Botë

Jerusalemi, burim i trazirave në Lindjen e Mesme

Këtë javë grupi palestinez i Xhihadit Islamik në Gaza dhe militantët palestinezë në Liban hodhën raketa në drejtim të Izraelit në solidaritet me besimtarët. Tensionet janë të larta pasi policia izraelite bastisi xhaminë “Al-Aqsa” të Jerusalemit në netët të njëpasnjëshme në fillim të kësaj jave. Xhamia “Al-Aqsa” shpesh është vend i përplasjes mes hebrenjve dhe myslimanëve. Përplasjet në këtë hapësirë të shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë shpesh janë shndërruar në konflikt të madh me dhjetëra të vdekur.

Është bërë një traditë e zymtë pranverore në Tokën e Shenjtë. Policia izraelite gjuante gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj palestinezëve që grumbullonin gurë dhe fishekzjarrë brenda një prej vendeve më të shenjta në botë. Dhuna po përhapet në të gjithë Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar dhe militantët nga Gaza dhe Libani po përgjigjen me raketa.

Tensione të ngjashme në vitin 2021 u shndërruan në një luftë 11-ditore në Gaza. Dhuna në vendin e shenjtë në vitin 2000 ndezi një kryengritje pesëvjeçare palestineze dhe një goditje të ashpër ushtarake izraelite në të gjithë territoret e pushtuara. Një nga shpërthimet e para të mëdha të dhunës hebreje-arabe ndodhi në qytetin e vjetër të Jerusalemit në pranverën e vitit 1920, në atë që u bë e njohur si trazirat e Nebi Musas.

Çfarë ka të bëjë me Jerusalemin? Çfarë ka të bëjë me kompleksin në majë të kodrës në zemër të Qytetit të Vjetër, i njohur për myslimanët si Shenjtërorja Fisnike dhe për hebrenjtë si Mali i Tempullit?

Vend i shenjtë

Shenjtërorja Fisnike, shtëpia e xhamisë “Al-Aqsa” dhe Kupolës së Artë ikonike, është vendi i tretë më i shenjtë në fenë islame. Është gjithashtu vendi më i shenjtë për hebrenjtë, sepse ishte vendi i tempujve biblikë.

Romakët shkatërruan tempullin e dytë në vitin 70 pas Krishtit, me vetëm murin perëndimor të mbetur. Xhamitë u ndërtuan shekuj më vonë.

Jordania fqinje shërben si kujdestare e vendit, i cili operohet nga një fond islamik i njohur si Waqf. Vendi është i hapur për turistët gjatë periudhave të caktuara, por vetëm myslimanët lejohen të luten atje. Kjo e vendosur sipas rregullave jozyrtare të pas luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967, në të cilën Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor ku ndodhet faltorja, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Izraeli, Jordania dhe autoritetet fetare myslimane ndihmuan në vendosjen e rregullave, të njohura si status quo. Muri Perëndimor është vendi më i shenjtë ku hebrenjtë mund të luten.

Dhuna në Jerusalem

Palestinezët e shohin vendin e shenjtë si mbetjen e fundit të atdheut të tyre që nuk është nën kontrollin e plotë të Izraelit dhe kanë frikë se Izraeli planifikon që një ditë ta marrë vendin ose ta ndajë atë.

Zyrtarët izraelitë thonë se nuk kanë ndërmend të ndryshojnë status quo-në që ka mbizotëruar në vend që nga viti 1967. Por vendi aktualisht qeveriset nga qeveria më e djathtë në historinë e saj, me ultranacionalistë fetarë në poste të larta.

Ditët e fundit, palestinezët janë barrikaduar brenda xhamisë “Al-Aqsa” me gurë dhe fishekzjarrë, duke kërkuar të drejtën për t'u falur atje gjatë natës, diçka që Izraeli në të kaluarën e ka lejuar vetëm gjatë 10 ditëve të fundit të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Palestinezët thonë gjithashtu se po përpiqen të parandalojnë hebrenjtë fetarë që të kryejnë therje rituale të kafshëve në vend. Izraeli e ndalon praktikën e lashtë, por ekstremistët hebrenj kanë bërë thirrje që ajo të ringjallet, duke ofruar shpërblime në para për ata që përpiqen ta bëjnë këtë.

Vitet e fundit, grupe hebrenjsh fetarë dhe nacionalistë të shoqëruar nga policia kanë vizituar kompleksin në numër më të madh dhe kanë bërë lutje në kundërshtim me rregullat e kahershme. Palestinezët i shohin vizitat e shpeshta dhe tentativat për lutje nga hebrenjtë si një provokim dhe shpesh kjo shkakton përleshje ose dhunë më serioze.

Këtë vit, Ramazani dhe festa e lartë hebreje e Pashkës mbivendosen, me një numër të madh hebrenjsh që dynden në vend për vizita që policia zakonisht i lehtëson herët në mëngjes pasi i dëbon me forcë palestinezët.

Disa izraelitë thonë se vendi duhet të jetë i hapur për të gjithë adhuruesit. Palestinezët refuzojnë nga frika se kjo do t'i hapte rrugën Izraelit për ta marrë kontrollin e plotë mbi të.

Rëndësia e Jerusalemit

Izraeli e sheh Jerusalemin si kryeqytetin e tij "të bashkuar, të përjetshëm". Jerusalemi lindor, i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967, përfshin Qytetin e Vjetër, me vende kryesore të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.

Palestinezët duan pjesën lindore të Jerusalemit, Bregun Perëndimor dhe Gazën për shtetin e tyre të ardhshëm, me Jerusalemin lindor që do të shërbejë si kryeqyteti i tyre eventual. Izraeli aneksoi pjesën lindore të qytetit në një lëvizje që nuk njihet ndërkombëtarisht.

Fati i Jerusalemit lindor dhe vendeve të tij të shenjta ka qenë një nga çështjet më të mprehta në procesin e paqes, i cili u ndal më shumë se një dekadë më parë.

Hebrenjtë e lindur në Jerusalemin lindor janë shtetas izraelitë, ndërsa palestinezëve nga Jerusalemi lindor u jepet një formë e qëndrimit të përhershëm që mund të revokohet nëse ata jetojnë jashtë qytetit për një periudhë të gjatë. Ata mund të aplikojnë për shtetësi, por është një proces i gjatë dhe i pasigurt dhe shumica zgjedhin të mos e bëjnë këtë, sepse nuk e njohin kontrollin izraelit.

Izraeli ka ndërtuar vendbanime hebreje në Jerusalemin lindor, ku jetojnë rreth 230 mijë njerëz. Rreth 360 mijë palestinezë jetojnë në Jerusalemin lindor. Izraeli gjithashtu ka kufizuar ndjeshëm rritjen e lagjeve palestineze, duke çuar në mbipopullim dhe ndërtim të paautorizuar të mijëra shtëpive që rrezikohen nga prishja.

Kolonët hebrenj kanë kërkuar gjithashtu të dëbojnë dhjetëra familje palestineze nga shtëpitë e tyre në lagjet e ndjeshme në dhe përreth Qytetit të Vjetër. Një fushatë ligjore prej dekadash për të dëbuar familjet palestineze nga lagjja “Sheikh Jarrah” kulmoi me protesta të përditshme në vitin 2021, duke kontribuar në tensionet që ndezën luftën e Gazës të atij viti. Ato dëbime më vonë u vunë në pritje.

Amnesty International, Human Rights Watch dhe grupi izraelit i të drejtave B'Tselem kanë përmendur politikat diskriminuese në Jerusalemin lindor në raportet që argumentojnë se Izraeli është fajtor për krimin ndërkombëtar të aparteidit. Izraeli i hedh poshtë këto akuza, duke thënë se banorët e Jerusalemit trajtohen në mënyrë të barabartë.

Përhapja e dhunës

Shumë myslimanë e shohin dhunën në “Al-Aqsa” si një sulm ndaj besimit. Ai siguron një thirrje të fuqishme për fraksionet politike dhe grupet e armatosura në të gjithë rajonin, të cilët fajësojnë jo vetëm Izraelin, por listën në rritje të sundimtarëve myslimanë arabë që kanë bërë paqe me të.

Grupi militant palestinez Hamas, i cili sundon Gazën, ka bërë thirrje vazhdimisht për një intifadë ose kryengritje të re, si ajo e shkaktuar nga vizita e një politikani izraelit në “Al-Aqsa” në vitin 2000.

Këtë javë grupi palestinez i Xhihadit Islamik në Gaza dhe militantët palestinezë në Liban hodhën raketa në drejtim të Izraelit në solidaritet me besimtarët. Protestat janë mbajtur në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në komunitetet arabe brenda Izraelit.

Jordania dhe vendet e tjera arabe që kanë lidhje miqësore me Izraelin kanë dënuar veprimet e saj në vendin e shenjtë. Kështu ka bërë edhe Autoriteti Palestinez, i cili bashkëpunon me Izraelin për çështjet e sigurisë.

SHBA-ja dhe BE-ja gjithashtu kanë dënuar dhunën dhe kanë bërë thirrje për përmbajtje, ndërsa thonë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet.

Përktheu: Forca Jashari