Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Bomba dhuratë” që ia ndryshoi jetën superheroit

Juan Jose Florian dhe vëllai i tij vendosën të bëheshin ushtarë kur të rriteshin. Kur Milleri ishte 23 vjeç udhëtoi në qytetin më të afërt, ku aplikoi për shërbimin ushtarak në forcat e rregullta kolumbiane. Disa javë më vonë, një grup ushtarësh të FARC-ut vizituan familjen e Florianit me një mesazh. Familja ua kishte dhënë një djalë forcave të reaksionit, thanë ata, ndaj revolucionit i kishin borxh një tjetër

Shtëpia e fëmijërisë së Juan Jose Florianit ndodhej afër një pylli tropikal kolumbian. Familja e siguronte jetesën duke kultivuar portokaj dhe avokado. Por natën rajoni u përkiste grupeve të armatosura ilegale, shkruan televizioni britanik BBC.

Ata që kundërshtuan shtetrrethimin u kapën, u lidhën ose u lanë për natën. Nëse përsërisnin veprimet e njëjta, ekzekutoheshin. Trupa të pajetë shihen çdo ditë në shtigjet pyjore, thonë banorët.

Njëri vëlla ushtar, tjetri militant

Nuk kishte rrugë tamam, nuk kishte as televizion. Aty ku fëmijët e tjerë ndiqnin skuadrat e futbollit, Floriani dhe vëllai i madh, Miller, do të dilnin fshehurazi dhe do të shikonin zjarrin që ndriste natën, duke i brohoritur ushtrisë kolumbiane në konfliktin e tyre me FARC-un, Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë - dhe grupeve të tjera rebele.

"Kur ushtria ishte atje, ne mund të luanim jashtë deri vonë dhe nxënësit e shkollës ishin të sigurt nga rekrutimi i detyruar", thotë Floriani për BBC-në.

Guerilët e FARC-ut, të themeluar më 1966 dhe të shpërbërë në vitin 2016 kur nënshkruan armëpushimin – trokisnin rregullisht në shtëpinë e familjes, duke kërkuar ushqim, para dhe çfarëdo.

Floriani dhe vëllai i tij vendosën të bëheshin ushtarë kur të rriteshin. Kur Milleri ishte 23 vjeç, udhëtoi në qytetin më të afërt, ku paraqiti dokumentet në një pikë kontrolli dhe iu tha se ishte vonuar për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Disa javë më vonë, një grup ushtarësh të FARC-ut vizituan familjen e Florianit në spastrimin e tyre pyjor me një mesazh. Familja ua kishte dhënë një djalë forcave të reaksionit, thanë ata, ndaj revolucionit i kishin borxh një tjetër.

"Nëna ime u përpoq t'i luftonte. Ajo iu lut. Ndërsa më morën, ajo më bekoi mes lotëve", thotë Floriani.

Në këtë mënyrë Floriani - 16 vjeç- në 1998-n u bë pjesë e një konflikti që vrau 260.000 njerëz dhe la më shumë se gjashtë milionë pa kulm mbi kokë brenda vitit 1954 dhe 2016. Floriani tashmë ishte në anën e kundërt të vëllait, shkruan BBC-ja.

Image

Ushtria e të miturve

Ai ishte një nga mbi 18.000 të miturit, 70% e tyre më të rinj se 15 vjeç, të rekrutuar nga FARC-u gjatë pesë dekadave të luftës së tyre të armatosur si grupi më i madh rebel i vendit.

"Ne iu nënshtruam disa orë presionit psikologjik”, thotë Floriani. "Vlerat që ata mësonin ishin të kundërta me ato të nënës sime. Gjithmonë mendoja për arratisjen time. Ditët i kaloja duke kërkuar, dëgjuar, planifikuar. Pashë sesi dezertorët qëlloheshin për tradhti”.

Por Floriani i rezistoi indoktrinimit dhe një vit në jetën e tij si fëmijë gueril pa mundësinë për t'u arratisur.

Batalioni i tij, Fronti 27, u dërgua për të sulmuar një stacion policie. Ushtria dërgoi helikopterë.

“Ata na vunë re dhe qëlluan”, thotë ai për BBC-në. "U fsheha nën mbulesën e një peme. Ndërsa një helikopter qarkullonte sipër meje, unë u rrotullova rreth trungut”.

Ndërsa shokët e tij iknin, Floriani hyri në një shtëpi ferme.

"Kishte shumë simpatizues të FARC-ut në ato pjesë dhe merrnin shpërblim nëse dorëzonin dezertorë, kështu që unë thashë: ‘Po pati një lëvizje të vetme do t’ju qëlloj”’.

"Unë iu thashë atyre se kisha nevojë për rroba. Burri më dha xhinse dhe një këmishë të bardhë. E detyrova atë dhe gruan të shtriheshin në dysheme dhe me dorën time të lirë u ndërrova nga lodhja. U thashë të mos lëviznin. U ngrita dhe ika me vrap nga shtëpia”, thekson Floriani.

“Kur gjeta një postbllok ushtrie, hodha pushkën dhe u afrova. Oficerit i thashë se isha gueril dhe doja të dorëzohesha, i thashë që nuk kam ngrënë ka dy ditë. Më dhanë ushqim. Më pyetën se në çfarë batalioni ishte vëllai im. Fatmirësisht vëllai im kishte raportuar rekrutimin tim të detyruar dhe ata konfirmuan se unë isha ai që pretendoja se isha”, rrëfen Flroiani.

Image

Adresa e gabuar

Floriani u vendos nën mbrojtjen e ushtrisë në kryeqytetin Bogota.

“Kisha frikë të dilja në rrugë se mos më gjenin”, thotë ai. "Ishte e tmerrshme. Unë isha shumë i ri dhe kisha një armik kaq të madh dhe të fuqishëm".

Në shtëpi, nënës së tij iu desh të ikte nga ferma me fëmijët e tjerë, të cilët i dërgoi në shkollë me konvikt për sigurinë e tyre.

Kur Floriani mbushi 18 vjeç në vitin 2000, ai iu bashkua ushtrisë kolumbiane. Pas trajnimit të tij ai kaloi 12 vjet duke luftuar fushatat kundër bandave të drogës dhe kontrabandistëve të karburanteve. Vëllai i tij, Miller, vazhdoi karrierën e tij ushtarake, vetëm për të pësuar tragjedi në një shkëmbim zjarri me FARK-un në qytetin El Dorado, Meta, rreth 350 km në juglindje të Bogotas.

“Ishte një operacion shumë konfuz në të cilin ai qëlloi dhe vrau një burrë”, thotë Floriani. "Kur ata shkuan për ta identifikuar trupin, doli se ai kishte qëlluar shokun e tij më të mirë. E goditi shumë fort. Ai u trondit".

Miller filloi të shfaqte shenjat e skizofrenisë kronike paranojake. Floriani udhëtoi për në shtëpi me leje për ta parë. Nëna e tyre e kishte shitur fermën dhe nuk pranoi të paguante të ashtuquajturën taksë të kërkuar nga FARC-u. Ata e kishin gjetur në shtëpinë e saj të re. Më 12 korrik 2012 një pako u gjet në oborr.

"Më kujtohet që pashë diçka pranë derës. Eca drejt saj, u ula dhe zgjata duart e mia. Gjëja tjetër që mbaj mend është shtrirë në tokë duke bërtitur. Të dy krahët m’u zhdukën”.

“Më vrisni”

"Këmba e djathtë më ishte shkëputur mbi gju. Kam pasur djegie të shkallës së dytë dhe të tretë gjithandej. Syri im i djathtë ishte zhdukur dhe unë kisha humbur dëgjimin në veshin tim të djathtë. Vëllai im ishte duke ma përqafuar kokën dhe unë bërtisja: ‘Më vrisni, më gjuani. Unë nuk mund të jetoj kështu’”, kujton ai për BBC-në.

"Ai ma përkëdheli kokën dhe më tha: ‘Mos ma kërko këtë. Do të jesh mirë’. Unë i bërtisja me fyerje për ta zemëruar”.

Floriani u zgjua pas 12 ditësh në komë. Pasuan muaj operacionesh dhe transplantim lëkure. Ishte në depresion, me halucinacione dhe mendime për vetëvrasje.

"Kam menduar të hidhem nga dritarja ose poshtë shkallëve", thotë ai. "Por unë mendova: ‘Po sikur të dështoj dhe të përfundoj edhe më keq?’. Vendosa të mësoj të ec, në mënyrë që të mund të kërceja para një makine. Por në fund arrita në të njëjtin përfundim: po sikur të mbijetoj?”.

Image

Vullnet i çeliktë

“Floriani mendon se ka më shumë amputime se çdo invalid në botë. Lëndimet e tij paraqesin vështirësi të mëdha për projektuesit e biçikletave. Megjithatë, inxhinierët e avionit morën një biçikletë 18 kilogram, e përshtatën duke përdorur fibra karboni më të fundit dhe e reduktuan peshën në 8.5 kilogramë”, shkruan BBC-ja në shkrimin e saj të gjatë për sfidat e Florianit.

Duke ruajtur kursimet e kontributet vullnetare, si me ndihmën e sponsorëve të vegjël, financoi udhëtime në Kupën e Botës në Belgjikë, Itali dhe Holandë, si dhe në Kampionatin Botëror në Holandë dhe Portugali.

Në vitin 2019, firma e telekomunikacionit “Movistar Colombia” filloi ta sponsorizojë. I famshëm kombëtarisht, ai mori epitetin “Superhero”.

"Në Kolumbi njerëzit me amputim quhen ‘mochos’. Kur fillova të bëj çiklizëm, thashë më vete se nëse kemi heronj si ‘Superman’ apo ‘Batman’, pse nuk mund të jem unë ‘Mochoman’?".

Floriani dështoi në përpjekjen e tij për të shkuar në Paraolimpiadën e Tokios. Por këtë e mori shtruar. "Unë jam ende gjallë dhe do të vijnë lojërat tjera", thotë ai.

Tani 39 vjeç, në nëntor të këtij viti ai u kurorëzua kampion kombëtar i Kolumbisë në paraçiklizëm.

Ai e quan bombën, që për pak sa nuk e vrau, "dhuratë jete dhe lindja ime e dytë".

Ai thotë: "Jam në proces vrapimi dhe jam shumë i emocionuar. Nuk kam një protezë të veçantë dhe as një ekip mjekësor që të më mbështesë, por me njerëzit që kam, do të fillojnë të punojnë për mua”.

"Dua t'i tregoj botës se ju mund t'i përmbushni ëndrrat tuaja. Nuk ka të bëjë vetëm me rehabilitimin; është përtej kësaj. Ne ushtarët dhe policët që humbasim nga konflikti i armatosur, po harxhojmë një pasuri të tërë të talentit njerëzor, shpesh të dhënë pas pijes dhe drogës”, thekson ai për BBC-në.

"Dua të jem zëri që kërkon që vendi t'u japë më shumë mundësi ushtarëve të tij të plagosur”.

Përgatiti: Blerta Haxhiu

*Falas

 

Artikuj të ngjashëm