Botë

Debati i ashpër mbi edukimin seksual në një komb thellësisht katolik

Debati i ashpër mbi edukimin seksual në një komb thellësisht katolik

Në Filipine shtatzënitë e të miturave dhe adoleshenteve janë ndër më të lartat në Azi. Ndonëse ka pasur një rënie të lehtë të shtatzënive tek 15-19-vjeçaret midis viteve 2019 dhe 2023, kambanat e alarmit tani po bien për një rritje të ndjeshme të shtatzënive te vajzat shumë të reja - ato të moshës 14 vjeçe e poshtë - me një rritje prej 38%, nga 2.411 në vitin 2019 në 3.343 në vitin 2023

(CNN) –  Një mur kufitar ndan banorët e Basecos nga Gjiri i Manilës, një port natyror në zemër të kryeqytetit filipinas. Mbi 64.000 njerëz jetojnë në kompleksin e dendur të mbushur me njerëz, në shtëpitë e ndërtuara me blloqe betoni dhe materiale të vjetra, të mbuluara nga çati të valëzuara, që bën ato të rrezikuara ndaj përmbytjeve.

Midis banorëve është edhe 14-vjeçarja Clara, e cila jeton në periferi të vendbanimit informal. E veshur me një bluzë të zezë të madhe me printe grafiti, trupi i vogël i Clarës zbulon lehtësisht barkun e saj. Tani gjashtëmuajshe shtatzënë, ajo shpreson të ketë një djalë.

“Dua që ai të jetë si vëllai im më i madh. Nuk dua që ai të përfundojë si unë”, i thotë ajo CNN-it.

Clara thotë se nuk ka mësuar për edukimin seksual në shkollë. “Nuk mësohej në klasën tonë... kishim tema të ndryshme në orën e shkencës”. Sikur të dinte më shumë rreth shëndetit riprodhues, Clara beson se do ta kishte shmangur shtatzëninë në moshë kaq të re.

Clara është një nga atij numri në rritje vajzash, midis moshës 10 dhe 14 vjeçe, të cilat kanë mbetur shtatzënë në adoleshencën e tyre të hershme. Histori si e saja janë në zemër të një debati të ashpër midis ligjvënësve, ekspertëve të shëndetit dhe grupeve kishtare mbi atë se si duhet të duket e ardhmja e edukimit seksual në këtë vend thellësisht katolik.

CNN-i ka folur me disa vajza dhe gra të reja filipinase të moshës 14 deri në 23 vjeçe, përfshirë nëna, të cilat thanë se ose nuk kishin pasur kurrë edukim seksual në shkollë, ose u mungonte informacion i dobishëm në lidhje me pëlqimin ose kontraceptivët. Një nga gratë, Sam 23 vjeçe, kujton se mësoi rreth kontraceptivëve në klasë të 8-të, me një “kërkesë” për të mos i përdorur ato.

Mjekja Aileen Marie Rubio nga Spitali Memorial Dr Jose Fabella në Manila ka thënë se shumica e adoleshenteve kanë “njohuri shumë të kufizuara mbi shëndetin riprodhues, pëlqimin dhe atë që konsiderohet abuzim”. Rubio, e cila punon në klinikën e spitalit që është e dedikuar për nënat adoleshente, ka thënë se shumica e adoleshenteve nuk e dinin se mund të mbeteshin shtatzënë nëse kishin marrëdhënie seksuale.

Clara e takoi të dashurin e saj përmes miqve dhe mbeti shtatzënë vetëm gjashtë muaj pas fillimit të lidhjes. Megjithëse pritet të lindë pas tre muajsh, ajo nuk ka bërë asnjë kontroll para lindjes dhe di pak për shëndetin e foshnjës.

“Ende nuk kam para...për të shkuar në spital”, thotë ajo.

Por ekspertët thonë se nënat kaq të reja përballen me rreziqe shumë më të larta shëndetësore gjatë shtatzënisë dhe lindjes - dhe kështu ndodh edhe me foshnjat e tyre.

Një “emergjencë sociale kombëtare”

Në Filipine shtatzënitë e të miturave dhe adoleshenteve janë ndër më të lartat në Azi.

Ndonëse ka pasur një rënie të lehtë të shtatzënive tek 15-19-vjeçaret midis viteve 2019 dhe 2023, kambanat e alarmit tani po bien për një rritje të ndjeshme të shtatzënive tek vajzat shumë të reja - ato të moshës 14 vjeçe e poshtë - me një rritje prej 38%, nga 2.411 në vitin 2019 në 3.343 në vitin 2023.

Organet qeveritare i kanë deklaruar prej kohësh shtatzënitë tek adoleshente si një “emergjencë sociale kombëtare” dhe në vitin 2022 ligjvënësit paraqitën draftin më të hershëm të një projektligji për parandalimin e shtatzënisë në adoleshencë që synonte të trajtonte problemin.

Por, tre vjet më vonë, projektligji është ende në shqyrtim, pas amendamenteve të shumta dhe riparaqitjes më të fundit muajin e kaluar, pas kundërshtimit të ashpër nga organizatat konservatore dhe grupet kishtare.

Projektligji synon të standardizojë edukimin gjithëpërfshirës seksual (CSE) në shkolla dhe të përmirësojë qasjen në shërbimet e shëndetit seksual. Aktualisht adoleshentët nën 18 vjeç duhet të kenë pëlqimin e prindërve për të pasur qasje në kontraceptivë, me disa përjashtime.

“Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, sipas të dhënave, ka adoleshentë që janë seksualisht aktivë tani”, ka thënë senatorja Risa Hontiveros, autorja kryesore e projektligjit, në një deklaratë në fillim të këtij viti. Ajo shtoi se projektligji “është i nevojshëm për t’i fuqizuar adoleshentët që të mbrojnë veten”.

Por një version i mëparshëm i projektligjit u përball me kundërshtime të ashpra nga grupet kishtare në të gjithë shtetin thellësisht katolik. Kisha Katolike beson se marrëdhëniet seksuale duhet të ndodhin vetëm midis çifteve të martuara. Kisha gjithashtu nuk miraton kontracepsionin artificial, por lejon metodat natyrale për të shmangur shtatzëninë brenda martesës. Aborti është i paligjshëm në të gjitha rrethanat në Filipine, përfshirë pas përdhunimit ose incestit.

Ky kundërshtim kulmoi së fundmi në një përpjekje të kombinuar lobimi nga një koalicion prej të paktën tetë organizatash ungjillore dhe katolike në të gjithë vendin, i njohur si “Projekti Dalisay”.

I filluar si një iniciativë e Koalicionit Kombëtar për Familjen dhe Kushtetutën, “Projekti Dalisay” ose “Projekti i Pastër” e interpreton projektligjin si një luftë kundër ideologjive mbi seksin dhe autoritetin prindëror, dhe pika e tij kryesore e mosmarrëveshjes sillet rreth CSE-së.

Kryetarja e projektit, Maria Lourdes Sereno, ish-kryetare e Gjykatës Supreme në Filipine, i ka thënë CNN-it se CSE “synon të normalizojë diskutimin seksual, i cili nuk është pjesë e kulturës filipinase”.

Iniciativa “lindi si një grup vullnetar besimtarësh, kryesisht nga komunitetet ungjillore dhe katolike” për të “shprehur kundërshtimet e prindërve kryesisht ndaj Projektligjit të Senatit”.

Frymëzimi nga Amerika

Në fillim të janarit “Projekti Dalisay” lansoi një faqe interneti që përfshinte një peticion kundër projektligjit dhe një video shpjeguese të titulluar “Zbulimi i rreziqeve të CSE-së”.

Faqja përmendte 15 “efekte të dëmshme” të edukimit gjithëpërfshirës seksual, të marra nga burime të organizatës amerikane kundër abortit “Family Watch International” (FWI), duke përfshirë prezantimin e përdorimit të prezervativëve në një mënyrë që lidhet me përjetimin seksual (erotizimin) dhe promovimin e “konfuzionit gjinor”.

FWI-ja i ka thënë CNN-it se gjatë hulumtimit të saj mbi programet CSE në disa kontinente kishte vërejtur se ato ishin “të papërshtatshme për moshën, të pasakta shkencërisht... dhe joefektive në parandalimin e shtatzënisë në moshë adoleshente”.

Kreu i “Human Life International” (HLI), një tjetër grup amerikan kundër abortit në Filipine, dr. Rene Bullecer, e ka mbështetur me zë të lartë “Projektin Dalisay”.

Presidenti i HLI-së, Ati Shenan J. Boquet, gjithashtu e kundërshtoi projektligjin, duke thënë se ai përbënte “një kërcënim për themelet shoqërore, morale dhe shpirtërore të Filipineve”, në një deklaratë të gjatë për CNN-in. Ai ka shtuar se prindërit “kanë përgjegjësinë më të drejtpërdrejtë për fëmijët e tyre”.

Sereno nga “Projektit Dalisay” i ka thënë CNN-it se ka marrë udhëzime nga grupe të tilla amerikane, por mohon çdo lidhje financiare me to.

“Ne kërkojmë informacion, informacion teknik, shkencë nga SHBA-ja”, ka thënë ajo.

Përmbajtja anti-CSE u bë baza e asaj që kritikët e quajtën një fushatë “mashtruese”, teksa “Projekti Dalisay” pretendon se zbatimi i CSE-së në projektligj, siç udhëhiqet nga standardet ndërkombëtare, do të përfshinte koncepte të papërshtatshme - gjë që senatori Hontiveros e ka hedhur poshtë.

Anëtarët e “Projektit Dalisay” kanë marrë pjesë në seancat dëgjimore publike në të cilat u debatua projektligji në një përpjekje për të ndryshuar pikëpamjet.

Deri në fund të janarit disa senatorë që më parë e mbështetën projektligjin tërhoqën mbështetjen e tyre dhe presidenti Ferdinand Marcos Jr., dikur një mbështetës publik i projektligjit, u zotua ta vërë veton në formën e tij të atëhershme.

Në përgjigje të “reagimit të ashpër”, një përfaqësuese e senatores Hontiveros, i ka thënë CNN-it se u bënë ndryshime. Kjo përfshinte heqjen e frazës të udhëhequr nga “standardet ndërkombëtare” dhe shtimin e një rreshti që siguronte “autoritetin prindëror ose lirinë akademike dhe fetare”. Përmendjet e abortit dhe kontracepsionit janë hequr gjithashtu.

Versioni i fundit i projektligjit është riparaqitur muajin e kaluar dhe tani do të përballet me disa runde seancash dëgjimore dhe leximesh nga ligjvënësit.

E tronditur, nga vajzëria në amësi

Ndërkohë, 15-vjeçarja Jude po përballet me identitetin e saj të ri si një nënë e re, duke i thënë CNN-it se mësoi për herë të parë për seksin nga partneri i saj shumë më i madh në moshë. Vajza e re e la shkollën në moshën 14 vjeçe, kur ishte tetëmuajshe shtatzënë, dhe u zhvendos të jetonte me të dashurin e saj atëherë 21-vjeçar, me familjen e të cilit jeton ende.

Kjo diferencë moshe prej 7 vjetësh është mesatarja për nënat e reja, sipas një studimi të financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Organizata joqeveritare për Planifikimin Familjar e Filipineve (FPOP) tani po e mbështet Juden me masa planifikimi familjar dhe po ndan burimet e disponueshme për t’i mundësuar asaj të vazhdojë studimet e saj. Organizata i ka thënë CNN-it se rasti i Judes “nxjerr në pah një shqetësim kritik në lidhje me pëlqimin, çekuilibrin e pushtetit dhe vendimmarrjen brenda marrëdhënieve të reja”.

Shtatzënia te vajzat nën moshën 16 vjeçe është gjithashtu tri herë më e rrezikshme sesa te gratë më të moshuara, shpjegon dr. Junice Melgar, drejtoreshë Ekzekutive në Likhaan, një organizatë joqeveritare në Filipine.

Vajzat e reja nuk janë fizikisht ose mendërisht të gatshme për të mbajtur foshnjë dhe nuk kërkojnë kujdes nëse mbeten shtatzëna, thotë Melgar.

“Dhe veçanërisht nëse ka shumë stigmë, ato nuk inkurajohen të kërkojnë kujdes”, shpjegon ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nënat e mitura dhe adoleshente përballen me rreziqe më të larta të eklampsisë (krizave), endometritit pas lindjes (inflamacion i shtresës së brendshme të mitrës për shkak të infeksionit pas lindjes) dhe infeksioneve sistemike, sesa gratë që janë 20-24 vjeç.

Foshnjat e nënave adoleshente gjithashtu përballen me rreziqe më të larta të peshës së ulët të lindjes, lindjes së parakohshme dhe gjendjeve të rënda neonatale. OJQ-të si Likhaan punojnë për të mbushur hendekun në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues duke vizituar komunitetet që thonë se kanë më shumë nevojë për to.

CNN-i ka ndjekur ekipin e tyre të vullnetarëve të rinj në zonat e pafavorizuara të Malabon, një qytet afër Manilës, ku fëmijët luajnë jashtë në rrugë dhe adoleshentët rrinë pranë dyqaneve të ushqimeve të shpejta.

Të mirëpritur nga komuniteti, vullnetarët flasin me të rinjtë rreth gjinisë dhe marrëdhënieve. Ata gjithashtu u afrohen prindërve, duke u dhënë atyre broshura se si të flasin me fëmijët e tyre për seksin.

Vajzave të reja si Clara këto materiale mund t’ua kishin ndryshuar jetën, duke u mundësuar të qëndronin në shkollë dhe të vazhdonin fëmijërinë e tyre.

“Ndihem e trishtuar. Dua të shkoj në shkollë”, i ka thënë ajo CNN-it. Edhe nëse do të ishte në gjendje të shkonte, ajo pranon se mund të ndihet “e turpëruar”.

Clara shpreson të lindë në spital dhe thotë se deri më tani e vetmja mbështetje që ka marrë është nga nëna e saj. Lindja e afërt e frikëson.

“Shumë më thanë se do të jetë e dhimbshme”, thotë ajo.

Ajo ende shpreson që një ditë të mbarojë shkollën dhe shpreson që fëmija i saj të ketë mundësi më të mira se ajo.