Parlamenti i Danimarkës ka votuar me shumicë dërrmuese në favor të një marrëveshjeje të re të mbrojtjes që i jep Shteteve të Bashkuara të Amerikës kompetenca më të gjera në territorin danez, përfshirë “qasje të pakufizuar” në bazat e saj ajrore.
Marrëveshja e shumëkritikuar nga politikanët dhe ekspertët e të drejtave të njeriut, nënkupton që ushtarët amerikanë në Danimarkë do të qëndrojnë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara. Ndër të tjera, ajo u lejon atyre qasje në bazat ajrore në tri qytetet daneze Karup, Skrydstrup dhe Aalbrog, si dhe u jep ushtarëve dhe policisë ushtarake amerikane kompetenca mbi civilët danezë në këto baza dhe përreth tyre.
Bazuar në marrëveshje, në qoftë se ushtarët amerikanë kryejnë ndonjë krim në Danimarkë, atëherë ata do të dënoheshin nën sistemin ligjor të SHBA-së, e jo të Danimarkës. SHBA-ja do të jetë po ashtu në gjendje të zhvillojë aktivitete ushtarake brenda dhe prej Danimarkës – përfshirë vendosjen e personelit, ruajtjen e materialeve dhe pajisjeve ushtarake, mirëmbajtjen, trajnimet dhe aktivitetet e ndryshme.
Pavarësisht tensioneve të shtuara mes SHBA-së dhe Danimarkës pas përpjekjes së pashembullt të presidentit amerikan Donald Trump për ta blerë Grenlandën –pjesë strategjikisht e rëndësishme e mbretërisë daneze – si dhe raporteve se agjencitë amerikane të inteligjencës u urdhëruan të zgjeronin spiunazhin në këtë territor, një shumicë e gjerë në parlamentin danez (Folketinget) votoi në mbështetje të miratimit të marrëveshjes. Në total, 94 deputetë votuan pro projektligjit dhe 11 kundër.
Pak para votimit, lideri i partisë “Lista e Unitetit”, Pelle Dragsted, ka thënë se marrëveshja është e “dëmshme për vendin”.
“Është një marrëveshje që do të thotë se do të kemi zona në Danimarkë që do të jenë nën juridiksion amerikan. Ku autoritetet daneze nuk mund të ushtrojnë kontroll. Dhe ku mund të ndodhin keqtrajtime të të burgosurve”, ka thënë ai. “Është një dështim gjigant ndaj popullatës daneze”.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden në dhjetorin e vitit 2023. Që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet midis Kopenhagës dhe Washingtonit kanë ndryshuar në mënyrë dramatike.
Disa politikanë besojnë se marrëveshja e re mund të dorëzojë sovranitetin danez dhe madje të jetë një shkelje e Kushtetutës daneze. Qeveria daneze i ka mohuar këto pretendime.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka deklaruar se situata midis dy vendeve e bën edhe më të nevojshme ruajtjen e lidhjeve të ngushta.
“Problemi nuk është përfshirja e tepërt e SHBA-së në Evropë. Përkundrazi, rreziku është që SHBA-ja të tërhiqet, të largojë trupat ose të ndalojë ndihmat për Ukrainën”, ka shtuar ajo.
Në një konsultim të martën, ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, ka thënë se autoritetet daneze do të kenë “përgjegjësi kryesore për sigurinë, si brenda ashtu edhe jashtë objekteve që mbulohen nga marrëveshja”.
Instituti Danez për të Drejtat e Njeriut ka thënë se projektligji rrezikon t’u japë ushtarëve amerikanë të drejtën të ndalojnë demonstratat jashtë bazave të tyre dhe do të pengojë Danimarkën të ndjekë penalisht ata nëse përdorin forcë të tepruar.
“Nëse projektligji miratohet dhe ushtarët amerikanë kryejnë veprime të paligjshme në Danimarkë, kjo do të jetë jashtë kontrollit danez dhe jashtë kompetencës së sistemit ligjor danez për t’i ndjekur penalisht këto veprime”, ishte shprehur Peter Vedel Kessing, studiues i lartë në Institutin Danez për të Drejtat e Njeriut për “The Guardian”.