Bisedimet trepalëshe të mbështetura nga SHBA-ja që përfshijnë Ukrainën dhe Rusinë do të zhvillohen javën e ardhshme në Abu Dhabi, ka bërë të ditur të dielën presidenti Volodymyr Zelensky.
Njoftimi vjen teksa ukrainasit përballen gjithnjë e më shumë me sulme ruse mbi infrastrukturën energjetike mes temperaturave në rënie.
Kievi zyrtar është nën presionin e SHBA-së për të siguruar paqen në luftën gati katërvjeçare, ndërsa përballet me një fushatë sulmesh ajrore ruse që ka shkatërruar sistemin e saj energjetik gjatë njërit prej dimrave më të ftohtë në vite.
Rundi i parë i negociatave u zhvillua në fund të janarit, por nuk çoi në asnjë lëvizje të re mbi çështjen jetësore të territorit, pasi Moska ende kërkon që Kievi të lëshojë më shumë tokë në lindjen e saj të shkatërruar nga lufta, gjë që ajo refuzon ta bëjë.
Zelensky ka thënë se bisedimet e reja do të zhvillohen më 4 dhe 5 shkurt dhe se Ukraina, që po përpiqet të ndalojë përparimet ruse në fushën e betejës, është gati për një "diskutim thelbësor".
"Ukraina është gati për një diskutim thelbësor dhe ne jemi të interesuar të sigurohemi që rezultati të na afrojë më shumë me një fund të vërtetë dhe dinjitoz të luftës", ka shkruar Zelensky në X.
Ndërkohë, në kryeqytetin ukrainas, 1,000 pallate kanë mbetur pa ngrohje të dielën, ka thënë kryebashkiaku, Vitali Klitschko, teksa një valë e re e të ftohtit të acartë përfshiu pjesën më të madhe të vendit.
Temperaturat në qytet të dielën luhateshin rreth -15 gradë celsius, ndërsa punëtorëtpo punonin për të rikthyer ngrohjen në qindra nga gati 3,500 ndërtesa të larta të prekura nga mosfunksionimi i rrjetit të shtunën.
Kremlini ka njoftiar dy ditë më parë se kishte rënë dakord të ndalonte sulmet në infrastrukturën energjetike deri të dielën me kërkesë të presidentit të SHBA-së Donald Trump, dhe Kievi ka thënë se do të vepronte në të njëjtën mënyrë.