Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britaniku hakon qendrën e thirrjeve, kap indianët mashtrues

Mijëra britanikë bien viktima të mashtrimeve çdo vit. Shumë prej këtyre mashtrimeve bëhen përmes qendrave të thirrjeve nëpër shtete të ndryshme.

E meqë policia e kishte të pamundur që të zhbënte këtë rrjet kriminal, çështjen në dorë të vet e mori një person, që njihet me emrin “Jim Browning”. Ai ka hakuar një qendër të tërë thirrjesh në Indi, raporton KTV.

Kjo qendër kishte në cak mijëra britanikë, të cilëve përmes thirrjeve telefonike u kanë vjedhur me milionë funte. Krejt kjo, duke u prezantuar si punonjës bankash a qeverie.

Britaniku që vendosi të hakmerrej, siguroi qasje në të gjitha thirrjet telefonike dhe në kamerat e sigurisë të vendosura në kompani. Ajo që ka bërë Jimi është e jashtëligjshme, por ai thotë se me këtë gjë ka synuar që ta ndalë hovin e mashtruesve.

Për këtë shkak, të gjitha pamjet që kishte siguruar nga hakimi, ia dorëzoi emisionit “Panorama” të transmetuesit BBC, i cili më pas i shkoi deri në fund këtij procesi.

Shkaku i këtyre pamjeve, në Indi ka nisur një aksion i madh policie që rezultoi me qindra punonjës të arrestuar, të cilët dyshohen se përfituan sasi të majme parash nga mashtrimi i britanikëve.