Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britania e sanksionon miliarderin rus për shkak të lidhjeve me Putinin

Miliarderi rus, Moshe Kantor, është sanksionuar të mërkurën nga Mbretëria e Bashkuar.

Kantor i cili njihet për lidhjet me politikanë britanikë dhe figura të institucioneve si Tony Blair dhe Princi Charles, ka mbajtur lidhje të ngushta edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, raportoi "The Guardian".

Me një pasuri neto të vlerësuar prej 3.48 miliardë funtesh, Kantor është aksionari më i madh në kompaninë e plehrave Acron, për të cilën Zyra e Jashtme ka thënë se ka një rëndësi strategjike jetike për qeverinë ruse.

I lindur në Moskë dhe tani një shtetas britanik, 68-vjeçari në vitin 2017 mori titullin Urdhri i Nderit nga Putini “në njohje të arritjeve profesionale dhe punës së tij”.

Qendra Kantor, të cilën miliarderi e themeloi në Izrael, ka dënuar pushtimin e Ukrainës nga Putini duke thënë se ky sulm është agresion i stilit fashist.

"Putin ka gjakun e mijëra viktimave, duke përfshirë fëmijë, në duart e tij. Politikat e tij paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë, paqen dhe sigurinë botërore”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga kjo qendër.