Kryeministri britanik Boris Johnson dhe ministri i Financave Rishi Sunak do të gjobiten nga policia për shkeljen e ligjeve të mbylljes kur ishin në fuqi masat e izolimit anti-COVID, raportoi BBC.
Bashkëshortes së kryeministrit, Carrie Johnson, po ashtu do t’i jepet një paralajmërim penal.
Zyrtarët konfirmuan se të tre janë informuar. Zëdhënësat e tyre kanë thënë se nuk u është treguar se për cilën ngjarje janë gjobitur.
Megjithatë, është raportuar se të tre kishin marrë pjesë në tubimin për ditëlindjen e Johnsonit në qershor 2020.
Johnsoni është kryeministri i parë i Britanisë i cili gjatë shërbimit të tij është sanksionuar për shkelje të ligjit.
Deri tash, më shumë se 50 gjoba janë shpërndarë dhe pritet që të ketë më shumë.