Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka shkëmbyer mesazhe me një person që pretendonte se ishte shefja e kabinetit të presidentit amerikan, Donald Trump, Susie Wiles.
Downing Street ka refuzuar të komentojë incidentin e sigurisë, i raportuar fillimisht nga "Politico".
"Politico" ka raportuar se zyrtarët kanë thënë se Burnham ka komunikuar me personin që pretendonte se ishte Susie Wiles, “përpara se të dyshonte se kontakti nuk ishte i ligjshëm”, dhe se u shkëmbyen vetëm “disa mesazhe”.
Mirëpo një zëdhënës i qeverisë ka thënë se “Ne nuk komentojmë çështjet e sigurisë kombëtare”.
Mësohet se komunikimi mes Burnhamit dhe personit që hiqej si Wiles është zhvilluar përmes mesazheve dhe se nuk pati asnjë bisedë telefonike mes tyre.
Edhe
Burnham synon fatura më të ulëta energjie, në lëvizjen e tij të parë si kryeministër
Burimet kanë thënë e nuk u shkëmbyen “mesazhe me rëndësi” dhe se tekstet u raportuan “shpejt te autoritetet përkatëse”, sapo u konsideruan të dyshimta.
Downing Street nuk ka bërë të ditur se kur janë shkëmbyer mesazhet, sa ishin në numër, apo nëse u dërguan përmes WhatsApp-it ose ndonjë sistemi tjetër.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë BBC-së të hënën në mëngjes se incidenti i fundit “nuk kishte asnjë lidhje” me hakerimin e telefonit të Wiles.
BBC-ja kishte raportuar më parë për një hetim të FBI-së lidhur me hakerimin e telefonit të Wiles në maj të vitit të kaluar.
Në atë kohë, Wiles ka thënë se telefoni i saj ishte hakuar pasi një person ose disa persona që po hiqeshin si ajo kishin përdorur listën e kontakteve të saj për t’u dërguar mesazhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë.
Imitimi ishte përqendruar te telefoni i saj personal, jo te telefoni zyrtar, por ndër personat që kishin marrë mesazhe ishin senatorë amerikanë, guvernatorë dhe drejtues të lartë biznesesh.
Wiles, një aleate e rëndësishme e Trumpit, ishte gjithashtu ndër personat e shënjestruar nga një njësi spiunazhi kibernetik e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, një degë e fuqishme e forcave të armatosura iraniane, në vitin 2024.
Në vitin 2024, ministria e Jashtme britanike (FCDO) ka konfirmuar se ministri i atëhershëm i Jashtëm, David Cameron, kishte rënë viktimë e një telefonate mashtruese me një person që pretendonte se ishte ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko.
Edhe
Burnham premton ndihmë për koston e jetesës, në fjalimin e parë si kryeministër i Britanisë
Cameron kishte shkëmbyer gjithashtu disa mesazhe me personin që hiqej si Poroshenko, i cili ishte president i Ukrainës nga viti 2014 deri në vitin 2019.
Edhe dy ministra të tjerë të qeverisë britanike ishin shënjestruar në vitin 2022 nga një person që pretendonte se ishte kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal.