqin dorë nga të drejtat prindërore nënkuptojnë se gratë nuk mund të detyrohen të bëhen nëna, gjë që mund të kufizojë punësimin dhe mundësitë e tjera.
“Pse ‘ligjet e strehës së sigurt’ nuk kujdesen për këtë problem?” - pyeti ajo.
Barret, me një histori të gjatë kundërshtimi personal ndaj abortit, pranoi se gjykata ende duhet të merret me çështjen e detyrimit të grave të mbeten shtatzënë kundër vullnetit të tyre.
Ajo e përshkroi një shtatzëni të tillë si “një shkelje të autonomisë trupore” të cilën e kemi edhe në kontekste të tjera, si vaksinat për shembull.
Në vendimet e saj të mëparshme, gjykata ka rrënjosur të drejtën e abortit në seksionin e Amendamentit të 14-të që thotë se shtetet nuk mund të “privojnë asnjë person nga jeta, liria ose prona, pa një proces të rregullt ligjor”.
Martesa e së njëjtës gjini dhe të drejta të tjera, të bazuara në të njëjtën dispozitë, por që nuk përmenden në mënyrë eksplicite në Kushtetutë, mund të kërcënohen nëse Roe dhe Casey bien, argumenton administrata.
Argumentet e abortit, në kushte normale, do të gjenin njerëz të kampuar para gjykatës për ditë të tëra me shpresën për të zënë disa nga ulëset e pakta për publikun në sallë. Por me mbylljen e gjykatës për shkak të COVID-19, brenda sallës së gjyqit kishte vetëm një audiencë të paktë gazetarësh, nëpunës ligjorë të drejtësisë dhe ca avokatë.
Nëse gjykata nxjerr vendimet e saj në fund të qershorit, do të jetë pak më shumë se katër muaj para zgjedhjeve të Kongresit të vitit të ardhshëm dhe mund të bëhet një “thërres” e sezonit të fushatës.
Përktheu: Leutrime Rekaliu