Hetuesit e policisë federale në Brazil kanë konfirmuar se një i dyshuar ka pranuar vrasjen e ekspertit indigjen dhe një gazetari në Amazon. Në një konferencë për media, policia ka bërë të ditur se i dyshuari kryesor ka pranuar vrasjen e tyre dhe ua ka treguar policëve vendvarrosjen e tyre.
Të dy personat ishin raportuar të zhdukur që prej 5 qershorit. Ai ka përdorur një revole për vrasjen e ekspertit Bruno Pereira dhe gazetarit të pavarur britanik, Dom Phillips. Policia ka bërë të ditur se mbetjet njerëzore pritet të identifikohen brenda pak ditësh dhe nëse konfirmohet identiteti i tyre, do t’u dorëzohen familjeve.
Presidenti Jair Bolsonaro, kritik i madh i gazetarëve dhe ekspertëve si Phillips dhe Pereira, është nën presion të madh për vonesat e qeverisë rreth zhdukjes së tyre. Në një intervistë të mërkurën, presidenti brazilian ka kritikuar gazetarin britanik, duke thënë se nuk i pëlqente dhe se duhej të kishte shumë kujdes në rajonin e Amazonës.