Qeveria e Britanisë së Madhe do të sanksionojë zyrtarisht dy ministrat izraelitë nga radhët e së djathtës ekstreme, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, pas angazhimit të tyre gjatë luftës në Rripin e Gazës, ka raportuar The Times.
Britania e Madhe do t’i bashkohet Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re dhe vendeve të tjera sa i përket ngrirjes së aseteve dhe ndalime të udhëtimit ndaj ministrit të Sigurisë Kombëtare, Ben-Gvir, dhe ministrit të Financave Smotrich.
Muajin e kaluar, Qeveria britanike pezulloi bisedimet mbi tregtinë e lirë me Izraelin për shkak të “politikave skandaloze” në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, ftoi ambasadorin izraelit, dhe njoftoi për sanksione të mëtejshme kundrejt kolonëve në Bregun Perëndimor.
Kryediplomati britanik, David Lammy, i cili e kualifikoi ofensivën më të fundit të Izraelit si “një fazë të errët në këtë konflikt”, i ka dënuar në të kaluarën komentet e Smotrichit lidhur me spastrimin dhe shkatërrimin e Gazës, si dhe dëbimin e popullatës palestineze nëpër vendet fqinje.
Në dhomën e ulët të parlamentit, Lammy kishte akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se “po planifikon t’i dëbojë banorët e Gazës nga shtëpitë e tyre në një cep të Rripit në jug dhe t’u lejojnë një pjesë të vogël të ndihmës që u nevojitet”.
“Ministri Smotrich gjithashtu ka folur sesi forcat izraelite duhet të ‘spastrojnë’ Gazën, ‘të shkatërrojnë gjithçka që ka mbetur’, dhe që palestinezët të ‘zhvendosen në vende të treta’”, ka thënë Lammy. “Duhet ta quajmë këtë ashtu siç është. Është ekstremizëm. Është e rrezikshme. Është e neveritshme. Është monstruoze. Dhe e dënoj atë në mënyrën më të ashpër të mundshme”.
Tek ka reaguar ndaj sanksioneve, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka thënë se vendimi për të sanksionuar ministrat izraelitë ishte “skandaloz”, duke shtuar se do ta diskutojë çështjen me Netanyahun javën e ardhshme për të “vendosur për përgjigjen ndaj këtij vendimi të papranueshëm”.
Ben-Gvir: Do t’u mbijetojmë sanksioneve të Starmerit
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare nga radhët e ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë britanike për të vendosur sanksione ndaj tij dhe ministrit të Financave Bezalel Smotrich, ka raportuar The Guardian.
Përmes një njoftimi, Ben-Gvir ka thënë se “ne i mbijetuam Faraonit, ne do t’i mbijetojmë po ashtu Keir Starmerit”. “Do të vazhdojë të punoj për Izraelin dhe për popullin e Izraelit pa frikë”, ka thënë tutje ai.
Ai vazhdoi duke krahasuar vendimin e tanishëm të Qeverisë britanike me dokumentin e politikave të Britanisë së Madhe të vitit 1939 që kufizonte imigracionin e hebrenjve në Palestinë.
Smotrich gjithashtu e quajti vendimin “një letër e bardhë”.
“Britania është përpjekur një herë të na pengojë të vendosim vendbanimin në djepin e atdheut tonë dhe ne nuk do ta lejojmë ta bëjë këtë përsëri”, ka thënë ai. “Ne jemi të vendosur të vazhdojmë ndërtimin”.
Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar të martën se do të sanksionojë zyrtarisht të dy ministrat radikalë izraelitë, për shkak të angazhimit dhe deklaratave të tyre lidhur me luftën në Rripin e Gazës.