Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bujqit palestinezë përballen me ndalime e konfiskime të bagëtive

Në një atmosferë ku kolonët, shpesh të uniformuar dhe me armë, duken më të fuqizuar se kurrë më parë, palestinezët po përballen me një situatë të vështirë ekonomike. Në gjithë këtë dhunë, nuk po kursen as barinjtë

Me dy nga djemtë e tij në burg dhe tashmë pa bagëtinë – burimi nga e siguronte jetesën, bariu palestinez Kadri Daraghmeh, 57 vjeç, ishte i mërzitur.

Brenda tendës së tij pa ujë të rrjedhshëm dhe pa energji elektrike, gruaja e tij e sëmurë luftoi fort që të mos i dilnin lotët.

“Fëmijët e mi janë në burg dhe çdo ditë më duhet të paguaj më shumë para kur nuk kemi para as për të blerë ushqime”, tha Kadriu i dëshpëruar.

Vështirësitë e Kadriut filluan të rriten në mënyrë dramatike muajin e kaluar. Më 25 dhjetor, thotë ai, kolonët izraelitë ia vodhën 100 krerë nga bagëtia e tij gjatë natës, ia lëshuan disa lopë në rrugë dhe më pas thirrën policinë izraelite.

Bredhja e bagëtive nëpër rrugë është e paligjshme sipas ligjeve izraelite, kështu që policia konfiskoi lopët. Kadriu u detyrua të paguante 49 mijë shekelë për të kthyer 19 nga lopët e tij.

Edhe Nën hijen e luftës me Iranin, kolonët izraelitë terrorizojnë komunitetet palestineze Botë Nën hijen e luftës me Iranin, kolonët izraelitë terrorizojnë komunitetet palestineze

Kadriu mund të paguante vetëm me ndihmën e miqve dhe aktivistëve izraelitë.

Kadriu donte të largohej nga kalvari, por në mbrëmjen e 7 janarit, dy nga djemtë e tij i telefonuan për t’i thënë se ishin zënë në kurth nga një kolon i quajtur Uri Cohen dhe ishin arrestuar.

Cohen kontaktoi Jaserin, 29 vjeç dhe Rihabin, 19 vjeç dhe u ofroi një vend ku ata mund të kullosnin bagëtinë e tyre të pashqetësuar. Ishte një ofertë që ishte e vështirë të refuzohej.

Sulmet ndaj barinjve

Në ditët e mëparshme të luftës, kolonët, duke përfshirë ata që punonin për Cohenin, kishin sulmuar barinjtë dhe kopetë e tyre me armë, duke lëshuar qen apo edhe duke i trembur delet me makina, dhe në javët e fundit këto konfiskime nga autoritetet ishin në rritje. Dhe “sa herë kishte ndonjë incident”, kujton Kadriu, “Uri Cohen thoshte: “Pse të duhen këto probleme? Më shisni bagëtinë tuaj”.

Kështu, djemtë e Kadriut vendosën të pranojnë ofertën e Cohenit. Por kur arritën në vendngjarje, Cohen thirri inspektorin e këshillit, një kolon, i cili nga ana e tij thirri policinë. Policia erdhi dhe prangosi të dy burrat dhe sekuestroi 60 lopët e tyre për “futjen e bagëtive në tokë private”.

Kur mori telefonatën, Kadriu, gruaja e tij dhe dy djemtë e tjerë – Luay, 31 vjeç dhe Basel, 27 vjeç – nxituan për të ndihmuar.

Image

Teksa Kadriu po protestonte ndaj Shai Eignerit, një koloni vendas, i cili është inspektor tokash për Këshillin Rajonal të Luginës së Jordanit, mbërriti një zyrtar i patrullës kufitare, i cili menjëherë pas kësaj e goditi me grusht në fytyrë, duke e gjakosur.

Të trembur nga dhuna, Luay dhe Basel u kthyen me vrap drejt makinës. Duke u bërtitur djemve të Kadriut që të ndalonin, zyrtari i patrullës kufitare filloi të qëllonte në makinë.

Zyrtarët izraelitë arrestuan Luay dhe Basel dhe i dërguan në komisariat. Më vonë ata u transferuan në burgun e Oferit dhe më pas, një javë më vonë, në një burg tjetër. Basel u lirua pas një jave e gjysmë, ndërsa Luay u lirua me kusht pas më shumë se dy javësh, i akuzuar nga zyrtari i patrullës kufitare se tentoi ta përplaste.

Jaser dhe Rihab, të cilët kishin sjellë bagëtinë, u dërguan në një zonë të largët natën e 7 janarit nga personeli izraelit i sigurisë - dhe u lanë atje për t’u kujdesur vetë.

Kadriu ka mbetur pothuajse pa asnjë nga bagëtitë e tij, mjetet e jetesës dhe përballë një faturë prej 120 mijë shekelësh që ai duhet të paguajë disi për të tërhequr 60 lopët që i mban këshilli lokal i vendbanimeve. Skeda rritet me 50 sikla për lopë në ditë.

Sulmet dhe ngacmimet nga kolonët dhe ushtarët kanë ndodhur edhe para 7 tetorit, ditën kur u bë sulmi i Hamasit ndaj Izraelit.

“Kjo ishte hera e parë që kolonët, policia dhe ushtria u bashkuan, kështu, për të bërë një grusht”, ka theksuar ai.

Duke u përballur me borxhin e pakapërcyeshëm që vetëm rritet, Kadriu dhe familja e tij kanë filluar të mbesin pa zgjidhje: me konfiskimet në rritje, kufizimet dhe tani arrestimet dhe gjobat e jashtëzakonshme, mënyra e tyre e jetesës mund të mos jetë më e realizueshme.

Tani, dy nga vëllezërit e Kadriut po ia shesin bagëtinë një ndërmjetësi që do t’ia shesë askujt tjetër përveç Uri Cohenit. Një vëlla i tretë ka të ngjarë të ndjekë shembullin.

“Situata është shumë e keqe”, ka thënë Kadri i shqetësuar. “Pa të drejta të njeriut, pa drejtësi. Ne duam paqe. Ne nuk kemi urrejtje për askënd – hebre, të krishterë, mysliman, izraelit, amerikan, çfarëdo qoftë. Kemi fëmijë, duam të jetojmë. Por ata e bëjnë atë që të mos ketë të ardhme për ne”.

“Ata po punojnë së bashku në një mënyrë që nuk e kishin bërë më parë”.

Qasja e kufizuar

Humnera me të cilën po përballet familja e Kadriut është diçka e zakonshme për shumicën e barinjve palestinezë nëpër Luginën e Jordanit dhe pjesën më të madhe të zonës C, një pjesë e Bregut Perëndimor që është nën kontrollin e plotë ushtarak izraelit. Shumë të tjerë në zonë përshkruajnë konfiskime, ndalime dhe kufizime të ngjashme nga forcat izraelite kohët e fundit, shpesh për shkak të kolonëve izraelitë.

Një tjetër incident i ngjashëm me atë të Kadriut ndodhi dy javë më vonë, në të cilin barinjve palestinezë Shehda Daisit dhe Ayed Daisit në al-Jiftlik iu morën delet nga personeli i sigurisë dhe u detyruan të paguanin 150 mijë shekelë për të parandaluar konfiskimet. Këshilli i vendbanimit dyshohet se i kërcënoi barinjtë dhe gjashtë familjet nga komuniteti se do të detyroheshin të paguanin 1 milion shekelë nëse përpiqeshin të nxirrnin kopetë e tyre për të kullotur.

Edhe Palestinezët e Gazës s’gjejnë paqe, sërish në ankth për rezerva ushqimore Botë Palestinezët e Gazës s’gjejnë paqe, sërish në ankth për rezerva ushqimore

Për dekada, palestinezët e Luginës së Jordanit, afërsisht 65 mijë në numër sipas grupit të të drejtave B’Tselem, janë përballur me kufizime të rënda në qasjen ndaj burimeve kritike si uji, 85 për qind e të cilave shkon për kolonët. Atyre u ndalohet të mbledhin ujërat e shiut apo të kenë qasje në ndonjë ujë në tokën e tyre. Kadriu dhe djemtë e tij jetojnë përgjatë një burimi që është rrethuar vetëm për përdorim nga kolonët.

Image

Ndërsa të gjitha vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, Lugina e Jordanit të paktën kishte kolonë që ishin relativisht më pak të dhunshëm në të kaluarën, dhe Kadri përshkruan marrëdhëniet miqësore me kolonët dikur.

Por nga viti 2016, sulmet dhe ngacmimet ndaj barinjve janë përshkallëzuar.

Vala e dhunës

Ahmed Daraghmeh, 33 vjeç, nga Farsiya, tha se iu thye dora nga kolonët vetëm disa javë para 7 tetorit, duke e paaftësuar atë për dy muaj.

Kur filloi lufta, dhuna shpërtheu në Luginën e Jordanit dhe, si kudo në Zonën C, palestinezët raportuan se sulmet u rritën në mënyrë dramatike, me kolonët që pushtonin shtëpitë e tyre gjatë natës, duke i kërcënuar ata të largoheshin.

Pas valës së parë të dhunës së kolonëve në javët e para të luftës, Shtetet e Bashkuara ushtruan presion mbi Izraelin, i cili më pas çoi disa kolonë të dhunshëm në paraburgim. Megjithëse dhuna është ulur disi, një model i shfaqur në javët e fundit sugjeron se procedurat ligjore po përdoren në mënyrë më agresive nga forcat dhe kolonët izraelitë – shumë prej të cilëve, përmes njësive rajonale të mbrojtjes, janë kthyer si forcë rajonale e sigurisë. Ata janë të uniformuar dhe mbajnë pushkë të gjata.

Yousef Bsharat, 47 vjeç, është një bari nga Makhoul. Ai, gruaja e tij dhe 10 fëmijët e tyre kujdesen për qindra dele, dhi dhe pula që i mbajnë rreth shtëpisë së tyre.

Më 7 tetor, kolonët sulmuan djalin adoleshent të Yousef dhe kopenë e deleve me gurë dhe qen; 23 dele u zhdukën.

“Por në atë kohë, ushtria ndihmoi për t'u thënë kolonëve që të largoheshin”, tha Yousef.

Në javët në vijim, filluan sulmet nëpër shtëpi. Shtëpia e një fqinji u sulmua me armë, kujton ai. “Ata erdhën me armët e tyre dhe thanë: ‘Nuk të lejohet të jesh më këtu’”, tha Yousef.

Forcat e sigurisë erdhën dhe arrestuan barinjtë palestinezë, të cilët më pas u larguan përgjithmonë.

“Që nga ajo ditë, ata i kanë trajtuar njerëzit këtu sikur të ishin kafshë”, ka theksuar Yousef. “Por kjo është toka jonë. Unë refuzoj të largohem”.

Më 11 janar, Yousef u arrestua nga ushtria, teksa po mblidhte kopenë – nuk u dha asnjë arsye e qartë – dhe u dërgua në një kamp të ushtrisë aty pranë ku, tha siç tha ai, ia lidhën sytë dhe e mbajtën për gjashtë orë. Ushtarët e lidhën dhe ndezën kondicionerin për ta bërë edhe më të ftohtë ambientin.

Disa raste të trajtimit të ngjashëm iu përshkruan Al Jazeeras nga barinjtë dhe aktivistët izraelitë, të cilët thonë se është bërë e zakonshme burgosja. Po ashtu barinjve u është ndaluar kullotja në rezervatet natyrore dhe zonat ushtarake. Pjesa më e madhe e zonës ishte shpallur zonë ushtarake vite më parë, por barinjtë kryesisht ishin lënë për të kullotur bagëtinë atje.

Të tjerë përshkruan se ishin të lidhur dhe iu nënshtruan të ftohtit ose rrahjeve ekstreme.

“Kolonët dhe policia, ata po punojnë së bashku në një mënyrë që nuk kanë qenë më parë”, tha Yousef. “Përpara luftës, kur kolonët vinin për të bërë telashe, ne thërrisnim ushtrinë dhe ushtria ndonjëherë u thoshte të largoheshin”.

“Tani kur përpiqemi të thërrasim ushtrinë”, tha Yousef, “nuk ka me kë të flasim”.

Në një atmosferë ku kolonët, shpesh të uniformuar dhe me armë, duken më të fuqizuar se kurrë më parë, palestinezët po përballen me një situatë të vështirë ekonomike që arrin një pikë të thyer.

Barinjtë përshkruajnë se duhet të paguajnë foragjere të shtrenjta për kafshët për të shmangur dhunën nga kolonët.

Edhe “Nuk mund të qëndroj i heshtur” -  I burgosuri palestinez rrëfen për dhunën seksuale në burgjet izraelite Botë “Nuk mund të qëndroj i heshtur” - I burgosuri palestinez rrëfen për dhunën seksuale në burgjet izraelite

Yousef thotë se nuk ka qenë në gjendje të shesë produktet e tij si djathi dhe mishi i qengjit që nga 7 tetori, sepse klientët e tij nuk kanë para dhe hyrjet e tregjeve në qytet janë të mbyllura.

Përktheu: Blerta Haxhiu