Botë

Bjellorusia liron protestuesit e burgosur si përpjekje për t’u ikur sanksioneve

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të bisedojnë rreth sanksioneve të mundshme ndaj udhëheqësve në Bjellorusi për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave anti-qeveritare.

Së paku dy protestues vdiqën dhe rreth 6.700 u arrestuan këtë javë, pas zgjedhjeve ku presidenti Aleksander Lukashenko fitoi shumicën. Protestuesit po i quajnë rezultatet të rrejshme dhe të manipuluara, shkruan Al Jazeera të premten.

Autoritetet e këtij shteti kanë liruar protestuesit dhe kanë kërkuar falje publikisht, një gjest shumë i rrallë në këtë shtet, në përpjekjet që të zbuten trazirat mbarëkombëtare që deri tani janë sfida më e madhe ndaj udhëheqjes 26-vjeçare të presidentit Lukashenko.

Lirimi i protestuesve u bë të premten, disa orë para takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian ku do të flitet për sanksione të mundshme ndaj qeverisë së Bjellorusisë pas shkeljes së dhunshme të protestave, transmeton KOHA.

Me qindra familjarë dhe miq, shumica me lot në sy, qëndruan jashtë një burgu në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë, në orët e hershme të së premtes.

Ata po mbanin ushqim, ujë dhe mbuloja të cilat ua jepnin njerëzve që po dilnin nga burgu.

Disa nga protestuesit e liruar kishin lëndime dhe i përshkruan keqtrajtimet, përfshirë edhe qëndrimin nëpër qeli të stërmbushura.