Liderët e NATO-s pritet të aprovojnë rritjen e forcave të veta në lindje të Evropës në një samit të posaçëm, pasi Rusia prej një muaji ka filluar pushtimin e Ukrainës, shkroi BBC-ja të mërkurën.
Shtetet anëtare tashmë kanë dërguar armë për Ukrainën.
Rusia ka kërcënuar me armë bërthamore si përgjigje për atë që ajo e quan, agresion i NATO-s.
Çfarë është NATO?
NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – është një aleancë ushtarake e formuar më 1949 nga 12 shtete, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Britaninë dhe Francën.
Edhe
Deklarata e përbashkët e liderëve të NATO-s: Sulmi ndaj njërit, sulm ndaj të gjithëve
Anëtarët pajtohen që t’i vijnë njëra-tjetrës në ndihmë në rast të një sulmi të armatosur kundër njërës prej shteteve anëtare.
Qëllimi i saj fillimisht ishte të ndalte kërcënimin e zgjerimit rus në Evropë.
Më 1955 Rusia Sovjetike iu përgjigj NATO-s duke krijuar aleancën e saj ushtarake të vendeve komuniste të Evropës Lindore, të quajtur Pakti i Varshavës.
Pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik më 1991, një numër i ish-shteteve të Paktit të Varshavës ndërruan anë dhe u bënë anëtare të NATO-s. Aleanca tani ka 30 anëtarë.
Pse nuk është Ukraina anëtare e NATO-s?
NATO fillimisht i ofroi Ukrainës anëtarësim eventual më 2008 dhe pas aneksimit rus të Krimesë më 2014, Ukraina e bëri prioritet anëtarësimin në NATO.
Por, kjo nuk ka ndodhur, më shumë për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të Rusisë.
Rusia ka frikë se NATO po cenon territorin e saj duke marrë anëtarë të rinj në lindje të Evropës dhe se pranimi i Ukrainës do t’ia çonte forcat e NATO-s ngjitur me kufijtë e saj.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pranuar se vendi i tij nuk mund t’i bashkohet NATO-s tani, duke thënë: “Është e qartë se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Ne e kuptojmë këtë”.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha të njëjtën gjë, se “nuk ka asnjë mënyrë që Ukraina t’i bashkohet NATO-s në një të ardhme të afërme”.
Një nga kërkesat e Rusisë para se të niste pushtimin ishte që Ukraina kurrë të mos lejohet të anëtarësohet – gjë që aleanca e ka refuzuar ta mbështesë.
Edhe
NATO-ja kritikon politikat bërthamore të Rusisë dhe të Kinës
Pse nuk po dërgon NATO trupa në Ukrainë?
Sepse Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, aleanca nuk është e obliguar t’i vijë në ndihmë të shtetit.
Shtetet e NATO-s frikësohen se nëse trupat e tyre konfrontohen me forcat ruse në Ukrainë, mund të çojë në konflikt më të madh mes Rusisë dhe Perëndimit.
Kjo është edhe arsyeja pse NATO refuzoi të vendosë zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
Si po e ndihmon Perëndimi Ukrainën?
Disa shtete të NATO-s kanë dërguar armë në Ukrainë për ta ndihmuar kundër Rusisë.
SHBA-ja ka qenë furnizuesja më e madhe e pajisjeve ushtarake. Fillimisht dërgoi 200 milionë dollarë e më pas 350 milionë dollarë armë. Po ashtu, ka lejuar shtetet e tjera të NATO-s ta furnizojnë Ukrainën me armët e prodhuara nga Amerika.
Bashkimi Evropian ka thënë se do të shpenzojë 450 milionë euro për të furnizuar Ukrainën me armë. Është hera e parë në historinë e saj që BE-ja ndihmon në sigurimin e armëve për një zonë lufte.
Sa trupa ka NATO-ja në Evropën Lindore?
NATO tashmë ka trupa që në shtetet baltike deri në Rumani dhe tani po vendosë forca shtesë.
Forcat ishin stacionuar aty nga viti 2014, pasi Rusia aneksoi Krimenë.
Edhe
Pse Serbia nuk është neutrale?
Ka 100 avionë luftarakë në gatishmëri të lartë dhe 120 anije, duke përfshirë tri grupe transportuesish, që patrullojnë detet nga veriu i largët deri në Mesdheun lindor.
“Ne do të mbrojmë secilin inç të territorit të NATO-s”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.