Pjesë të Australisë janë kapluar të enjten nga bora teksa janë goditur nga stuhi të fuqishme që kanë lënë pa energji elektrike më shumë se 200 mijë amvisëri.
Fuqia e erërave ka arritur deri në 120 kilometra në orë. Rreziku për përmbytje është rritur si pasojë e ngritjes së niveleve të lumenjve.
Për këtë arsye, 200 shtëpi në lindje të Melbournit janë evakuuar. Qyteti i dytë më i madh në Australi nuk është përballur me stuhi të tilla që prej vitit 2008.
Shërbimet emergjente kanë pranuar më shumë se 5 mijë thirrje për ndihmë, ndërkaq 3 mijë e 500 persona kanë adresuar kërkesa ndihme në lidhje me përplasjen e pemëve mbi shtëpitë e tyre.
I ftohti i pazakontë ka gjeneruar borë në disa pjesë të New South Wales. Rreth 15 centimetra borë ka rënë në qytetin Orange. Më shumë se 1 mijë e 200 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike vetëm në këtë qytet.