Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas, të ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ka thënë të shtunën Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
"Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbajnë funksionimin e kësaj Iniciative thelbësore, shpëtimtare", tha kryediplomati amerikan në një deklaratë, duke shtuar se marrëveshja ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Sipas Blinkenit, çdo veprim i Rusisë për të penguar këto eksporte kritike të grurit është në thelb një deklaratë që njerëzit dhe familjet në mbarë botën duhet të paguajnë më shumë për ushqim ose të mbeten të uritur.
Blinkeni më tej i ka kërkuar Rusisë të rifillojë pjesëmarrjen në marrëveshje.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas, pas sulmeve në flotën e saj të Detit të Zi.
Rusia ka njoftuar zyrtarisht Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres se Moska ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e grurit.
Edhe
OKB-ja i kërkon Rusisë të rinovojë marrëveshjen e grurit me Ukrainën
Duke kritikuar lëvizjen e Rusisë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha "Rusia filloi të përkeqësonte qëllimisht krizën ushqimore që në shtator, kur bllokoi lëvizjen e anijeve me drith".
Në një videomesazh të publikuar në Telegram, Zelensky akuzoi Rusinë se po përpiqet të parandalojë lëvizjen e 176 anijeve që largohen nga portet e Ukrainës sipas marrëveshjes së korridorit të grurit që nga shtatori.
Ai tha se ato përmbajnë ushqim për më shumë se shtatë milionë konsumatorë.