Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Çfarë mund të bëjë Evropa ushtarakisht për Kievin?

Shumica e armëve me të cilat furnizohet Ukraina për t'u mbrojtur nga sulmet ruse ofrohen nga SHBA-ja. Por për momentin SHBA-ja ka ndalur dërgimin e ndihmave ushtarake me pasoja të mëdha. Aleatët janë në dilemë

(DW) - Në fund të dhjetorit SHBA-ja i ofroi Ukrainës së sulmuar nga Rusia edhe një herë armë dhe pajisje ushtarake në vlerë prej 250 milionë dollarësh, ndoshta një fond të fundit. Pak ditë më vonë, SHBA-ja njoftoi se mjetet financiare për mbështetjen e Ukrainës janë konsumuar. E për sa kohë Kongresi Amerikan nuk miraton mjete të reja financiare për Ukrainën, nuk mund të miratohet një paketë e re ndihme. Shtrohet pyetja, si dhe për sa kohë do të mund t'i zëvendësonte furnizimet amerikane pjesa tjetër e Perëndimit - derisa Kongresi të vendosë për 110 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën dhe Izraelin?

 Rezervat e predhave të artilerisë janë konsumuar

Një nga komponentët më të rëndësishëm të ndihmës ushtarake amerikane ishin predhat 155 mm të artilerisë, një municion standard që përdoret edhe nga vendet e NATO-s. Por dy vjet pas luftës dhe furnizimeve të vazhdueshme për Ukrainën janë konsumuar shumë nga rezervat e partnerëve perëndimorë.

Evropa me gjithë premtimet për mbështetjen e Ukrainës dhe nevojave të veta, nuk e ka rritur sa duhet prodhimin. Këtij boshllëku në rezervat vetjake i shtohet tani edhe mungesa e SHBA-së si furnizuese. Nga shkurti 2022, vetëm SHBA-ja e ka furnizuar Ukrainën me 1.5 milionë granata. BE-ja ka premtuar se deri në pranverë të vitit 2024 do ta mbështeste Ukrainën me 1 milion granata. Por shifrat thonë, se janë dërguar vetëm 300.000 granata, shumë më pak se që ishte planifikuar.

Disa vende të BE-së e kanë kuptuar nevojën për furnizim: Gjermania për shembull planifikon të vë në dispozicion gjatë vitit 2024 200.000 granata të tilla. Edhe Britania e Madhe, Finlanda, Norvegjia dhe disa vende të tjera kanë bërë premtime të ngjashme.

Edhe Çfarë ndihma ushtarake i ka dhënë SHBA-ja Ukrainës para pezullimit Botë 1 v. më parë Çfarë ndihma ushtarake i ka dhënë SHBA-ja Ukrainës para pezullimit

Pa mbështetjen e SHBA-së krijohen ngushtica furnizimi

Së fundmi u shfaqën në front madje predha 155 mm të prodhuara në Indi, megjithëse origjina e tyre e saktë nuk dihet. Pavarësisht njoftimeve të bëra furnizimet e vendeve të tjera janë në sasi shumë më të vogla krahasuar me furnizimet e SHBA-së. Nëse SHBA-ja mbetet e pavendosur në mbështetjen ushtarake për Kievin, artileria ukrainase do të përballet me ngushtica serioze furnizimi. Me gjithë premtimet perëndimore, prodhimi i municionit kërkon kohë, edhe nëse vendosen linja të reja prodhimi në punë.

E po qe se SHBA-ja ndal furnizimet e sistemeve më komplekse të armëve, pasojat do të ishin edhe më të rënda. Bëhet fjalë për raketat e sistemeve të mbrojtjes ajrore, NASAMS dhe Patriot si edhe raketa për sistemin HIMARS dhe tanket mbrojtës AT-4 e Javelin. Vërtet që ka vende të tjera, që i posedojnë armë të tilla, si Australia, Norvegjia, Holanda, Lituania etj., por sasia e municioneve që kanë ato në dispozicion është shumë më e vogël se ajo e SHBA-së.

Edhe nëse vende të tilla teorikisht do të zëvendësonin mungesën e furnizimeve të SHBA-së, kjo nuk do të zgjaste shumë, sepse rezervat e këtyre vendeve do të shteronin shumë më shpejt se ato të SHBA-së. Kjo vlen edhe për raketat HIMARS, Javelin, tanket At-4 dhe sistemet e tjera.

Aleatët para dilemës

Edhe BE-ja përgatit planin për të rritur furnizimin e Ukrainës me armatim Botë 1 v. më parë BE-ja përgatit planin për të rritur furnizimin e Ukrainës me armatim

Edhe sikur këto vende do të ofronin një pjesë të konsiderueshme të rezervave të tyre për Ukrainën, pyetja tjetër që shtrohet është: nëse kjo do të ishte e mundur, sa kohë do t’u nevojitej atyre për të rimbushur rezervat. Vendet që kanë sisteme të armëve të prodhuara në SHBA janë para një vendimi të vështirë: Sa më shumë që ato e furnizojnë Ukrainën, aq më shumë do të kufizoheshin kapacitetet e tyre të mbrojtjes. Në të njëjtën kohë ato e dinë se sasitë më të vogla që ato ofrojnë, krahasuar me furnizimet e SHBA-së, edhe dallimin e kanë më të vogël. Dilema nuk është e re, ajo ekziston që nga fillimi i shkallëzimit të luftës. Por tani që furnizimet e SHBA-së kanë rënë, ajo është shumë akute.

Nga këndvështrimi i Ukrainës ka një rëndësi vendimtare, nëse dhe kur i miraton Kongresi ndihmat e tjera ushtarake. Nëse kjo nuk ndodh në javët e ardhshme, mbrojtja e Ukrainës do të vështirësohet hap pas hapi.