Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederikesen, i ka thënë presidentit amerikan, Donald Trump të "ndalojë kërcënimet" për marrjen e Grenlandës.
Frederiksen ka thënë se "nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flasësh për nevojën që Shtetet e Bashkuara të marrin Grenlandën", duke shtuar se “SHBA-ja nuk ka të drejtë të aneksojnë asnjë nga tri kombet në mbretërinë daneze”.
Vërejtjet e saj vijnë pasi Katie Miller - gruaja e njërit prej ndihmësve të Trumpit, Stephen Miller, ka postuar në Tëitter një hartë të Grenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan së bashku me fjalët “Së shpejti”.
Trumpi ka ngritur vazhdimisht mundësinë që Grenlanda të bëhet një pjesë e aneksuar e SHBA-së, duke përmendur vendndodhjen e saj strategjike dhe pasurinë minerale.
Në deklaratën e saj, të postuar në faqen e internetit të qeverisë daneze, Frederiksen ka thënë se po i drejtohej SHBA-së "shumë drejtpërdrejt".
Ajo ka thënë se Danimarka - "dhe kështu Grenlanda", është anëtare e NATO-s dhe e mbuluar nga garancia e sigurisë së aleancës.
Danimarka tashmë ka një marrëveshje mbrojtjeje me SHBA-në që i jepte asaj qasje në Groenlandë, ka thënë ajo, teksa Danimarka kishte rritur investimet e saj në siguri në rajonin e Arktikut.
"Prandaj, do t'i nxisja fuqimisht Shtetet e Bashkuara të ndalojnë kërcënimet kundër një aleati historikisht të ngushtë dhe kundër një vendi tjetër dhe një populli tjetër që e kanë thënë shumë qartë se nuk janë në shitje", ka shtuar Frederiken.
Mirëpo disa orë më vonë në Air Force One, Trumpi ka përsëritur qëllimin.
"Ne kemi nevojë për Grenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”, ka thënë ai.
Presidenti amerikan më parë ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e Grenlandës, një ishull i madh në Arktik.
Trump ka pohuar se bërja e saj pjesë e Shteteve të Bashkuara do t'u shërbente interesave të sigurisë së SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe bollëkut të mineraleve kritike për sektorët e teknologjisë së lartë.
Edhe lëvizja e fundit e administratës Trump për të emëruar një të dërguar të posaçëm në Grenlandë ka shkaktuar zemërim në Danimarkë.
Grenlanda, e cila ka një popullsi prej 57,000 banorësh, ka pasur vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në duart e Danimarkës.
Ndërsa shumica e banorëve të Grenlandës mbështesin pavarësinë përfundimtare nga Danimarka, sondazhet e opinionit tregojnë kundërshtim dërrmues ndaj bashkimit me SHBA-në.