Për herë të parë, dritat e kërshëndellave në Londër nuk do të qëndrojnë të ndezura për 24 orë për shkak të krizës energjetike që ka kapluar shtetin britanik. Kjo po bëhet për të kursyer sa më shumë energji elektrike që është e mundur.
Dritat e Kërshëndellave në Londër kanë ofruar pamjen e parajsës sivjet. Dritat festive janë ndezur në fillim të muajit nëntor nëpër krejt Londrën. Engjëjt ndriçues kanë ofruar pamjen magjike mbi Regent Street. Ndërkaq në rrugën kryesore të dyqaneve në Oxford Street, një konop i yjeve qëndron në ajër.
Pesë mijë drita do të sjellin gëzim nëpër rrugët dimërore. Mirëpo ky ndriçim do të shpenzojë shumë më pak energji elektrike sesa në vitin e kaluar. Kompania New West End që bën bashkë pronarët e 600 dyqaneve restoranteve dhe hoteleve, është përgjegjëse për vendosjen dhe menaxhimin e ndriçimit për festat e fundvitit në Oxford Street, Bond Street dhe Regent Street të Londrës.
“Jemi të lumtur që kemi sjellë yjet magjik në Oxford Street sivjet. Sidoqoftë, për herë të parë, yjet tona do të qëndrojnë të ndezur në orët e ditës. Janë ndezur në orën tre pasdite dhe do të fiken në orën 11 të mbrëmjes. Kjo po bëhet sepse jemi të vetëdijshëm për krizën energjetike që po ndodhë në gjithë botën”, ka njoftuar kompania New West End.
Yjet shndritës përbëhen nga 300 mijë dritat LED, të cilat kursejnë më shumë energji elektrike sesa poçet standarde. Këto yje gjithashtu mund të riciklohen dhe do të ripërdoren për ndriçimin e viteve të ardhshme.
“Gjatë viteve të kaluara dritat qëndronin të ndezura 24 orë në ditë. Sivjet janë vetëm tetë orë. Duhet të përmendi se dritat janë LED që janë 75 për qind më efiçiente sesa dritat standarde. Po bëjmë sa më mirë që mundemi”, ka sqaruar kompania britanike.
Në Covent Garden, tregu dhe gjithçka përreth është gati për festat e fundvitit.Pemët e kërshëndellave janë 18 metra të gjata dhe të dekoruara me 30 mijë drita. Qëndrueshmëria është faktor kyç për kompaninë që menaxhon tregun.
Edhe
Evropa në mëdyshje për t’i ndezur dritat e festave
“Pema e Kërshëndellave është me origjinë nga Mbretëria e Bashkuar. Për ne është e rëndësishme që gjithçka të jetë vendore. Çfarë do të bëjmë me pemën pas festave? Ne do ta riciklojmë me qëllim që pema të ripërdoret për gjëra tjera dhe kjo është diçka që e kemi bërë për shumë vjet”, ka njoftuar Covent Garden. Dhjetori është muaji më i rëndësishëm i vitit për tregtarët në Britaninë e Madhe.
Mirëpo sipas asociacionit tregtar, shitësit do të kenë më pak fitime sivjet pasi blerësve u është tkurrur xhepi shkaku i inflacionit dhe faturave të larta të energjisë elektrike. Kur inflacioni në Britani është në nivelin më të lartë në 40 vjetët e fundit, ka paqartësi të shumta për të ardhmen e tregtarëve. Ekonomia mund të jetë gjëja më negative në Britani sivjet, por së paku dritat i shtojnë pak hijeshi Kërshëndellave – ani pse jo 24 orë në ditë.
Ndërkaq, rritja e çmimit të energjisë elektrike në Britani të Madhe ka shtyrë njerëzit që të përdorin shporetet me drurë. Mirëpo, oxhaqet e shtëpive nuk ka kush t’i pastrojë për shkak se ka pak njerëz të këtij zanati.