Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Borrelli kërkon falje për metaforën me kopshtin dhe xhunglën

Disa ditë pas reagimeve të shumta në skenën ndërkombëtare, shefi i Politikës së Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka kërkuar falje për deklaratën e tij ku Evropën e ka përshkruar si një kopsht idilik prosperiteti dhe pjesën tjetër të botës si një xhungël, shkroi të mërkurën “Euronews”.

Në një postim në blog të martën mbrëma, Borrell ka thënë se metafora e tij është keqinterpretuar.

"Disa e kanë keqinterpretuar metaforën si 'eurocentrizëm’. Më vjen keq nëse disa janë ndier të ofenduar”, ka shkruar ai.

Megjithatë, ai nuk e hodhi poshtë figurën stilistike të përdorur në deklaratën e tij, ndërsa u shpreh se termi “xhungël” është një ilustrim i duhur i paligjshmërisë dhe çrregullimit që aktualisht sundon politikën botërore.

"Referenca ime për 'xhunglën' nuk ka asnjë konotacion racist, kulturor apo gjeografik. Fatkeqësisht, ‘xhungla’ është kudo, përfshirë sot në Ukrainë”, ka thënë kryediplomati i BE-së.

Fjalët “kopsht” dhe “xhungël”, Borrell i përdori të enjten e kaluar kur iu drejtua një auditori në Akademinë Diplomatike Evropiane në Brugges të Belgjikës.

Edhe Borrell: S’duam ushtri evropiane, por një shtyllë mbrojtëse brenda NATO-s Botë Borrell: S’duam ushtri evropiane, por një shtyllë mbrojtëse brenda NATO-s

"Evropa është një kopsht. Ne kemi ndërtuar një kopsht. Gjithçka funksionon. Është kombinimi më i mirë i lirisë politike, prosperitetit ekonomik dhe kohezionit social që njerëzimi ka mundur ta ndërtojë. Pjesa tjetër e botës, nuk është saktësisht kopsht. Pjesa më e madhe e pjesës tjetër të botës është një xhungël dhe xhungla mund të pushtojë kopshtin”, ka thënë ai.

Gjatë fundjavës, metafora "kopshti kundër xhunglës" zuri vend në rrjete sociale, duke nxitur reagime kundër diplomatit spanjoll për atë që shumë e panë si deklaratë nënçmuese dhe raciste.