Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen

Schengen

Austria ka hequr veton e saj sa i përket bashkimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën pa pasaporta, Schengen, duke hapur mundësinë që këto dy shtete të anëtarësohen vitin tjetër.

Ky vendim u bë publik më 22 nëntor nga Presidenca hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian, që organizoi një takim në Budapest të ministrave të Brendshëm të Rumanisë, Bullgarisë dhe Austrisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

BE-ja do të takohet me dy shtetet kandidatet për të finalizuar paketën e përbashkët të sigurisë gjatë takimit më 11-12 dhjetor. Dy shtetet mund të bëhen anëtare të Schengenit në janar të vitit 2025.

“Bulgaria dhe Rumunia i përkasin plotësisht zonës Schengen. E mirëpres rezultatin pozitiv të bisedimeve joformale në Budapest sot”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në X.

Anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë do ta zgjeronte zonën Schengen në 28 shtete, duke përfshirë 24 anëtarë të BE-së. Irlanda dhe Qiproja do të mbeten anëtaret e vetme të BE-së që nuk janë pjesë e zonës Schengen.

Bullgarëve dhe rumunëve aktualisht nuk u lejohet të udhëtojnë lirshëm në shtetet e tjera anëtare të Schengenit përmes kufijve tokësorë. Në fillim të këtij viti, ata fituan të drejtën që të udhëtojnë pa pengesa përmes ajrit dhe detit, pasi Vjena zbuti qëndrimin e saj karshi dy vendeve.

Pas takimit në Budapest, ministri i Brendshëm i Hungarisë, Sandor Pinter, i tha gazetarëve se marrëveshja që do të nënshkruhet muajin e ardhshëm përfshin krijimin e një kontingjenti special prej të paktën 100 oficerëve të policisë kufitare në kufirin turko-bullgar.

Hungaria do të kontribuojë në dislokimin e plotë të oficerëve dhe do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike për të garantuar mbrojtjen efektive të kufirit, tha ai. Pinter u shpreh optimist se çështja mund të zgjidhet deri më 31 dhjetor.

Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, tha se janari është afat realist për anëtarësimin e dy shteteve në Schengen.