Botë

Bota në drojë për luftë – Izraeli zotohet për sulme deri “në qetësi të plotë”

Tor Wennesland, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, ka thënë se liderët nga të dyja anët duhet “të marrin përgjegjësi për qetësimin e situatës”. Në prag të takimit të 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit lidhur me krizën – i dyti i këtillë brenda tri ditësh – Wennesland ka paralajmëruar se “kostoja e luftës në Gazë është shkatërrimtare dhe po paguhet nga qytetarët e thjeshtë”. “Ndaleni zjarrin menjëherë. Po përshkallëzojmë drejt një lufte të përmasave të plota”

Izraeli nuk do t’i ndalë operacionet ushtarake në Gazë derisa “qetësia e plotë” të mos arrihet, ka thënë të mërkurën ministri izraelit i Mbrojtjes, teksa sulmet ajrore dhe hedhjet e raketave kanë vazhduar ditën dhe natën.

Derisa bilanci i të vdekurve nga konflikti më serioz midis Izraelit dhe palestinezëve në nëntë vjet është rritur vazhdimisht gjatë ditës, liderët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për përmbajtje midis frikës për shpërthimit të një lufte të përmasave të plota.

Gjatë ditës, ushtria izraelite ka njoftuar të ketë vrarë katër komandantë të lartë të “Hamasit” dhe me dhjetëra operues të grupit, në një seri sulmesh. Ka bërë të ditur se ka ndërmarrë “një operacion kompleks dhe të parin të këtij lloji” bashkërisht me shërbimin e sigurimit Shin Bet. Në mesin e të vrarëve është raportuar edhe Bassem Issa, komandant i brigadës për qytetin e Gazës, shefi i komandës kibernetike dhe lideri i rrjetit të prodhimit të “Hamasit”, është bërë e ditur në një njoftim të Agjencisë së Sigurisë.

“Kemi eliminuar komandantët e lartë të ‘Hamasit’ dhe ky është vetëm fillimi”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. “Do të shkaktojmë goditje që ata nuk do të mund t’i shihnin as në ëndërr”.

Ushtria izraelite do të përdorë “forcë të shtuar”, ka deklaruar ai.

Krahu i armatosur i “Hamasit” më vonë ka konfirmuar vdekjen e komandantit të lartë dhe të një sërë luftëtarëve.

“Brigadat Izz ad-Din al-Qassam krenohuni.... me martirimin e komandantit Bassem Issa”, thuhet në njoftim.

Image

Përshkallëzim i përshkallëzimit

Vrasjet e së mërkurës rrezikojnë që ta fuqizojnë vendosmërinë e “Hamasit” për t’i vazhduar sulmet me raketa ndaj Izraelit. Pas operacionit ushtarak izraelit, “Hamasi” ka shkrepur 50 raketa drejt Ashdodit, qytet ky afër kufirit me Gazën. Sirenat kanë jehuar çdo disa minuta të mërkurën pasdite në qytetet dhe komunitetet afër kufirit.

Midis raportimeve se ndërmjetësit egjiptianë po bënin përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftimeve, Benny Gantz, ministri izraelit i Mbrojtjes, ka thënë: “Izraeli nuk po përgatitet për armëpushim. Tani nuk ka një datë për përfundimin e këtij operacioni. Vetëm kur ta arrijmë një qetësi të plotë mund të flasim për qetësi”. “Nuk ua varim veshin predikimeve morale kundër obligimit tonë për t’i mbrojtur qytetarët e Izraelit”.

Jonathan Concrius, zëdhënës i ushtrisë izraelite, ka thënë se pret që luftimet të intensifikohen. I pyetur rreth një marrëveshjeje të armëpushimit, ai ka specifikuar se nuk beson që komandantët janë në dijeni të kësaj apo se në fakt janë të interesuar.

Kabineti izraelit është caktuar që të takohet në orët e vona për ta diskutuar përkeqësimin e situatës, ndërsa një delegacion egjiptian pritet që të hyjë në Gazë për bisedime rreth armëpushimit. Egjipti ka qenë akter kyç në ndërmjetësimin e armëpushimeve gjatë konflikteve të mëhershme midis Izraelit dhe Gazës.

Që nga e hëna, ushtria izraelite ka ndërmarrë me qindra sulme ajrore në Gazë, përderisa grupet militante palestineze kanë hedhur vazhdimisht raketa drejt qyteteve izraelite. Dy ndërtesa të larta banimi në qytetin e Gazës janë vënë në shënjestër të sulmeve.

Bilanci i të vdekurve në Gazë ka shkuar në 53, përfshirë 14 fëmijë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Më shumë se 300 persona janë lënduar. Gjashtë civilë izraelitë, mes tyre dy fëmijë – njëri prej të cilëve gjashtë vjeç - janë vrarë nga sulmet me raketa, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar.

Qytetet izraelite me popullatë të përzier hebraike dhe arabe kanë përjetuar gjithashtu përleshje të dhunshme. Në Lod, qytet në jug të Tel-Avivit, kryebashkiaku ka paralajmëruar për “luftë civile” dhe i ka bërë thirrje ushtrisë izraelite që ta rikthejë qetësinë. Njësitet policore janë zhvendosur nga Bregu Perëndimor në Lod, teksa qytetarët kanë hedhur gurë dhe ua kanë vënë flakën veturave dhe ndërtesave, përfshirë sinagogat.

Image

Shqetësimi ndërkombëtar për luftën

Tor Wennesland, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, ka thënë se liderët nga të dyja anët duhet “të marrin përgjegjësi për qetësimin e situatës”. Në prag të takimit të 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit lidhur me krizën – i dyti i këtillë brenda tri ditësh – Wennesland ka paralajmëruar se “kostoja e luftës në Gazë është shkatërrimtare dhe po paguhet nga qytetarët e thjeshtë”.

“Ndaleni zjarrin menjëherë. Po përshkallëzojmë drejt një lufte të përmasave të plota”.

Në një bisedë telefonike me Netanyahun, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur shqetësimin për “sulmet raketore” në Izrael, derisa ka përsëritur thirrjen e tij drejtuar dy palëve për uljen e tensioneve. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bllokuar deklaratën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit lidhur me situatën, duke argumentuar se ajo nuk do të ndihmonte, përderisa kontaktet me liderët në rajon po vazhdojnë. Blinken ka thënë se Hady Amr, zëvendësnënsekretar i Shtetit për çështjet e Izraelit dhe palestinezëve, do të udhëtojë në rajon menjëherë për t’u takuar me liderët izraelitë dhe ata palestinezë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se do ta emërojë një kandidat për postin vakant të ambasadorit amerikan në Izrael gjatë disa javëve të ardhshme.

“Do të vazhdojmë angazhimin tonë me izraelitët, palestinezët dhe partnerët e tjerë rajonalë për nxitjen e uljes së tensioneve dhe kthimit të qetësisë”, ka thënë Blinken.

Në Britaninë e Madhe, kryeministri Boris Johnson ka nxitur liderët e dy palëve që “të hedhin një hap prapa”. Duke u bërë thirrje palëve për përmbajtje, Johnson ka thënë se Britania është thellësisht e shqetësuar për shtimin e dhunës dhe të viktimave civile, ndërsa ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve.

Në Parlament, ministri i Zyrës së Jashtme, James Cleverly, ka thënë se Izraeli ka të drejtë legjitime për vetëmbrojtje, porse veprimet e tij duhet të jenë proporcionale, të kujdesshme dhe të përkushtuara për të shmangur viktimat civile.

Duke bërë thirrje për përfundimin e ciklit të dhunës dhe të çdo lloj provokimi, ai i përshkroi sulmet e “Hamasit” në Izrael si “akte të terrorizmit”, duke shtuar se “grupi duhet që t’u japë fund njëherë e përgjithmonë sulmeve me raketa ndaj Izraelit”. Qeveria britanike është në kontakt si me ministrat izraelitë ashtu edhe me ata palestinezë për qetësimin e krizës, ka thënë ai.

Derisa shumica e liderëve ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje për qetësi që të dyja palëve, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thyer trendin, duke kërkuar gjatë një bisede telefonike me liderin rus, Vladimir Putin, që komuniteti ndërkombëtar “t’i japë një mësim të vendosur dhe të fuqishëm Izraelit” shkaku i veprimeve ndaj palestinezëve.

Javëve të fundit zemërimi është akumuluar shkaku i okupimit izraelit, kontrollit përherë më të shtuar ushtarak mbi jetën e palestinezëve dhe valës së dëbimeve dhe demolimeve. Në Jerusalem, me qindra palestinezë janë lënduar në protestat e përnatshme që kanë përshkallëzuar gjatë fundjavës dhe janë përhapur në rajone të tjera të Izraelit dhe të Bregut të okupuar Perëndimor.

Izraeli dhe “Hamasi” kanë zhvilluar tri luftëra, të cilat kryesisht janë cilësuar si dështime të të dyja palëve, teksa “Hamasi” është ende në pushtet përderisa Izraeli ka vazhduar që t’i zgjerojë kolonitë dhe ta bllokojë jetën për palestinezët.