Cirku më i madh në Hungari po ballafaqohet me krizë financiare, pasi është mbyllur tash e një vit shkaku i pandemisë.
Ai ka më shumë se 50 kafshë të cilave duhet t’u sigurohet kujdes i veçantë – gjithsesi mjaft i kushtueshëm – por nuk ka të ardhura nga paraqitjet skenike.
Florian Richter po i trajnon kuajt e tij, por nuk ia ka idenë se kur do të mund t’u rikthehen shfaqjeve para publikut.
Ai është pronar i cirkut më të madh në Hungari, por ka qenë i mbyllur për shkak të pandemisë.
Trupa po priste që pas një dite ta shfaqte premierën e sezonit të 2020-s, kur qeveria deklaroi gjendjen emergjente për ta ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Për shkak të masave të reja, cirku “Florian Richter” është dashur t’i shfrytëzonte fitimet e mbetura të dimrit, pasi nuk ka bërë asnjë shfaqje për më shumë se një vit.
“Të moshuarit gjithmonë më kanë thënë se “gjërat bien në vend”. Por, ka kaluar më shumë se një vit dhe s’ka asgjë. Normalisht se më duhet të mendoj si biznesmen, si artist dhe si baba në të njëjtën kohë. Jam pika fokale e këtij cirku, kështu që nuk mund të dorëzohem, nuk mund ta lë veten që të kaplohem nga ndjenjat”, ka thënë ai.
Ndikimi në rezervat e financave të cirkut ka qenë dramatik.
Cirku ka mbetur pa të ardhura, pasi i ka shpenzuar paratë e kursyera gjatë viteve.
Cirku ka numrin më të madh të kafshëve krahasuar me cirkat e tjerë në Hungari – 50 gjithsej, përfshirë disa elefantë indianë, tetë deve, pesë zebra, tre poni dhe 32 kuaj.
Këto kafshë janë goxha të kushtueshme dhe cirku duhet t’i paguajë gjashtë punëtorë për t’u kujdesuar për ta.
Por, për menaxhmentin e cirkut, jo vetëm kafshët janë ato që duhet të mbesin gjallë, por edhe shpirti i trupës.
Përderisa kafshët mund të mbijetojnë me rezervat e dimrit, akrobatëve u është dashur të punojnë përkohësisht në cirkun e kryeqytetit në Budapest.
Ky cirk i ka mbyllur dyert për shkak të pandemisë së koronavirusit, por shfaqjet po transmetohen online.
Ndonëse artistët kanë mundur të ushtrojnë atje, nuk është njësoj sikur shfaqjet e mëhershme. Megjithëkëtë, ata i kanë ushtruar koreografitë e tyre, pasi duan të jenë gati për momentin e rihapjes.
Përderisa vaksinat po shpërndahen në tërë botën, Richter është shumë optimist që cirku do të mund të shkojë në turne.
“Ka shpresë. Duhet të përgatitemi që të jemi gati për ta mbajtur premierën tonë tradicionale më 1 korrik. Megjithëkëtë, gjatë kësaj kohe, situata me virusin mund të ndikojë që ta anulojmë, por ne duhet të jemi gati.”
Kjo është gjenerata e shtatë e dinastisë dhe artistëve të cirkut nga familja Richter që u ka mbijetuar dy luftërave botërore dhe komunizmit.
Ata janë të vendosur që t’i mbijetojnë edhe kësaj pandemie.