Botë

#challengeaccepted: Feministet në Turqi përkujtojnë kuptimin e vërtetë të trendit

Feministet në Turqi i kanë bërë thirrje tërë botës që të mos harrohet konteksti origjinal i trendit #challengeaccepted në internet, i cili ka pasur për qëllim tërheqjen e vëmendjes ndaj numrit të madh të dhunës gjinore në këtë shtet, para se trendi të merrte kah tjetër në perëndim.

Vrasja e grave, dhuna ndaj tyre dhe të ashtuquajturat vrasjet “për nder” janë probleme të mëdha në Turqi. Javën e kaluar, ky shtet u lëkund sërish me vrasjen brutale të Pinar Gultekin, një studente 27 vjeçare, të cilën thuhet se e vrau ish i dashuri i saj, shkruan The Guardian, transmeton KOHA.

Personat që bëjnë kampanjë për këtë çështje janë gjithashtu të brengosur për shkak të përpjekjeve të Presidentit Rexhep Tayip Erdogan për të anuluar traktatin e Këshillit Evropian të njohur si Konventa e Stambollit, një legjislacion nga viti 2011 i cili i mbron viktimat e dhunës në familje dhe i persekuton në mënyrë të efektshme keqbërësit.

Për shkak të kësaj situate janë mbajtur marshe dhe tubime në katër qytete të Turqisë, ku u përkujtua viktima dhe iu bë thirrje politikanëve turq që të mos anulojnë Konventën e Stambollit.

Njëra nga iniciativat ishte edhe postimi i fotografive nëpër mediat sociale, në bardh e zi si simbolikë dhe solidarizim me fotografitë bardh e zi të grave të vrara që përfundojnë si lajmërime të vdekjeve në mure dhe gazeta.

Duket se sfida bardh e zi ka filluar në vitin 2016 për të ngritur vetëdijesimin rreth kancerit, por ideja që gratë t’i bëjnë “tag” apo thirrje grave tjera për përkrahje dhe frymëzim, dhe sfidat #challengeaccepted dhe #İstanbulSözleşmesiYaşatır apo “zbatoje Konventën e Stambollit” në internet, u bënë pjesë kyçe e vetëdijesimit dhe përkrahje e këtyre protestave.

Derisa kjo sfidë u përkthye dhe u nda nëpër internet në gjuhë tjera dhe shtete tjera, dhe personat me famë si Jenifer Aniston, Eva Longoria e madje edhe Ivanka Trump u bënë pjesë e këtij trendi, duket se konteksti origjinal i kësaj sfide ka humbur, dhe është shndërruar në një solidaritet femëror pa ndonjë drejtim të caktuar.

“Sfida e fotografive bardh e zi për solidaritet në mes femrave dhe lëvizja #challengeaccepted nuk nisi në Turqi, por gratë turke nisën trendin e fundit të sfidës sepse jemi të brengosura për shkak tërheqjes nga Konventa e Stambollit gjersa viktima të dhunës ka çdo ditë. Çdo ditë, pasi njëra nga motrat tona vritet, ne ndajmë fotot bardh e zi dhe mbajmë kujtimin e tyre gjallë”, tha Fidan Ataselim, sekretarja gjenerale e grupit për kampanjë “Do të Ndalim Vrasjen e Grave”.

“Konventa Stambollit i mban gratë turke gjallë. I bëjmë thirrje grave nga e tërë bota që ta përhapin këtë mesazh dhe të na qëndrojnë pranë, kundër padrejtësisë”, shtoi ajo.