Bisedimet mes SHBA-së dhe Ukrainës në Gjenevë kanë sjellë “sukses vendimtar” për evropianët, ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Wadephul, raporton “BBC”.
Wadephul tha se çështjet që kanë të bëjnë me Evropën, përfshirë ndalimi e Ukrainës për anëtarësim në NATO, janë hequr nga plani i paqes 28-pikësh i përgatitur nga SHBA-ja.
“Është një sukses vendimtar ajo që arritëm dje”, tha Wadephul për “Deutschlandfunk”.
Ai tha se “asnjë marrëveshje s’duhet të arrihet mbi kokat e evropianëve dhe ukrainasve”.
Të dielën janë zhvilluar bisedime mes delegacioneve të Ukrainës dhe SHBA-së në Gjenevë, ndërsa aty ishin edhe përfaqësues nga shtetet evropiane, ku u diskutua për planin e propozuar nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës Rusi - Ukrainë.
SHBA-ja e Ukraina kishte vlerësuar se janë bërë përparime, ndërsa bisedimet do të vazhdojnë sot.
Në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë në orët e vona të së dielës u tha se zyrtarët ukrainase e pranuan se “të gjitha shqetësimet e tyre kryesore u trajtuan plotësisht”, përfshirë edhe garancitë e sigurisë dhe sovraniteti politik.
Në komunikatë u tha se kishte pasur “rishikime dhe qartësime” të planit fillestar 28-pikësh.
“Ata (zyrtarët ukrainas) besojnë se drafti aktual pasqyron interesat e tyre kombëtare dhe ofron mekanizma të besueshëm dhe të zbatueshëm për ta mbrojtur sigurinë e Ukrainës...Të dyja palët mirëpritën progresin e qëndrueshëm të bërë dhe ranë dakord t’i vazhdojnë konsultimet ndërsa marrëveshjet shkojnë drejt përmirësimit përfundimtar”, thuhet në komunikatë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në konferencë për media kishte thënë se u bë një përparim i jashtëzakonshëm drejt një marrëveshje paqje, që do t’i jepte fund luftës Rusi – Ukrainë të nisur gati 4 vjet më parë.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
E ndërsa bisedimet në Gjenevë përparuan, sulmet ruse në Ukrainë kanë vazhduar në natën e të dielës.
Dronët rusë goditën qytetin lindor Kharkiv, sipas Shërbimit Emergjent të Ukrainës.
Katër persona u vranë dhe 17 tjerë u plagosën, tha kryebashkiaku Igor Terekhov.