Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka kujtuar bashkëpunimin me ish-Sekretaren e Shtetit në kohën sa ai ishte president, Madeleine Albright, për të ndalur spastrimet etnike në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Nëpërmjet një letre dedikuar asaj dhe kontributit që Albright i ka dhënë Amerikës e botës, Clinton e ka cilësuar atë si sekretaren më të mirë që SHBA-ja ka pasur deri më tash.
“Ajo ishte një nga sekretarët më të mirë të SHBA-së, një ambasadore e shquar e OKB-së, një profesoreshë e shkëlqyer dhe një qenie njerëzore e jashtëzakonshme. Pak udhëheqës kanë qenë kaq të përshtatshëm për kohën në të cilën kanë shërbyer”, ka shkruar Clinton në letrën e publikuar në Twitter të mërkurën.
Teksa tregoi se si Albright është bërë zëri i Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e më pas mori drejtimin e Departamentit të Shtetit, Clinton tregoi se si ajo ka shfrytëzuar pozicionin e saj në politikë për avancimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit, duke përmendur përfundimin e spastrimit etnik në Kosovë dhe Bosnje.
Përfundimi i spastrimit etnik në Bosnje dhe Kosovë, mbështetja e zgjerimit të NATO-s në Evropën Qendrore; luftimi i përhapjes së armëve bërthamore duke zgjeruar përpjekjet e SHBA-së për të forcuar shoqërinë civile, reduktimi i varfërisë dhe lehtësimi i borxhin në vendet në zhvillim, janë disa nga veprat e Albrightit që Clinton i ka përmendur në këtë letër.
Ai më tej ka kujtuar edhe kohën kur më 2019 së bashku kanë udhëtuar për në Kosovë, për të festuar 20-vjetorin e përfundimit të luftës.
“Pothuajse tre vjet më parë, ne bëmë udhëtimin tonë të fundit së bashku për të festuar 20-vjetorin e luftës së Kosovës për pavarësi, kur ata i kushtuan një statujë të saj në qendër të Prishtinës. ajo kishte një ditë të merituar të lumtur”, ka shkruar ai.
Ish-Presidenti i Amerikës ka thënë se vdekja e Albrightit është një humbje e madhe për botën në një kohë kur ka më shumë nevojë për mësimet e jetës së saj që frymëzuan shumë njerëz.
“Nga udhëtimi i saj i jashtëzakonshëm si refugjate në Sekretare të Shtetit”, ka përfunduar ai.
My statement on the passing of Madeleine Albright—one of the finest Secretaries of State, an outstanding UN Ambassador, a brilliant professor, and an extraordinary human being. pic.twitter.com/50QXFhzGit
— Bill Clinton (@BillClinton) March 23, 2022