Në Bregun Perëndimor, Fatah njoftoi për grevën e përgjithshme dhe shumica e dyqaneve u mbyllën në qytetet palestineze. Autoriteti Palestinez ka deklaruar të enjten se do të ndërpresë lidhjet që forcat e saj të sigurisë mbajnë me Izraelin në përpjekjen e përbashkët për të frenuar militantët islamikë. Kërcënimet e mëparshme kanë qenë jetëshkurtër, pjesërisht për shkak të përfitimeve që gëzon autoriteti nga marrëdhënia, si dhe për shkak të presionit të SHBA-së dhe Izraelit
Palestinezët kanë marshuar të premten në ditën kur kanë varrosur së paku 10 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite një ditë më parë, ani pse gjasat për konflikt të gjerë dukeshin të pakta pas bastisjeve masive të ndërtesave palestineze në Bregun Perëndimor.
Përplasjet mes forcave izraelite dhe protestuesve palestinezë kanë nisur pas funeralit të 22-vjeçarit palestinez në veri të Jerusalemit dhe në pjesë të tjera të Bregut të Pushtuar Perëndimor, mirëpo qetësi ishte në Rripin e Gazës
Bastisjet e së enjtes në kampin e refugjatëve në Jenin u kthyen në konflikt të armatosur në të cilin u vranë së paku nëntë palestinezë, ndërkaq në përplasje të tjera vdiq një tjetër palestinez. Gjatë natës militantët në Gaza sulmuan territoret izraelite me raketa, teksa pasoi edhe përgjigjja e Izraelit, por luftimet nuk ishin shumë të ashpra.
Përkeqësimi i situatës paraqet sfidë për sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, para vizitës së tij të dielën. Ai me shumë gjasë do të diskutojë shkaktarët e konfliktit, agjendën e qeverisë së djathtë ekstreme të Izraelit dhe vendimin e Autoritetit Palestinez për ndërprerjen e koordinimit të sigurisë me Izraelin në lidhje me bastisjet vdekjeprurëse.
Ndërkohë, Ministria izraelite e Mbrojtjes ka urdhëruar ushtrinë që të bëhet gati për sulmet e reja në Rripin e Gazës “nëse do të jetë e nevojshme” – por gjithashtu ka lënë të hapur mundësinë që dhuna të përshkallëzohet.
Teksa banorët e Jerusalemit dhe Bregut Perëndimor kaluan të premten me plotë frikë, lutjet e xhumasë në xhaminë “Al-Aqsa” u kryen në qetësi.
Në funeralin e 22-vjeçarit, palestinezët valuan flamujt e grupeve Fatah dhe Hamas. Ndërkaq në rrugët e qytetit al-Ram, palestinezët e maskuar hodhën gurë në drejtim të policisë izraelite, e cila reagoi me gaz lotsjellës.
Mirëpo deri të premten raketat palestineze dhe sulmet ajrore të Izraelit ishin të kufizuara për të parandaluar përshkallëzimin në luftë të plotë. Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar në katër lufta qëkur grupi militant mori pushtetin në Gaza nga forcat rivale në vitin 2007.
Raketat palestineze kanë rënë në pjesën jugore të Izraelit, ndërkaq ushtria izraelite kishte cak Gazan me kampet e trajnimit dhe vendet nëntokësore që përdoren për prodhimin e raketave.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë se ushtria i ka dhënë goditje të fortë militantëve palestinezë në Gaza dhe ka shtuar se ushtria po bëhet gati për të sulmuar objektivat derisa të rivendoset paqja për qytetarët e Izraelit.
Të premten policia izraelite ka shtrirë kontrollin në Jerusalem në kohën kur besimtarët myslimanë u tubuan për lutjet në xhaminë “Al-Aqsa”, të cilët kënduan në shenjë përkujtimi për të vrarët në bastisjet në Jenin.
Tensionet në vendin e shenjtë si për hebrenjtë ashtu edhe për myslimanët kanë shkaktuar trazira në të kaluarën, duke përfshirë luftën e madhe në Gaza gjatë vitit 2021. Xhamia cilësohet si vendi i tretë më i shenjtë në islam dhe vendi më i shenjtë në judaizëm.
“Me shpirt dhe gjak ne do t’ju sakrifikojmë”, thërrisnin besimtarët myslimanë të premten. “Nderime Jeninit, nderime Gazas”.
Eyad Shaher, 45-vjeçar, punëtor i ndërtimtarisë nga Bethlehemi, i cili çdo javë lutet në “Al-Aqsa”, ka thënë se ishte i lehtësuar në mëngjesin e së premtes.
“Falë Zotit që ishte mirë dhe nuk pati probleme pas të djeshmes së mallkuar”, ka thënë ai.
Bastisjet izraelite
Tensionet janë ngritur qëkur Izraeli shpeshtoi bastisjet në Bregun Perëndimor në pranverën e vitit të kaluar, pas serisë së sulmeve palestineze. Jenini, që ishte bazë e fortë e intifadës së viteve 2000-2005, përsëri është fortifikatë e militantëve, por ka rrokur vëmendjen e izraelitëve. Në mesin e të vrarëve të enjten ishin 7 militantë dhe një grua 61-vjeçare.
Vetëm gjatë vitit të kaluar janë vrarë 150 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe lindje të Jerusalemit, duke u bërë viti më vdekjeprurës që prej 2004. Gjatë vitit të kaluar u vranë 30 persona nga sulmet palestineze. Ndërkaq sivjet janë vrarë 30 palestinezë, ka njoftuar “Associated Press”.
Izraeli ka deklaruar se shumica e të vrarëve ishin militantë. Mirëpo janë vrarë edhe të rinj që kanë protestuar për pushtimin izraelit dhe nuk ishin të përfshirë në grupet militante.
Anwar Gargash, diplomat i lartë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka paralajmëruar të premten se “përshkallëzimi izraelit në Jenin është i rrezikshëm dhe shqetësues dhe minon përpjekjet ndërkombëtare për të çuar përpara prioritetin e agjendës së paqes”. Emiratet e Bashkuara Arabe njohën Izraelin në vitin 2020 së bashku me Bahrejnin, i cili ka qëndruar i heshtur ndaj rritjes së dhunës.
Lajmet për nëntë të vrarët në Jenin dhe raketat gjatë natës jehuan nga telefonat dhe radiot në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit të premten.
Ibrahim Salameh, 21-vjeçar, ka thënë se kurrë nuk kishte qenë kaq i frikësuar. Të mërkurën, ka treguar ai, fqinji i tij adoleshent u vra ndërsa policia hyri në kampin e refugjatëve Shuafat për të shkatërruar shtëpinë e një militanti.
“Çdo ditë ka gjithnjë e më shumë frikë, më shumë tension”, ka thënë ai. “Në njëfarë mënyre po jetoj me këtë ide se në çdo moment mund të më qëllojnë me armë zjarri”.
Në Bregun Perëndimor, Fatah njoftoi për grevën e përgjithshme dhe shumica e dyqaneve u mbyllën në qytetet palestineze. Autoriteti Palestinez ka deklaruar të enjten se do të ndërpresë lidhjet që forcat e saj të sigurisë mbajnë me Izraelin në përpjekjen e përbashkët për të frenuar militantët islamikë. Kërcënimet e mëparshme kanë qenë jetëshkurtër, pjesërisht për shkak të përfitimeve që gëzon autoriteti nga marrëdhënia, si dhe për shkak të presionit të SHBA-së dhe Izraelit.
Autoriteti Palestinez ka kontroll të kufizuar mbi enklavat e shpërndara në Bregun Perëndimor dhe pothuajse nuk ka kontroll mbi bastionet militante si kampi Jenin.
Izraeli ka deklaruar se ka për qëllim të çmontojnë rrjetet militante dhe të pengojnë sulmet. Palestinezët janë arsyetuar se sulmet dhe bastisjet izraelite forcojnë më tej pushtimin 55-vjeçar të Izraelit të Bregut Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi së bashku me Jerusalemin lindor dhe Rripin e Gazës në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Palestinezët duan që në këto territore të formojnë ndonjë shtet eventual.
Izraeli ka krijuar dhjetëra vendbanime në Bregun Perëndimor që tani strehojnë 500.000 njerëz. Palestinezët dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar i shohin vendbanimet si të paligjshme dhe pengesë për paqen, edhe pse bisedimet për t'i dhënë fund konfliktit kanë qenë në zhdukje për më shumë se një dekadë.
Përktheu: Gent Mehmeti