Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, e cilësoi Iranin si “bankier qendror të terrorizmit ndërkombëtar”, derisa paraqiti një strategji të gjerë kundër Teheranit në Lindjen e Mesme.
Bolton tha se strategjia e Shteteve të Bashkuara do të përdorë edhe mjetet ushtarake, edhe ato jo-ushtarake për të zmbrapsur militantët e mbështetur nga Irani dhe mbështetësit e tyre financiarë.
“Grupet terroriste islamike përbëjnë kërcënim të madh për Shtetet e Bashkuara dhe interesat e tyre jashtë vendit”, tha Bolton për gazetarët.
Irani, tha ai, është "bankieri qendror i terrorizmit ndërkombëtar që nga viti 1979".
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, prejse ka marrë detyrën në janar të vitit 2017, ka marrë një qasje agresive ndaj Iranit.
Edhe
SHBA: Sa i fuqishëm është vërtet John Bolton?
Veç tjerash, ai është tërhequr nga një marrëveshje historike bërthamore midis Republikës Islamike dhe gjashtë fuqive botërore dhe i ka rikthyer sanksionet mbi ekonominë e Iranit.
Muajin e ardhshëm, administrata Trump planifikon të vendosë sanksione të reja mbi sektorin e naftës së Iranit, me qëllim të ndalojë përfshirjen e tij në konfliktet në Siri dhe Irak dhe ta detyrojë të përfshihet në negociata të reja për programin e raketave balistike.