Botë

Brutaliteti i talebanëve kundër përdoruesve të drogave

Në Afganistanin e talebanëve lufta ndaj drogave merr përmasa më brutale. Nën urat e qytetit të zhurmshëm dhe në mesin e bërllokut e ujit të fëlliqët, me qindra burra të pastrehë e të varur fort nga heroina dhe metafetamina tubohen në një vend. Ata fillimisht rrihen e pastaj me forcë dërgohen në qendrat e trajtimit

Duke qenë tani liderët e pakontestuar të Afganistanit, talebanët ia kanë mësyrë të ndalin përdorimin dhe varësinë nga narkotikët, qoftë edhe me forcë.

Në orët e vona të mbrëmjeve, talebanët e fushëbetejave shndërrohen në policë të nëntokës së shkatërruar të kryeqytetit afgan.

Nën urat e qytetit të zhurmshëm dhe në mesin e bërllokut e ujit të fëlliqët, me qindra burra të pastrehë e të varur fort nga heroina dhe metafetamina tubohen në një vend. Ata fillimisht rrihen e pastaj me forcë dërgohen në qendrat e trajtimit.

“Associated Press” ka shoqëruar talebanët në njërën prej bastisjeve të tyre kundër përdoruesve të drogës.

“Diktaturë”

Skenat nën urë ishin pamje e botës së re nën qeverisjen e talebanëve: Burrat – shumica me sëmundje mendore, sipas mjekëve – u vendosën përreth një muri të gurtë me duart e lidhur. U urdhëruan që të këndellen, përndryshe do të rriheshin fort.

Metodat e serta janë të mirëpritura nga disa mjekë, të cilët nuk kanë qare tjetër veçse të adaptohen me regjimin taleban.

“Nuk ka më demokraci, kjo është diktaturë. Përdorimi i forcës është e vetmja mënyrë e trajtimit të këtyre njerëzve”, thotë mjeku Fazalrabi Mayar, punëtor i qendrës rehabilituese. U referohej më shumë afganëve të varur nga heroina dhe metafetamina.

Pak ditë pasi talebanët morën kontrollin e shtetit më 15 gusht, Ministria talebane e Shëndetësisë lëshoi një urdhër për të gjitha qendrat. Shpalosi planin për të kontrolluar ashpër problemin e varësisë, thonë mjekët.

Sy të mavijosur dhe trupat thatanikë të afganëve të kapur janë pasqyrim i jetës në kohë të turbullt, lufte dhe pushtimi. Ishin poetë, ushtarë, tregtarë dhe fermerë.

Fushat afgane me lulëkuqe janë burim i heroinës për krejt botën. Shteti del të jetë edhe prodhues i metafetaminës. Të dyja bashkë kanë krijuar varësi të madhe brenda Afganistanit.

Të rinj e pleq, të varfër e dikur mirë me shëndet, për talebanët varësia është e njëjtë: njollë e zezë për shoqërinë që shpresojnë ta krijojnë.

Përdorimi i drogës është kundër interpretimit të doktrinës islame. Varësia gjithashtu stigmatizohet më gjerë, kryesisht në komunitetin konservator afgan.

Ama beteja e talebanëve kundër drogës është e komplikuar: shteti përballet me shembjen ekonomike dhe katastrofën e pashmangshme humanitare.

Sanksionet dhe mosnjohja ndërkombëtare e kanë lënë Afganistanin për një kohë të gjatë të varur nga ndihmat, të paqasshëm për përkrahjen financiare nga organizatat ndërkombëtare që ishin 75 për qind përgjegjëse për shpenzimet shtetërore. Të dhënat e zymta për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, sidomos të grave, i ka shndërruar talebanët si kandidatë jo të pëlqyer për organizatat ndërkombëtare.

Kriza e likuiditetit është në horizont. Pagat publike janë vonuar me muaj, ndërkaq thatësia ka zgjatur mungesën e ushqimit dhe sëmundjet ngjitëse. Dimri është pak javë larg. Pa fonde të jashtme, të hyrat e Qeverisë varen nga doganat dhe tatimet.

Shitja e opiumit

Tregtia e paligjshme e opiumit lidhet ngushtë me ekonominë e Afganistanit dhe turbullirat e saj. Kultivuesit e lulëkuqeve janë pjesë e pandashme e zonës rurale për talebanët dhe mbijetesa e tyre varet nga kultivimi i këtyre bimëve.

Gjatë viteve të ngritjes së tyre, talebanët përfituan nga tatimet e trafikantëve, praktikë kjo që aplikohej ndaj një numri të industrive në zonat e kontrolluara.

Hulumtimi i David Mansfield, ekspert i tregtisë së drogës në Afganistan, thotë se grupi tuboi 20 milionë dollarë në vitin 2020. Kjo shifër është një pjesë e vogël e të hyrave nga grumbullimi i taksave të drogës. Publikisht, grupi gjithmonë ka mohuar lidhjen me tregtinë e drogës.

Mirëpo, talebanët realizuan me sukses vetëm ndalesën ndaj prodhimit të opiumit mes viteve 2000-2001, para pushtimit amerikan. Qeveritë e njëpasnjëshme dështuan në ndalimin e prodhimit të opiumit.

Rrethimi policor i të varurve nga droga ka ndodhur edhe në qeverisjet e kaluara. Mirëpo, talebanët janë më të ashpër.

Në një mbrëmje, talebanët bastisën një grumbull të njerëzve nën urën në zonën Guzargah të Kabulit. Me kabllot në formë kamxhiku dhe automatikët e varur në shpinë, urdhëruan grupin e burrave që të shpërndaheshin. Disa dolën vetë, të tjerët u detyruan të shtriheshin përtokë. Me bateri dore urdhëroheshin të dorëzonin gjësendet e tyre; burrat preferonin të përdornin krejt drogën që kishin para se t’ua merrnin talebanët.

Njëri ndezi çakmakun nën një folje alumini, faqet i strukeshin teksa thithte tymin. Shikoi diku larg. Një tjetër ishte i bindur.

“Janë vitamina”, thoshte.

Talebani Qari Fedayee po lidhte duart e një të droguari.

“Janë vendasit tanë, janë familjarët tanë. Janë njerëz të mirë përbrenda”, thotë ai. “Me vullnetin e Zotit, njerëzit në spital do të jenë të mirë dhe do t’i shërojnë”.

Tubimi i të droguarve

Image

Një plak me syze ngriti zërin. Është poet, thotë ai. Nëse do ta lironin nuk do të përdorte kurrë më drogën. Lexoi disa vargje nga një copë letër, por ishte e kotë. Lutja nuk bënte punë.

Çfarë e shtyu në drogë?

“Disa gjëra nuk duhet treguar”, thotë ai.

Në fund të aksionit u tubuan 150 burra. U dërguan në stacionin policor, në të cilin krejt gjësendet e tyre – droga, kuletat, thikat, unazat, çakmakët – u dogjën sepse nuk u lejohej t’i marrin me vete në qendrat e trajtimit. Teksa burrat uleshin, oficeri taleban shikonte tymin teksa numëronte tespihet.

Deri në mesnatë, ata u dërguan në Avicenna Medical Hospital për trajtim të drogës. Spitali gjendet në periferi të Kabulit. Dikur baza ushtarake e njohur me emrin Phoenix, e krijuar nga ushtria amerikane më 2003, nga viti 2016 është shndërruar në qendër për trajtimin ndaj drogave. Tani është spitali më i madh i Kabulit, me kapacitet për 1 mijë pacientë.

Burrat zhvishen dhe lahen. U rruhen edhe kokat.

“Këtu, nis programi 45 ditor”, thotë doktori Wahedullah Koshan, kryepsikiatër.

Të gjithë do t’i nënshtrohen trajtimit me pak kujdes shëndetësorë për lehtësimin e sikletit dhe dhimbjes nga mospërdorimi i drogës.

Koshan pranon se spitalit i mungojnë opioidet alternative, siç janë buprenorfina dhe metadoni. Këto zakonisht përdoren për trajtimin e varësisë nga heroina. Stafi i tij nuk është paguar që prej korrikut, por thotë se ministria e shëndetësisë i ka premtuar pagat.

Talebanët kanë qëllime më të mëdha.

“Ky është vetëm fillimi, më vonë do t’u vihemi fermerëve dhe do t’i dënojë me Sheriat”, thotë oficeri Qari Ghafoor.

Për ekspertin Mansfield, bastisjet e fundit kundër drogës janë histori e zakonshme dhe e përsëritur.

“Në vitet ’90 (kur talebanët ishin në pushtet) vepronin njëjtë”, thotë ai. Dallimi i vetëm tani është se kanë qendra trajtimi; atëherë përdoruesit e drogave detyroheshin të ngjiteshin në akullnaja ose të rrinin afër lumenjve, me mendimin se do të këndelleshin.

“Nëse mund të ndalojnë prodhimin e opiumit, është tjetër muhabet”, thotë ai.

Çdo ndalesë e prodhimit do të duhej të bëhej në negociata me fermerët.

Mohammed Kabir, kultivues i lulëkuqeve në provincën Uruzgan, ishte për kontroll në spital para dy javësh. Thotë se kërkesa për opium nga trafikantët mbetet e lartë. Koha e korrjeve në nëntor dhe shitja e opiumit janë fitimet për jetesë.

Përsëritja e historisë

Image

Në spital, pacientët, gjithsej 700, bredhin nëpër korridore si fantazma. Disa thonë se nuk po ushqehen mjaftueshëm. Mjekët pretendojnë se uria është pjesë e procesit të shërimit.

Familjet nuk dinë për vendndodhjen e tyre.

Një dhomë e pritjes është e mbushur me prindër dhe të afërm që pyesin nëse të dashurit e zhdukur janë në mesin e atyre që janë marrë nga talebanët.

Sitara qau kur u takua me të birin 21-vjeçar që mungoi për 12 ditë.

“Ai është krejt jeta ime”, qante ajo teksa e përqafonte të birin.

Nën urën e provincës Kotesangi, të droguarit jetojnë të fshehur në errësirë. Janë të tmerruar nga talebanët.

Gjatë një mbrëmjeje, ata tymosnin pranë trupit të një burri. Ishte i vdekur.

E mbuluan trupin me rroga, por nuk guxojnë ta varrosin teksa talebanët kontrollojnë rrugët.

“Nuk është e rëndësishme nëse ndonjëri prej tyre vdes”, thotë Mawlawi Fazullah, oficer taleban. “Të tjerët do të shërohen, pas shërimit do të jenë të lirë”.

Përktheu: Gent Mehmeti