Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Burrneshat e përkohshme të Afganistanit

Sipas praktikës, një vajzë vishet, sillet dhe trajtohet si djalë me të gjitha liritë dhe detyrimet që sjell ndryshimi. Fëmija mund të luajë sport, të ndjekë një medrese ose shkollë fetare dhe ndonjëherë, më e rëndësishmja për familjen, të punojë. Por ka një kufi kohor: Sapo një bacha-posh të arrijë pubertetin, ajo pritet t'u rikthehet roleve gjinore tradicionale të vajzave. Tranzicioni nuk është gjithmonë i lehtë

Në një lagje të Kabulit një grup djemsh shkelmojnë topin e verdhë rreth një fushe të pluhurosur lojërash, derisa britmat e tyre të zhurmshme jehojnë deri te banesat e ndërtesave përreth.

Të veshur me pulovra dhe xhinse ose veshje tradicionale afgane mashkullore me pantallona të gjera dhe këmishë të gjatë, asnjëri nuk bie në sy teksa nxitojnë për të shënuar gol. Por ata nuk e dinë pa e ditur se njëri prej tyre është i ndryshëm nga të tjerët.

Image
Lëvizja ia hapi botën e një djali: që të luante futboll dhe kriket me djemtë, të kacafytej me djalin e kasapit të lagjes, ose të punonte që të ndihmonte familjen që ta siguronte bukën e gojës

Të jetosh si “bacha posh”

Në moshën 8-vjeçare Sanam është një bacha-posh: një vajzë që jeton si djalë. Një ditë prej ditësh, disa muaj më parë, vajza faqekuqe dhe buzëqeshje të ëmbël preu shkurt flokët, veshi rrobat e djemve dhe mori emrin e një djali, Omid. Lëvizja ia hapi botën e një djali: që të luante futboll dhe kriket me djemtë, të kacafytej me djalin e kasapit të lagjes, të punonte që të ndihmonte familjen që ta siguronte bukën e gojës.

Në shoqërinë shumëpatriarkale të Afganistanit, të dominuar nga meshkujt, ku gratë dhe vajzat zakonisht rrinë në shtëpi, bacha posh, në gjuhën dari për "t’u veshur si djalë", është e vetmja traditë që u lejon vajzave qasje në botën më të lirë mashkullore.

Edhe Dëshpërimi i vajzave të reja në Afganistan nga privimi i mundësisë për t’u shkolluar Botë 1 muaj më parë Dëshpërimi i vajzave të reja në Afganistan nga privimi i mundësisë për t’u shkolluar

Sipas praktikës, një vajzë vishet, sillet dhe trajtohet si djalë, me të gjitha liritë dhe detyrimet që sjell. Fëmija mund të luajë sport, të ndjekë një medrese ose shkollë fetare dhe, ndonjëherë më e rëndësishmja për familjen, të punojë. Por ka një kufi kohor: Sapo një bacha-posh të arrijë pubertetin, ajo pritet t'u rikthehet roleve gjinore tradicionale të vajzave. Tranzicioni nuk është gjithmonë i lehtë.

Heshtja e talebanëve

Është e paqartë se si shihet praktika nga sundimtarët e rinj të Afganistanit, talebanët, të cilët morën pushtetin në mes të gushtit dhe nuk kanë bërë deklarata publike për këtë çështje.

Sundimi i tyre deri më tani ka qenë më pak drakonian se hera e fundit që ata ishin në pushtet në vitet 1990, por liritë e grave janë ende shumë të kufizuara. Mijëra grave u është ndaluar të punojnë dhe vajzat përtej moshës së shkollës fillore nuk kanë mundur të ktheheshin në shkollat ​​publike në shumicën e vendeve.

Me një goditje ndaj të drejtave të grave, tradita bacha posh mund të bëhet edhe më tërheqëse për disa familje. Dhe duke qenë se praktika është e përkohshme, me fëmijët që përfundimisht kthehen në rolet femërore, talebanët mund të mos merren fare me këtë çështje, tha Thomas Barfield, profesor i antropologjisë në Universitetin e Bostonit, i cili ka shkruar disa libra për Afganistanin.

“Për shkak se është brenda familjes dhe për shkak se nuk është një status i përhershëm, talebanët mund të mos merren fare me të”, tha Barfield.

Image
“Kur vesha rrobat e vajzave mendova se isha në burg", tha Najieh, e cila u rrit si një bacha-posh, megjithëse do të ndiqte shkollën si vajzë. Tani, 34 vjeç, e martuar dhe nënë e katër fëmijëve, ajo qan për lirinë e botës mashkullore që ka humbur

Tradita e ngjashme shqiptare

Është e paqartë se ku e ka origjinën praktika ose sa e vjetër është, dhe është e pamundur të dihet se sa e përhapur mund të jetë. Një traditë disi e ngjashme ekziston edhe në Shqipëri, një shoqëri tjetër thellësisht patriarkale, megjithëse është e kufizuar vetëm tek të rriturit. Sipas traditës së "virgjëreshave të përbetuara" të Shqipërisë, një grua do të betohej për beqari dhe do të shpallej burrë dhe pastaj mund të trashëgojë pronën, të punojë dhe të ulej në këshillin e fshatit - të gjitha këto dikur do të ishin të ndaluara kufijve për një grua.

Në Afganistan tradita bacha posh është "një nga temat më pak të studiuara" për sa u përket çështjeve gjinore, tha Barfield, i cili kaloi rreth dy vjet në vitet 1970 duke jetuar me një familje nomade afgane që përfshinte një bacha posh. “Pikërisht për shkak se vajzat i rikthehen rolit të femrës, ato martohen dhe disi tradita zhduket”.

Vajzat e zgjedhura si bacha-posh zakonisht janë vajzat më të zhurmshme dhe të sigurta në vetvete. “Roli përshtatet aq mirë sa ndonjëherë edhe jashtë familjes njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se ekziston”, tha ai.

"Është pothuajse aq e padukshme sa është një nga çështjet e pakta gjinore që nuk shfaqet si një çështje politike apo sociale", vuri në dukje Barfield.

Shkaqet e ndryshme

Arsyet pse prindërit duan të kenë një një bacha posh, ndryshojnë. Me djemtë që tradicionalisht vlerësohen më shumë se vajzat, kjo praktikë zakonisht spikatet në familjet pa djalë. Disa e konsiderojnë atë një simbol statusi e disa besojnë se do të sjellë fat që fëmija i ardhshëm të lindë djalë.

Edhe Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit Botë 5 d. më parë Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit

Por për të tjerët, si familja e Sanamit, zgjedhja ishte domosdoshmëri. Vitin e kaluar, me kolapsin e ekonomisë së Afganistanit, më nuk kishte punë në ndërtimtari. Babai i Sanamit, i cili tashmë vuante nga një dëmtim i boshtit kurrizor, humbi punën si hidraulik. Ai iu drejtua shitjes së maskave të koronavirusit në rrugë, duke fituar ekuivalentin prej 1-2 dollarësh në ditë. Por ai kishte nevojë edhe për një dorë për ta ndihmuar mirëqenien elementare të familjes.

Familja ka katër vajza dhe një djalë, por djali i tyre 11-vjeçar nuk i lëviz plotësisht duart shkaku i disa telasheve shëndetësore. Kështu që prindërit vendosën ta bëjnë Sanamin bacha posh.

"Ne u desh ta bënim këtë për shkak të varfërisë”, tha nëna e Sanamit, Fahima. “Ne nuk kemi një djalë që të punojë për ne dhe babai i saj nuk ka askënd që ta ndihmojë. Kështu që do ta konsideroj djalin tim derisa të bëhet adoleshent”.

Megjithatë, Fahima i referohet Sanamit si "vajza ime". Në gjuhën e tyre amtare dari, përemrat nuk janë problem pasi i njëjti përemër përdoret për "ai" dhe "ajo".

“Sikur të isha djalë”

Sanam thotë se preferon të jetojë si djalë.

"Është më mirë të jesh djalë... Unë vesh (rroba mashkullore afgane), xhinse dhe xhaketa dhe shkoj me babanë tim dhe punoj”, tha ajo. Asaj i pëlqen të luajë në park me miqtë e vëllait të saj dhe të luajë kriket dhe futboll.

Pasi të rritet, tha Sanam, ajo dëshiron të jetë ose mjeke, komandante ose ushtare, ose të punojë me babanë e saj. Dhe ajo do të kthehet në vajzë.

"Kur të rritem do t'i lë flokët të rriten dhe do të vesh rroba vajzash", tha ajo.

Tranzicioni nuk është gjithmonë i lehtë.

"Kur vesha rrobat e vajzave, mendova se isha në burg", tha Najieh, e cila u rrit si një bacha-posh, megjithëse do të ndiqte shkollën si vajzë. Tani 34 vjeç, e martuar dhe nënë e katër fëmijëve, ajo qan për lirinë e botës mashkullore që ka humbur.

"Në Afganistan djemtë janë më të vlefshëm”, tha ajo. “Nuk ka shtypje për ta dhe nuk ka kufi. Por të jesh vajzë është krejt ndryshe. Vajza detyrohet të martohet në moshë të re”.

Gratë e reja nuk mund të dalin nga shtëpia ose të lejojnë të huajt të shohin fytyrën e tyre, tha Najieh. Dhe pas marrjes së pushtetit nga talebanët ajo humbi punën e saj si mësuese për shkak se kishte mësuar djem.

Edhe Shitja e fëmijëve për të mbijetuar: Afganët detyrohen të marrin vendime të vështira Botë 2 muaj më parë Shitja e fëmijëve për të mbijetuar: Afganët detyrohen të marrin vendime të vështira

"Të jesh burrë është më mirë se të jesh grua", tha ajo duke fshirë lotët. “Është shumë e vështirë për mua. ... Po të isha burrë mund të isha mësues në një shkollë”, theksoi ajo. “Do të doja të isha burrë, jo grua. Për të ndalur këtë vuajtje”.

Përgatiti: Rexhep Maloku