Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bie në nivel historik popullariteti i familjes mbretërore holandeze

Familja mbretërore ka humbur besimin e shumë qytetarëve holandezë për shkak të thyerjes së rregullave gjatë krizës së COVID-19 dhe popullariteti i tyre është në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, raportoi televizioni shtetëror NOS.

Vetëm pak më shumë se gjysma e popullsisë, 55 për qind, dëshiron që Holanda të mbetet monarki, sipas rezultateve të një sondazhi nga instituti IPSOS.

Kjo është mbështetja më e ulët për monarkinë që kur mbreti Willem-Alexander mori fronin 10 vjet më parë. Në atë kohë, 78 për qind e të anketuarve mbështesnin monarkinë.

Tani 24 për qind e banorëve duan që Holanda të jetë republikë, nga vetëm 11 për qind një dekadë më parë.

Popullariteti i familjes mbretërore pati rënie kur u zbulua se në vjeshtën e vitit 2020, ata udhëtuan për në rezidencën e tyre verore në Greqi me një avion qeveritar, edhe pse qeveria po u kërkonte të gjithë qytetarëve të qëndronin në shtëpi për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Zemërimi i qytetarëve ishte aq i madh sa Willem-Alexnder dhe Mbretëresha Maxima ndërprenë pushimet dhe i kërkuan falje publikut. Por dëmi ishte bërë.